PR: Rama, përgjegjësi politike për trafikun e drogës

Partia Republikane kërkon nga qeveria Rama që të mbajë tashmë përgjegjësinë politike të vendosjes sërish të Shqipërisë në qendër të trafikut ndërkombëtar të drogave dhe në qendër të vëmendjes negative të opinionit ndërkombëtar. Situata me kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike, ka bërë që Partia Republikane të kërkojë rikthimin e moratoriumit për skafet. Sipas kryetarit të Forumit Rinor të kësaj force politike, droga shqiptare është kthyer në shqetësim për gjithë vendet fqinje, ndaj qeveria sipas tij duhet të rikthejë vendimin e ish-Kryeministrit Sali Berisha, i shfuqizuar në vitin 2013, që nuk lejonte skafet dhe gomonet të qarkullonin në det. Endi Shkupi tha se heqja e moratoriumit të skafeve ishte një akt i qëllimshëm nga qeveria Rama për t’i hapur rrugën rimëkëmbjes së flotës së kontrabandës dhe nxitjes së trafikut nëpërmjet detit. “Ditët e fundit autoritetet e Italisë fqinje kanë shpallur alarmin ekstrem se gomonet që po vijnë nga Shqipëria janë shtuar aq sa kjo po shndërrohet në një emergjencë të vërtetë. Ky alarm i autoriteteve italiane nuk ishte ndjerë që prej vitit 2013. Në fund të vitit 2013 qeveria Rama hoqi moratoriumin e skafeve, pa ndërmarrë më parë asnjë masë shtesë për kontrollin e hapësirës detare dhe pa shtuar kapacitetin e policimit detar. Ndërkohë që më parë, qeveria Berisha kishte vendosur moratoriumin e skafeve dhe kështu kishte arritur të ndërpresë totalisht trafikun e tmerrshëm detar mes dy vendeve, duke arritur të marrë me këtë akt liberalizimin e vizave për shqiptarët në vitin 2008. Partia Republikane vëren se tashmë janë të gjitha faktet që provojnë indirekt se ajo heqje e moratoriumit për mjetet detare në vitin 2013 nga qeveria Rama nuk ka qenë as një akt i kryer sa për të ndryshuar diçka nga qeveria paraardhëse, dhe as një akt i kryer nga padija politike që në fakt e karakterizon këtë qeveri. Përkundrazi, Partia Republikane shqiptare e denoncon heqjen e moratoriumit të skafeve si një akt të qëllimshëm qeveritar për t’i hapur rrugën rimëkëmbjes së flotës së kontrabandës dhe nxitjes së trafikut nëpërmjet detit”, u shpreh Shkupi. Ai tha se Partia Republikane kërkon urgjentisht që qeveria Rama të sqarojë pozicionin e saj: “ose t’u provojë ndërkombëtarëve që është në gjendje të kontrollojë e të ndalojë skafet e gomonet e njerëzve të saj, çka duket e pamundur, ose të kthejë urgjentisht në fuqi moratoriumin e skafeve. Partia Republikane i bën thirrje opinionit publik që të rrisë presionin ndaj kësaj qeverie të papërgjegjshme që na e ka damkosur tashmë keq atdheun tonë. Shqipëria nuk meriton të jetë ‘Republika e hashashit dhe e skafeve’”, tha ndër të tjera Shkupi.

Artikulli paraprakPD: Krimi, droga dhe mashtrimi, modeli i Ramës
Artikulli tjetërTalebanët rivalizojnë Ramën, 500 milionë USD nga opiumi