Pollo: Shpresoj që Von Der Leyen do të niset nga gabimet me Shqipërinë për të arritur përmirësim radikal

Politikani Genc Pollo ish-deputet e ish-Ministër i PD shpreson në vendimin pozitiv të Këshillit Europian në pranvererën e vitit 2020. Ai nuk shikon rrezik të rritjes së ndikimit në Shqipëri të Rusisë, Kinës apo Turqisë.

DW: Z.Pollo, Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk dhe kryeministri italian, Giuseppe Conte e quajtën gabim historik mungesën e vendimit nga Këshilli Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ju si mendoni?

Genc Pollo: Të gjithë ne do të kishim dashur që Këshilli Europian të kishte vendosur pozitivisht. Pasi kështu do të hapej një faze e re dhe procesi i negociatave me Komisionin Von Der Leyen do të ishte shumë i dobishëm për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Efektet e një vendimi pozitiv në drejtim të forcimit të shtetit ligjor dhe në përgjithësi të Kritereve të Kopenhagenit do të ishin të dobishme edhe për vetë Bashkimin Europian.

Për fjalën “historik” nuk di çfarë t’ju them. Njoftimi zyrtar është se BE do të mblidhet në nivel të lartë për të shqyrtuar mundësinë e negociatave me dy vendet tona në pranverën e vitit 2020.

Pra, pas gjashtë muajsh mund të ketë një shans tjetër. Dëshiroj të shpresoj në lajme të mira.

Të njëjtën dëshirë, që ju sapo e thatë kanë patur edhe kryeministrat e 25 vendeve anëtare të BE, që këmbëngulën për një vendim pozitiv, hapjen e negociatave. Le t’ju sjell në vëmendje dy argumentat e tyre kryesorë pro hapjes: kredibilitetin e BE dhe veҫoritë gjeo-strategjike të rajonit, përfshirë edhe rrezikun e rritjes së ndikimit të Rusisë, Kinës apo Turqisë. A shihni ju pasoja negative ne këto dy drejtime?

Genc Pollo: Po filloj nga e dyta dhe po flas vetëm për Shqipërinë, vendin tim. Shqetësimi i penetrimit apo rritjes së ndikimit në Shqipëri nga Fuqi të Treta nuk ka bazë.

Popullsia jonë është masivisht proeuropiane, properëndimore dhe klasa politike e reflekton përgjithësisht këtë, të paktën retorikisht. Tek ne, prania ekonomike aktuale e ndonjë faktori të tille ende nuk justifikon shqetësimin e shprehur nga disa në Bruksel, se “mund të biem në prehrin e ndonjë (ish) perandorie tjetër”.

Bezdisëse eshtë afërsia personale e Edi Ramës me figura ekstra europiane, por gjithsesi orientimi i përgjithshëm shoqëror nuk e ndryshon dot një kryeministër problematik.

Sa për kredibilitetin e BE, për mendimin tim, ai nuk dëmtohet nga kushtet e arsyeshme dhe nga këmbëngulja për zbatimin rigoroz të tyre.

Shikoni sa me gëzim janë mirëpritur në opinionin publik shqiptar kushtet e vendosura nga Bundestagu gjerman me nismën e deputetëve të CDU/CSU-së!

Nga ana tjetër mbyllja e syve, sidomos nga ekzekutivi i BE-së para problemeve reale të vendit, nuk ka qenë e favorshme për kredibilitetin e BE.

Heshtja e gjatë para problemeve të drogës, zgjedhjeve dhe kapjes së shtetit, përfshi edhe institucionet e reja të drejtësisë, nuk ka ndihmuar një Shqipëri europiane.

Ndoshta shkak ka qenë fiksimi me stabilitetin, ndoshta dëshira për zgjidhje sempliste për problemet e pambyllura, ndoshta tjetër gjë; por nuk ka ndihmuar!

Shpresoj shumë që Komisioni Von Der Leyen do të rifreskojë qasjen ndaj zgjerimit me fokus sidomos në shtetin ligjor. Këtë kanë kërkuar edhe vende si Franca, dhe sot kancelarja Merkel e ka përkrahur fort këtë ide.

Ka dy vektorë në kundërshtimin e Frances, Hollandës dhe Danimarkës. Njëri është përqasja e re që kërkon Franca nga BE për zgjerimin; tjetri është që Shqipëria dhe Maqedonia Veriore nuk janë gati. Cili nga te dy mendoni se ka patur peshën kryesore në mosmarjen e vendimit nga Këshili Europian?

Genc Pollo: Unë shoh dy vektorë diku tjetër: në rast vendimi pozitiv, një vektor për Shqipërinë që negociatat i hapen faktikisht vetëm mbasi ka përmbushur 9 kushtet e Bundestagut Gjerman dhe jo më parë se të paktën një vit.

Si dhe një vektor për Maqedoninë e Veriut që do të marrë direkt datën e negociatave. Ndërkohë në thelb unë nuk dalloj ndryshim të madh midis qëndrimit gjerman, italian, francez apo danez.

Me të parin vendoset në parim pro negociatave, por ato hapen realisht, kur të plotësohen kushtet; me të dytin plotësohen fillimisht kushtet dhe pastaj merret vendimi për fillimin imediat të negociatave.

Zhurma e ekzagjeruar për mosmarrëveshje nuk lypset të mjegullojë këtë realitet. Ndërsa rishikimin e metodologjisë së zhvillimit, si ju thashë më lart, e shoh me shpresë.

Shpresoj që Komisioni Von Der Leyen do të niset edhe nga mangësitë e gabimet me Shqipërinë për të arritur një përmirësim radikal.

Dhe meqë përmendët Hollandën, ku njerëzit kanë namin se flasin troç e përtej taktit: lexova se kryeministri hollandez, Rutte deklaroi pas samitit se folëm gjatë për Shqipërinë dhe problemet e saj si p.sh. ndarja e pushteteve. Një problem i madh vërtet që nuk mund të tolerohet më.

Z.Pollo, po këmbëngul në pyetjen se kur e shihni te mundur që BE ta konsiderojë hapjen e negociatave si me Shqipërinë, ashtu edhe me Maqedoninë e Veriut?

Genc Pollo: Nuk dëshëroj ta shoh kohën e hapjes së negociatave sikur të varet thjesht nga kancelarja gjermane Merkel,

Presidenti francez, Macron apo liderë të BE. Kjo varet nga ne; sa do të jemi në gjendje të zgjidhim problemet, që të përmbushim si duhet nëntë kushtet gjermane. Dhe pyetja njëqindmilionshe është a mund të zgjidhen këto probleme me qeverinë që i ka shkaktuar ato?/DW

Negociatat, SHBA i kërkon qeverisë, transprencë, rregulla demokratike dhë luftë krimit e korrupsionit

Departamenti Amerikan i Shtetit ka reaguar pas vendimit të Këshillit Europian duke shprehu zhgënjim për bllokimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ndërsa ka kërkuar vendosjen e rregullave demokratike në këto dy vendi si dhe luftë ndaj krimit dhe korrupsionit

“Shtetet e Bashkuara mbështesin përkushtimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë ndaj integrimit transatlantik dhe aspiratat e tyre për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Jemi të zhgënjyer që Këshilli Europian nuk njohu përpjekjet shumë të forta për reforma të secilit vend me anë të një vendimi për të hapur negociatat për anëtarësim në këtë kohë.

Një vendim pozitiv do të kishte riafirmuar besueshmërinë e rrugës së tyre për në BE dhe do t’i ishte kundërvënë vendosmërisht aktorëve të huaj dashakeqës, të cilët kërkojnë të minojnë vlerat perëndimore dhe komunitetin euro-atlantik.

Ne njohim faktin që Këshilli Europian nuk i tha “jo” as Shqipërisë dhe as Maqedonisë së Veriut, dhe as nuk përcaktoi kushte të reja për hapjen e negociatave për anëtarësim. Shpresojmë që Këshilli Europian do të arrijë konsensus për një vendim pozitiv për të dy vendet kohë përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor verën tjetër.

Shtetet e Bashkuara do të mbeten partner strategjik i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë teksa vazhdojnë punën për të forcuar sundimin e ligjit, për të çuar përpara përpjekjet anti-korrupsion, për të zhvilluar ekonomitë e tyre dhe për të luftuar krimin e organizuar.

I nxisim të dy vendet të mbeten të palëkundur në ndërtimin e shoqërive transparente, të bazuara në rregulla dhe demokratike që iu përgjigjen nevojave të qytetarëve.

Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojmë me partnerët europianë për të çuar përpara synimet e përbashkëta të stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor” – thuhet në reagimin e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Artikulli paraprakA mund ta fitojë titullin Interi? “Natyrisht, ata kanë Conten”
Artikulli tjetërZbulohet çfarë diskutuan Zidane e Pogba