A po përfundon në flluskë hetimi për këshilltarin e Trump, akuza evazion fiskal?

Ish-menaxheri i fushatës presidenciale të Donald Trumpit, Paul Manafort dhe një ish-partner i tij biznesi, Rick Gates akuzohen për vepra penale, ndër të cilat komplot kundër Shteteve të Bashkuara, shkelje të ligjit për regjistrimin si përfaqësues të një qeverie të huaj si dhe akte të tjera penale që lidhen me evazion fiskal dhe larje parash. Akuzat u ngritën sot në kuadër të procesit hetimor për të zbuluar si ka vepruar Rusia në përpjekjet e saj për të manipuluar zgjedhjet presidenciale të 2016:
Aktpaditë iu lexuan sot dy të akuzuarve që u dorëzuan vetë tek autoritetet federale për të shmangur ballafaqimin me agjentët e FBI-së para kamerave dhe publikut.
Këto janë aktpaditë e para që ngrihen në kuadër të procesit gjithnjë e më të gjerë hetimor që po zhvillon prokurori special Robert Mueller. Prokurorit Mueller i është besuar detyra për të drejtuar hetimet mbi rolin që ka luajtur Rusia në zgjedhjet e vjetshme presidenciale, kontaktet me shtetas amerikanë, në veçanti me punonjës të fushatës presidenciale Trump dhe nëse në këto kontakte ka pasur shkelje të ligjit federal.
Aktpadia e paraqitur në gjykatën federale në Uashington i akuzon Manafort-in dhe Gates-in se kanë kaluar miliona dollarë në llogari bankare në vendet që shërbejnë si “parajsa fiskale”, jashtë Shteteve të Bashkuara, pa deklaruar pagesat që kanë marrë për punën në interes të qeverisë së Ukrainës. Të dy ata akuzohen se kanë shkelur ligjin që kërkon që kushdo që vepron në emër të një qeverie të huaj të regjistrohet në Departamentin e Drejtësisë si përfaqësues i një shteti tjetër. Akuzat e tjera lidhen me evazion fiskal, fshehje të llogarive bankare, deklarata të rreme para autoriteteve federale e vepra të tjera.
Më parë, të dy të akuzuarit kishin mohuar se kishin kryer akte të paligjshme. Shtëpia e Bardhë nuk ka pranuar të komentojë për aktpaditë.
68-vjeçari Manafort u shkarkua nga detyra e menaxherit të fushatës në gusht 2016 pasi dolën fjalë se kishte organizuar një operacion të kamufluar lobizmi në favor të interesave ruse në Ukrainë. Aktpadia e akuzon Paul Manafort-in dhe Rick Gates-in se kanë orkestruar një operacion të fshehtë thuajse për një dekadë për interesat e partisë së Yanukoviçit në Ukrainë dhe për të transferuar fshehtazi miliona dollarë në llogari të huaja bankare.
Ndërkohë aktpadi të tjera priten në ditët në vazhdim në kuadër të hetimeve nën prokurorin special Robert Mueller, i cili e mori detyrën në maj për të drejtuar procesin hetimor të Departamentit të Drejtësisë lidhur me ndërhyrjet e Kremlinit në zgjedhjet presidenciale dhe rolin që mund të kenë luajtur punonjës të fushatës Trump.
Manaforti është përmendur prej muajsh si një ndër të dyshuarit.
Hetimet e prokurorit Mueller përfshijnë edhe rrethanat e shkarkimit të drejtorit të FBI-së, James Comey. Hetuesit kanë kërkuar nga Shtëpia e Bardhë dokumente të shumta lidhur me veprimet e Presidentit Trump dhe kanë intervistuar disa zyrtarë aktualë dhe të mëparshëm të administratës.

Trump: Zhurma për të larguar vëmendjen nga ulja e taksave

“Nuk ka pasur bashkëpunim të fshehtë/të paligjshëm!” shkruan Presidenti Trump në llogarinë e tij në Tëitter. Presidenti e postoi komentin menjëherë pasi u paraqit aktpadia kundër ish-menaxherit të fushatës së tij presidenciale, Paul Manafort në kuadër të hetimeve mbi rolin që mund të kenë luajtur punonjës të fushatës Trump për të ndihmuar përpjekjet ruse për ndikim tek zgjedhjet amerikane në 2016.
Aktpadi u ngrit edhe kundër Rick Gates, partner në biznes i zotit Manafort. Fillimisht presidenti komentonte në Tëitter që padia lidhej me një periudhë kur zoti Manafort nuk kishte filluar ende punë për fushatën e tij. Po më pas në Tëitter, presidenti shkruante “Përse nuk janë nën hetime edhe Hillari mashtruesja dhe demokratët?”
Dje, ndërsa shtoheshin spekulimet lidhur me aktpaditë, Presidenti Trump e përdori llogarinë në Tëitter për të vënë në lojë idenë se fushata e tij kishte bashkëpunuar fshehtazi me Rusinë për të ndikuar tek rezultati i zgjedhjeve dhe për të shprehur revoltim që vëmendja e medias ishte më e përqëndruar tek aktpaditë dhe jo aq shumë tek hetimet lidhur me akuzat kundër rivalëve dhe armiqve të tij politikë.
Presidenti aludoi se hetimet mbi Rusinë e kishin larguar vëmendjen e publikut nga përpjekjet e republikanëve tek reforma fiskale. “Mos është e rastësishme? JO!” shkruan presidenti.
Ty Cobb, një ndër juristët në ekipin ligjor të presidentit, tha se komentet e presidentit nuk kanë lidhje me zhvillimet në hetimet e prokurorit special Mueller.

Shtëpia e Bardhë: Akuzat nuk kanë lidhje me Presidentin

Paul Manafort, ish-udhëheqës i fushatës së presidentit amerikan, Donald Trump, u akuzua të hënën për komplot për të mashtruar Shtetet e Bashkuara në marrëveshjet e tij me Ukrainën.
Juria federale e ngarkoi Manafortin dhe bashkëpunëtorin e tij biznesor, Rick Gates, me 12 akuza, përfshirë: konspiracion kundër SHBA-së, konspiracion për shpëlarje të parave, të vepruarit si agjentë të huaj të paregjistruar, të bërit deklarata të rreme e të tjera.
Manafort ka arritur në zyrën e FBI-së në Uashington menjëherë pasi The Neë York Times dhe CNN, duke cituar burime të paidentifikuara, kanë raportuar se atij dhe Gates u është thënë të dorëzohen tek autoritetet federale.
Dokumentet e gjykatës po ashtu kanë treguar se George Papadopoulos, ish-këshilltar për politikë të jashtme i fushatës së Trumpit, është deklaruar fajtor për mashtrim të FBI-së në lidhje me kontaktet e tij me Rusinë.
Akuzat janë të parat që rrjedhin nga hetimet që po bën këshilltari i posaçëm, Robert Mueller, për ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së më 2016 dhe për bashkëpunimin e mundshëm të ndihmësve të Trumpit me zyrtarët rusë.
“Njoftimet e sotme nuk kanë të bëjnë asgjë me presidentin, nuk kanë të bëjnë asgjë me fushatën e presidentit apo aktivitetin e fushatës”, u tha gazetarëve zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders.
Ajo po ashtu tha se akuzat nuk tregojnë prova për bashkëpunim midis fushatës së Trumpit dhe Rusisë.
Sanders tha se roli i Papadopoulosit ka qenë “jashtëzakonisht i kufizuar në fushatë” dhe se ai ka qenë në “pozitë vullnetare” dhe “nuk ka bërë asnjë aktivitet në kapacitet zyrtar”.

 

Artikulli paraprakAntimafia zbuloi të vërtetën, Rama dhe qeveria e tij janë të zhytur në krim
Artikulli tjetërÇfarë ka në dosjen e Vishos? Si u paralajmërua shkarkimi i tij me 12 Tetor