Prishja e shtëpive në Shkozë e Himarë, në kundërshtim me kushtin e BE për negociata

Me prishjen e 153 shtëpive të banorëve në Shkozë dhe 19 shtëpive në Himarë, qeveria Rama ka shkelur të drejtat kushtetuese të qytetarëve, siç kemi sqaruar më parë, më herët, por ajo ka shkelur edhe një prej kritereve të BE-së për hapjen e negociatave. Respektimi i të drejtave të njeriut, e veçanërisht i të drejtës së pronës është një prej kushteve që BE i ka vënë Shqipërisë për t’i hapur negociat. Edhe pse ky kusht rrallë përmendet në diskutimin publik shqiptar, është një kusht po aq i rëndësishëm sa edhe Reforma në Drejtësi dhe lufta kundër drogës e krimit.
Institucionet dhe drejtuesit e lartë të BE-së e kanë pohuar qartë, në çdo deklaratë publike, se respektimi i të drejtës së pronës është kusht ndaj qeverisë shqiptare. Këshilli i Evropës, në deklaratën vjetore të vitit 2016 në lidhje me procesin e zgjerimit të BE-së, theksonte: “Këshilli thekson nevojën për respektimin e të drejtave si dhe zbatimin efiçent të së drejtës së pronës. Në këtë kontekst, Këshilli i bën thirrje Shqipërisë të plotësojë boshllëqet e rëndësishme ligjore”.
Bundestagu (parlamenti) gjerman, në deklaratën ku shprehte vendimin se shumica parlamentare gjermane është kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë, të prezantuar në nëntor 2016 nga Gunther Krichbaum, i kërkonte qeverisë: “…të plotësohen rekomandimet për të drejtat e njeriut, mosdiskriminimin dhe të drejtën e pronës, të paraqitura në Raportin e Përparimit të Komisionit Evropian të nëntorit 2016”.

Artikulli paraprakBuxheti faktik, u mblodhën 22 milionë euro më pak se plani
Artikulli tjetërBasha sulmon rrjetin Soros në Shqipëri