Prodhimi i hashashit do pastrohet në ndërtime

Monedha e përbashkët ka shënuar një tjetër rënie të fortë gjatë ditës së djeshme, duke zbritur në 135.07 lekë, 0.42 lekë më pak se një ditë më parë.
Ndonëse në bursat ndërkombëtare euro e ka marrë veten dje, pasi dy ditë më parë arriti në nivelin më të ulët të 13 viteve, në tregun e brendshëm ajo ka vijuar me nënçmimin e thellë, duke arritur në nivelin më të ulët që nga tetori i vitit 2009.
Aktorët e tregut pohojnë se rënia e euros gjatë ditës së djeshme ka qenë më shumë reflektim i efekteve sezonalë të brendshëm, si kërkesa e lartë për valutë nga bizneset, që këmbejnë euro për të paguar taksat.
Në fundjavë, thonë ata, ka përgjithësisht një kërkesë më të lartë për të blerë lekë, meqë janë përpara dy ditë pushimi.
Euro pritet të jetë e dobët dhe gjatë javës së ardhshme, si rrjedhojë e afrimit të datës 20, kur paguhen sigurimet, por edhe prurjeve sezonale nga emigrantët që pritet të vijnë për festa. Përgjithësisht, thonë aktorët e tregut, rënia e euros vijon deri nga datat 25-26 dhjetor. Më pas, janari tradicionalisht shënon forcim të euros.
Ndonëse këto janë faktorë që ndikojnë gjithmonë, sjellja e euros këtë vit është jashtë normalitetit të viteve të fundit, ku ndonëse dollari forcohej në bursat ndërkombëtare, euro mbetej e fortë tek ne dhe ndryshimi i kursit reflektohej përmes mbiçmimit të monedhës së gjelbër (vitin e kaluar për shembull, euro mbeti në nivelet e 140 lekëve, ndërsa dollari u ngjit mbi 130 lekë).
Mbetet e pamatshme se sa po ndikon euro që po hyn si rrjedhojë e shitjes së kanabisit në forcimin e pazakontë të lekut. Ndonëse sasia më e madhe e kësaj paraje vlerësohet të shkojë në ndërtim, sërish, një pjesë e saj kanalizohet në konsumin e përditshëm.
Hyrja e kësaj valute, konsiderohet nga disa ekspertë si arsyeja kryesore që po e zbret euron në nivelin më të ulët të 7 viteve.
Forcimi i monedhës së përbashkët është pozitiv për të gjithë kredimarrësit në euro, që kanë të ardhurat në lekë, por po rezulton tepër dëmtues për eksportuesit, që po arkëtojnë më pak para, për të njëjtën sasi të shitur.

Artikulli paraprakÇim Selami, deputeti tjetër në trafikun e prostitutave
Artikulli tjetër19 milionë dollarë në vit për Vilmën