Presidenti Trump në Ditën e Bastijës

Presidenti amerikan, Donald Trump ka shkuar për një vizitë në Francë, ku do të marrë pjesë në festimet me rastin e Ditës së Bastijës. Gjatë ceremonive të rastit, trupat amerikane do të marshojnë së bashku me ato franceze në bulevardin e famshëm Champs Elysees. Një ditë para festimeve, presidenti amerikan u takua me homologun francez Emmanuel Macron, në përpjekje për të gjetur një gjuhë të përbashkët për çështje si Siria dhe lufta kundër terrorizmit.
Ishte një shtrëngim duarsh në takimin e tyre në muajin maj, që u përhap me shpejtësi virale në mediat sociale – një udhëheqës i ri francez, i cili jepte mesazhin se Franca do t’i rezistonte Presidentit Trump dhe politikës së tij “Amerika e Para”.
Analistët thanë paraprakisht se takimi i tyre i dytë, do të ishte në pjesën më të madhe të kohës, i sjellshëm.
“Takimi i tyre ka për të qenë edhe i vështirë, ngaqë francezët jo vetëm që kanë zgjedhur një president, i cili është thuajse antiteza e zotit Trump, por ekziston edhe një lloj armiqësie tek francezët për faktin se administrata Trump tërhiqet nga Marrëveshja e Parisit për Klimën”, thotë analisti.
Franca punoi shumë për organizimin e takimit të vitit 2015 për ndryshimet klimatike dhe e konsideron marrëveshjen si një arritje të madhe.
“Fakti që Presidenti i ri amerikan u tërhoq nga marrëveshja, ka për të qenë një çështje delikate dhe objekt tensioni në diskutime, pavarësisht se ata kanë për t’u përpjekur ta fshehin atë në sytë e publikut; është mëse e sigurtë që në diskutimet private udhëheqësit francezë kanë për të bërë gjithçka të mundur për të gjetur një lloj zgjidhjeje për këtë çështje”, thotë analisti.
Një tjetër çështje delikate është marrëdhënia e zotit Trump me Presidentin rus Vladimir Putin, që u shfaq në takimin e tyre maratonë të premten, në punimet e G20-ës. Franca, sikurse edhe pjesa tjetër e Europës Perëndimore, e ndoqi atë me nervozizëm.
“Nuk ka asgjë substanciale për t’u shqetësuar për këtë, por vetë procesi, gjuha e përdorur, mënyra se si ai është aq i gatshëm të përdorë një gjuhë të ashpër ndaj aleatëve dhe hezitimi për të përdorur të njëjtën gjuhë ndaj Rusisë, i bën njerëzit të mendojnë, nëse do të ketë në muajt e ardhshëm një nismë amerikane për Sirinë, Rusinë apo Ukrainën; ose nëse është rënë dakord me Kremlinin para se të diskutohet me Parisin, Berlinin apo edhe me Londrën…”, thotë analisti britanik Malcolm Chalmers.
Ky është udhëtimi i tretë përtej oqeanit dhe në Evropë i zotit Trump, që kur ai filloi mandatin e Presidentit në janar të këtij viti.
Gjatë vizitës së tij, Presidenti Trump do të marrë pjesë në festimet për Ditën e Bastijës. Bisedimet me presidentin francez pritet të fokusohen tek Siria dhe lufta kundër terrorizmit – dy fusha ku është lehtë të arrihen marrëveshje. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se në tryezën e bisedimeve mund të shtrohet edhe çështja e vështirë e klimës.

Artikulli paraprakKreu i ri i FBI: Asnjë ndërhyrje për besnikëri nga Shtëpia e Bardhë
Artikulli tjetërTrump: Procesi, “gjueti shtrigash”