Prerja e shiritave dhe pakot ushqimore!

Nga Elton LASKA

Jemi në një situatë pandemie ku shumica derrmuese e botës janë mbyllur brënda në shtëpi për t’ju shmangur sa më shumë infektimit nga Covid-19. Kjo ka sjellur pasoja të mëdha në ekonominë e mbarë shteteve të botës, por në Shqipëri kjo ndihet shumë më shumë. Sepse, edhe pa këtë situate pandemie situata ekonomike ishte shumë e brishtë.

Gjatë kësaj karantine kemi parë rëndomë Kryetar/e Bashkie të cilët me nga një qese në dorë perpiqen të bëjnë bamirësi duke ofruar kafshatën e munguar në derën e përzgjedhur me shumë kujdes.

Po të kthehemi në retrospektivë të gjithë ne kujtojmë “bezdisjet” me shiritat që priteshin dikur si rrjedhojë e investimeve, qofshin ato publike apo private. Aq shumë kishin rënë në sy këto shirita sa dikush doli me parullen “Kujdes kur ndërton shtepinë se të zënë derën me sherit”!!!

Sot “hero” është ai që të sjell thesin e miellit tek dera e shtëpisë!

Ky domain dikur ishte kryesisht i OJF-ve ose personave që kishin mundësi dhe dhuronin për bamirësi diçka nga pasuria e tyre. Sot? Pushteti po bën gjithçka që t’i përjashtoje OJF-të, Fondacionet, Donatorët dhe po përpiqet me çdo kusht ta marrë flamurin në dorë dhe duket sikur po zëvëndëson shiritat me thesin e miellit.

A është kjo detyra e ushtruesve të pushtetit? A janë votuar ata për të na mbajtur shpirtin gjallë me kafshatën? A do të na “bezdisin” më me ndonjë inagurim investimi?!!! Apo ç’e deshe!

Artikulli paraprakAlarmi! Fasoneritë, epiqendra e paralajmëruar e epidemisë
Artikulli tjetërKruja, zona më aktive me Covid-19 nga fasoneritë