Pollo: Kthimi i ligjit për RTSH-në, thirrje për konsensus

Kryetari i Komisionit Parlamentar të Medias, Genc Pollo e cilësoi dje kthimin e ligjit për RTSH nga ana e Presidentit Nishani si një apel ndaj mazhorancës për konsensus me opozitën. Në një reagim për mediat, Pollo kujton se ka qenë vet Rama gjatë kohës kur ishte në opozitë që kërkonte një ligj konsensual për RTSH. “Do do doja të falenderoja Presidentin e Republikës i cili, duke dëgjuar zërin e opinionit publik, zërin e Unionit të Gazetarëve, zërin e 156 firmëtarëve të peticionit, zërin e Opozitës, si dhe së fundmi por jo për nga rëndësia, zërin e Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian në ushtrimin e duhur të kompetencës kushtetuese e ktheu në Kuvend për rishqyrtim  amendimin e njeanshëm të ligjit të Medias për Radio Televizionin Shqiptar. Do të përgëzoja Unionin e Gazetarëve dhe 156 reporterë e njerëz të penës që apeluan e nënshkruan peticionin ku kërkohej kthimi i ligjit në Kuvend dhe rivendosja e procedurës konsensuale për Drejtorin e Përgjithshëm të RTSH. Do të falennderoja edhe Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian i cili të martën e javës së shkuar në rezolutën që miratoi për Shqipërinë shprehte shqetësim për amendimin e njeanshëm e apelonte për mënyrë konsensuale në emërimin e Drejtorin e Përgjithshëm të RTSH.  Të mos harrojmë se ishte PS e Ramës në opozitë që në vitin 2012 vuri si kusht për konsensusin ndaj këtij ligji shumicën e cilësuar në Këshill Drejtues të RTSH për emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm. Mazhoranza e PD asokohe e pranoi kushtin e opozitës dhe e votoi kështu ligjin. Sot  mes dy kandidatëve të përzgjedhur nga Këshilli Drejtues, që të dy me jetë aktive politike në PS prej 25 vjetësh, si shenjë kompromisi e bashkëpunimi, anëtarët nga opozita përkrahin njërin prej tyre. Por jo detyrimisht mikun familjar të Edi Ramës. Ndryshimi i ligjit ad hominem, ishte veprim shumë i  gabuar i mazhorancës PS-LSI. Uroj që mazhoranca të reflektojë  e të mos votojë me nxitim e me inat për ligjin e RTSH” thekson Pollo në reagimin e tij.

Artikulli paraprakShpërthim në Paris, arsyet ende të paditura
Artikulli tjetërPresidenti kthen ligjin për mediat: Cenohet pavarësia