Agresioni rus kërcënim për vendet balltike

Nënpresidenti amerikan, Mike Pence siguroi dje udhëheqësit e vendeve balltike se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara për mbrojtjen e rajonit. Në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidentët e Estonisë, Lituanisë dhe Letonisë, zoti Pence tha se, “Rusia është një kërcënim i paparashikueshëm” ndërsa shfaqi shpresën për përmirësimin e marrëdhënieve me Moskën.
Nënpresidenti amerikan, Mike Pence, tha dje se nuk ka kërcënim më të madh për shtetet balltike se sa “spektri i agresionit” nga Rusia, ndërsa ai premtoi mbështetje për aleatët e NATO-s, Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë.
“Në këtë moment Rusia përpiqet të ripërcaktojë kufijtë ndërkombëtarë me forcë, të dëmtojë demokracitë e vendeve sovrane dhe të përçajë vendet e lira të Evropës. Nën udhëheqjen e Presidentit Donald Trump, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundërshtojnë çdo përpjekje për të përdorur forcën, kërcënimet apo ndikimin keqdashës në shtetet balltike apo kundër çdo aleati të traktatit”.
Zoti Pence foli në Talin, kryeqyteti i Estonisë, pas takimit me presidentin estonez, Kersti Kaljulaid, presidentin e Letonisë, Raimonds dhe presidenten e Lituanisë, Dalia Grybauskaite.
Nënpresidenti amerikan tha se kërkesa e Moskës për të shkurtuar 755 anëtarë të personelit diplomatik amerikan nuk do ta pengojë angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj aleatëve.
“Ne shpresojmë për ditë më të mira, për marrëdhënie më të mira me Rusinë, por veprimet e fundit diplomatike të ndërmarra nga Moska nuk do të pengojnë angazhimin e Shteteve të Bashkuara për sigurinë tonë, atë të aleatëve tanë dhe sigurinë e vendeve që duan liri në mbarë botën”.
Zoti Pence vlerësoi gjithashtu Estoninë për përmbushjen e angazhimit financiar ndaj aleancës së NATO-s duke shpenzuar të paktën 2 për qind të Prodhimit të Përgjithshëm të Brendshëm për mbrojtjen dhe tha se Letonia dhe Lituania do ta arrijnë këtë nivel vitin e ardhshëm. Presidenti Trump ka përsëritur thirrjet që vendet e NATO-s të shtojnë shpenzimet e mbrojtjes.
Estonia, Letonia dhe Lituania kanë kërkuar shprehje konkrete të mbështetjes ushtarake amerikane. Shqetësimet rreth ekspansionizmit rus janë rritur ndjeshëm në rajonin e Balltikut pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014.
Nënpresidenti Pence do të shkojë në Gjeorgji ku trupat amerikane dhe të partnerëve të NATO-s kanë filluar manovra ushtarake të dielën dhe më pas ai shkon në Mal të Zi, anëtari më i ri i aleancës.
“Mesazhi im për shtetet balltike, mesazhi im kur të vizitoj Gjeorgjinë dhe Malin e Zi do të jetë i njëjtë. Për aleatët tanë këtu në Evropën Lindore: Ne jemi me ju, ne qëndrojmë përkrah jush për lirinë dhe është një nder i madh për mua që ndodhem këtu”, tha nënpresidenti.
Duke iu referuar perspektivës së shtimit të sanksioneve amerikane kundër Rusisë, që Kongresi miratoi javën e kaluar me shumicë dërrmuese, zoti Pence tha se ai dhe presidentit Trump “presin që sjellja e Rusisë të ndryshojë.
Zoti Pence tha se pret që Presidenti Trump të nënshkruajë projektligjin e sanksioneve, i cili vendos masa ndëshkuese ndaj Koresë së Veriut, Iranit, si dhe Rusisë.

Artikulli paraprakVotimet fiktive në Venezuelë dhe kundërshtimet e opozitës
Artikulli tjetërPresidenti Trump hedh poshtë akuzat për kaos në Shtëpinë e Bardhë