Policia greke sekuestron drogë nga Shqipëria në Igumenicë

Policia greke ka sekuestruar gjatë ditës së djeshme 21 kilogram e 820 gram marijuanë në kufirin greko-shqiptar. Lënda narkotike ishte fshehur në mjetin e një shtetasi grek rreth 63 vjeç, ndërsa u kap në Igumenicë. Mësohet se droga ishte ngarkuar në kufirin e gjelbërt dhe ishte ndarë në 2 çanta me 40 pako me peshë 21 kilogram e 820 gram marijuanë. Paraprakisht dyshohet se lënda narkotike ka ardhur nga Shqipëria. Policia vijon hetimet për persona të tjerë të përfshirë. Ndërkohë gjatë ditës së djeshme, në një tjetër operacion të policisë greke janë sekuestruar 641 gram marijuanë në Prevezë, ndërsa në pranga ka rënë një 30-vjeçare greke.
Plot 13 ton kanabis sativa me origjinë nga Shqipëria janë kapur përgjatë një viti në Greqi. Ky është raporti i fundit i Antidrogës greke, që i përket periudhës shkurt 2016 – shkurt 2017. Për çështje që lidhen me trafikun e drogës janë arrestuar në të njëjtën periudhë më shumë se 12 mijë persona. Sa i përket nacionalitetit të të arrestuarve, dominojnë shqiptarët dhe grekët. Këta të fundit po përfshihen përherë e më shumë në transportimin e drogës, të joshur nga pagesa prej 1000 eurosh për çdo rrugë.
Autoritetet greke thonë se përfshirja e shtetasve vendas shpjegohet me vështirësitë që ka krijuar kriza ekonomike, duke duke bërë mjaft prej tyre që të përpiqen për të siguruar të ardhura nëpërmjet veprimtarive të paligjshme. Policia greke publikoi të enjten pamje nga asgjesimi i rreth 2,5 tonë kanabis, si dhe 58 kg heroinë të kapur dy muajt e fundit. Asgjesimi u bë me mënyrën e djegies në furrnaltë, në një zonë e cila nuk bëhet e ditur, por në prani të prokurorit dhe të oficerëve të drejtorisë së sigurimit publik të Athinës.

Artikulli paraprakBasha-Ramës: Nuk ka ’97, do të shporresh
Artikulli tjetërGjenden eshtrat e një njeriu në fshatin Sapaç