Prag katastrofe nga zjarret, në Belsh rrezikohen banesat

Vatrat e zjarrit po shtohen dita-ditës në të gjithë vendin, ndërsa situata ka dalë jashtë kontrollit. Ende pa u shuar 15 vatrat e zjarrit të rënë ditën e mërkurë, dje u shfaqën dhjetëra vatra të reja zjarri ku situata paraqitet alarmante në Belsh. Nga përmasat e mëdha të flakëve të zjarrit të rënë në Belsh, rrezikohen disa banesa, mes të cilave është edhe shtëpia e Kulturës dhe një karburant. Të gjendur përballë kësaj situate, vetë komuniteti ka ndërhyrë me mjete rrethanore për të lokalizuar dhe shuar zjarrin. Mbrëmjen e djeshme është kërkuar ndihmë nga stacioni i Shërbimit të Zjarrfikëses në Elbasan, pasi Bashkia e Belshit nuk ka mjete zjarrfikëse.
Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile bëri të ditur se, gjatë orëve të fundit në të gjithë vendin janë shfaqur 6 vatra zjarri të reja në Elbasan, Shkodër, Tiranë, Berat, Korçë dhe Vlorë.
Forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë, por era e fortë dhe terreni malor ka vështirësuar ndërhyrjen e zjarrfikësve. Shumica e zjarreve janë vënë qëllimisht nga barinjtë, por edhe nga trafikantë droge për të hapur parcela toke për t’i mbjellë me kanabis. Deria tani nuk ka asnjë të arrestuar për zjarrvënie të qëllimshme, ndonëse nga autoritetet është pranuar sa ka patur zjarrvënie të qëllimshme.
Në Shkodër, vatra e zjarrit në fshatin Hoten, Vau i Dejës në malin e Kakarriqit është riaktivizuar gjatë paradites. Forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë, ndërkohë në ndihmë të tyre kanë shkuar edhe 30 forca të ushtrisë. Në fshatin Gruemirë, Malësi e Madhe ra zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra, por rrezikohej edhe qendra e banuar. Si pasojë u dogj një sipërfaqe prej 3 dynymësh me shkurre dhe ferra. Në fshatin Koplik i Sipërm, Malësi e Madhe ra zjarr dhe u dogj një sipërfaqe rreth 1 dynym me bimë medicinale.
Në kurorën e Sarandës ka rënë një zjarr në një sipërfaqe me shkurre. Zjarrfikëset janë duke punuar për të shuar flakët. Në fshatin Armen, Selenicë ra zjarr në një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe ullinj. Në fshatin Zvërnec, Vlorë flakët përfshinë një sipërfaqe me shkurre dhe pisha, çka solli djegien e një sipërfaqe rreth 4 dynym me shkurre dhe pisha.
Në fshatin Mjull-Bathore, Tiranë ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ulli. Aktualisht zjarrfikëset kanë izoluar flakët dhe po punojnë për shuarjen e të gjithë zjarrit. Nga informacionet   paraprake rezulton se janë djegur pjesërisht rreth 15 rrënjë ullinj.
Në fshatin Gështenjas, Pogradec ka rënë zjarr në një sipërfaqe të vogël me shkurre dhe ferra. Forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë për të shuar flakët dhe situata është nën kontroll.
Në fshatin Radesh, Skrapar zjarri ka përfshirë një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Aktualisht zjarri është vendosur nën kontroll është drejt shuarjes.
Në fshatin Gjorgos, Fier ra zjarr në një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe pisha. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 4 ha me shkurre, ferra dhe pisha. Në lagjen “29 Marsi”, Fier ra zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra, si dhe rrezikohej qendra e banuar. Në fshatin Zhupan, Fier ra zjarr në një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe ullinj. Megjithë ndërhyrjen u dogj një sipërfaqe 2 dynym shkurre, ferra dhe pjesërisht 10 rrënjë ullinj të rinj.
Në fshatin Zhamë, Lushnjë ra zjarr në një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe ullinj. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe 3 ha shkurre, ferra dhe disa ullinj të rinj.
Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile përsërit thirrjen ndaj të gjithë qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129, apo në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile në numrin ‎06941 10 198.

R.POLISI

Artikulli paraprakKryemadhi: Qeveri e krimit dhe blerjes së votave
Artikulli tjetër‘Droga’, ngecin hetimet kundër Klemend Balilit