Prag tragjedie, grevistët e urisë në Zharrëz refuzojnë urgjencën

Gjendja e grevistëve në Zharrëz është rënduar së tepërmi në ditën e 15 të grevës. Infermierët kanë shkuar në ambjentet e grevës për të parë nga afër banorët që refuzojnë të shkojnë në spital, por ata nuk kanë pranuar. Gjendja e tyre sa vjen dhe rëndohet. Bëhet e ditur se shumë prej tyre po përjetojnë kriza në stomak dhe aritmi zemre.
Mjekët janë detyruar të shkojnë brenda ambienteve të grevës dhe të injektojnë për grevistët serume dhe qetësues. Pavarësisht këshillave të tyre, ata refuzojnë të dalin nga greva pa marrë një përgjigje nga autoritetet vendore.
Banorët kërkojnë largimin e konçesionarit që kërkon naftën, Bankers Petrolium, pasi pretendojnë se tërmetet që shkaktohen në këtë zonë duke dëmtuar banesat e tyre vijnë si rrjedhojë e operacioneve të kërkimit të naftës, por nga ana e saj, kompania thotë se janë lëkundje natyrore.
Grupi i punës, i ngritur me urdhër të kryeministrit ka vendosur që dëmet e shtëpive të riparohen nga Shtabi i Emergjencave Civile. Ende nuk ka një konkluzion se kush është përgjegjës për lëkundjet në këtë zonë, por po bihet dakord me kompaninë Bankers Petrolium për të marrë një ekspert të pavarur ndërkombëtar.
Nëse rezultati i ekspertit do të fajësojë Bankers, atëherë dëmshpërblimin duhet ta paguajë kjo firmë dhe masat mund të shkojnë deri në ndalimin e kërkimeve të naftës në zonën e Patoz Marinzës.
Prej më shumë se dy javësh, ato kërkojnë ndërprerjen e kërkimeve të naftës, që po i shemb shtëpitë, por ende asnjë zyrtar shtetëror nuk i ka vizituar. Ndërkohë, banorët e zonës kanë bllokuar rrugën nacionale në shenjë proteste kundër heshtjes së qeverisë.

Artikulli paraprakOBSH: Shqipëria, rekord nga viktimat në aksidente
Artikulli tjetërProkuroria sekuestron pronat me vlerë 1.7 milionë euro në Vuno