Presidenti Trump hedh poshtë akuzat për kaos në Shtëpinë e Bardhë

Në komentet e bëra dje në Twitter, Presidenti Trump shkruante se tregu i aksioneve është në nivele të papara, shifrat ekonomike janë më të mirat, papunësia është më e ulëta në 17 vjet, pagat po rriten dhe kufiri është i sigurtë. “Në Shtëpinë e Bardhë nuk ka kaos”, shkruante ai.
Komentet e zotit Trump u bënë në prag të betimit të shefit të tij të ri të kabinetit, gjeneralit në pension John Kelly, i cili mori detyrën që deri tani mbahej nga Reince Priebus.
Në takimin me shefin e ri të kabinetit, Presidenti Trump tha se zoti Kelly do të bëjë “një punë spektakolare” në detyrën e re.
Gjatë javës së kaluar, drejtori i ri i komunikimit në Shtëpinë e Bardhë, Anthony Scaramucci, sulmoi ashpër zotin Priebus, duke përdorur edhe fjalë të papërshtatshme.
Ndërkohë, vetë zoti Trump u bë objekt kritikash për sulmet e tij publike ndaj prokurorit të Përgjithshëm, Jeff Sessions dhe për dështimin e republikanëve të Senatit për të ndryshuar ligjin e kujdesit shëndetësor.
Dje, Presidenti Trump pati një takim me prokurorin e Përgjithshëm në Shtëpinë e Bardhë.

Artikulli paraprakAgresioni rus kërcënim për vendet balltike
Artikulli tjetërRusia, 30 ditë afat SHBA për diplomatët