Presidenti rrëzon ligjin që ul taksat për bixhozin dhe pasuron vëlla Olsin

Pas Teatrit, presidenti Meta rrëzon edhe ligjin që ulte taksat për bixhozin dhe pasuronte vëllain e Edi Ramës, Olsin.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka vendosur të kthejë në Kuvend për ndryshime të tjera edhe ligjin e propozuar dhe miratuar nga mazhoranca e Edi Ramës, që ulte taksat për bixhozin.
Qeveria e Edi Ramës propozoi dhe miratoi në Kuvend ligjin që ishte në favor të biznesve të lojërave të fatit.
Por presidenti e ka kthyer ligjin në Kuvend, pas ndryshimet nuk janë të argumentuara dhe ky ligj është në kundërshtim me objektivat e vetë shtetit social.
Njoftimi i kthimit të ligjit
Në respekt të ushtrimit të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Institucioni i Presidentit të Republikës bën me dije se me Dekretin nr. 10850, datë 30.07.2018, Presidenti i Republikës ka vendosur kthimin në Kuvend të ligjit nr.39/2018, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat” i ndryshuar, me qëllim rishikimin e nenit 6 të këtij ligji, bazuar në argumentat e mëposhtme:
1. Ndryshimet e realizuara në nenin 6, të ligjit nr. 39/2018, janë të pa argumentuara dhe nga vlerësimi i tyre rezulton se, zbatimi i këtij neni do të sjell uljen e barrës fiskale dhe përfitim financiar vetëm në favor të bizneseve që operojnë në fushën e lojrave të fatit, ndërkohë që ky nen nuk është në interes të publikut, si dhe efektet e pritshme në buxhetin e shtetit apo në ekonominë familjare janë negative.

2. Miratimi i nenit 6 të ligjit nr. 39/2018, është në kundërshtim me përmbushjen e objektivave social të shtetit shqiptar parashikuar në nenin 59 të Kushtetutës, bie ndesh me frymën e legjislacionit në fuqi në funksion të dekurajimit të aktivitetit të biznesit në industrinë e lojrave të fatit, si dhe krijon premisë për shtimin e fenomeneve negative që cenojnë familjen shqiptare.
Institucioni i Presidentit të Republikës, ka vlerësuar se aplikimi i barrës së lehtësuar fiskale ndaj operatorëve në fushën e lojrave të fatit, nuk është vlerësuar në mënyrë të thelluar nga qeveria dhe Kuvendi, përkundrejt dramave sociale dhe konflikteve në familje që janë shkaktuar në vijimësi nga pjesëmarrja në lojrat e fatit.
Argumentet e shtjelluara mbi kthimin për rishqyrtim të nenit 6, të ligjit nr. 39/2018 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat” i ndryshuar, mund t’i gjeni në faqen zyrtare të institucionit të Presidentit të Republikës – http://president.al/presidenti-meta-dekreton-kthimin-per-rishqyrtim-ne-kuvend-te-ligjit-nr-39-2018-arsyet-e-kthimit-te-ligjit/
Gjithashtu, Institucioni i Presidentit të Republikës bën me dije se, Presidenti i Republikës në ushtrim të detyrave të Tij, në mbështetje të nenit 84 pika 1 e Kushtetutës, ka dekretuar shpalljen e ligjeve të tjera të miratuara nga Kuvendi, dhe konkretisht :
– Dekret nr. 10842 datë 26.07.2018 për shpalljen e ligjit nr. 38/2018 “Për ratifikimin e korrigjimit të marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për huan e politikës së zhvillimit të sektorit financiar”.

– Dekret nr. 10843, datë 26.07.2018, për shpalljen e ligjit nr. 40/2018 “Për një shtesë në ligjin nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.
– Dekret me nr. 10844, datë 26.07.2018, për shpalljen e ligjit nr. 41/2018 “Për një shtesë në ligjin nr.9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar”.
– Dekret nr. 10845, datë 26.07.2018, për shpalljen e ligjit nr. 42/2018 “Për ratifikimin e memorandumit të qëllimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për instalimin dhe përdorimin e Sistemit për Krahasimin dhe Vlerësimin e Sigurt të Identifikimit Personal (PISCES)”.
– Dekret me nr. 10846, datë 26.07.2018, për shpalljen e ligjit nr. 43/2018 “Për ratifikimin e protokollit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës për zbatimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komunitetit Evropian për ripranimin e personave me qëndrim të paautorizuar”.
– Dekret me nr. 10847, datë 26.07.2018, për shpalljen e ligjit nr. nr. 44/2018 “Për ratifikimin e marrëveshjes me vendin pritës ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit të Ballkanit Perëndimor”.
– Dekret me nr. 10848, datë 26.07.2018, për shpalljen e ligjit nr. nr. 45/2018 “Për ratifikimin e marrëveshjes së ndryshimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave, dhe Trans Adriatic Pipeline AG, lidhur me marrëveshjen me qeverinë e vendit pritës”.

Artikulli paraprakTë sëmurët kanë frikë të deklarojnë që nuk ka ilaçe sepse i shqelmojnë jashtë nga çdo klinikë
Artikulli tjetërRaporti i DASH/ Basha: Edi Rama dhe Selia e Hajdutëve bëjnë sikur nuk e kuptojnë në anglisht, sepse babëzia ju ka errur sytë