Po hapen burgjet, lirohet Lul Berisha

Gjykata e Shkallës së Parë Durrës ka vendosur të lirojë nga burgu kreun e “bandës” famëkeqe të Durrësit, Lulzim Berisha. Kapobandës i kishin mbetur edhe 5 vite burg, por këto vite i janë falur dhe tani ai ndodhet në liri me kusht. Vendimi është marrë gjatë ditës së hënë, pas pretendimit të tij se është i sëmurë. Vendimi ka ardhur, pasi Gjykata e Lartë kishte rrëzuar një kërkesë të Prokurorisë, për ta dënuar Lulzim Berishën me burgim të përjetshëm. Me vendim të Gjykatës së Apelit, ai ishte dënuar me 25 vjet burg dhe i kishin mbetur edhe 5 vjet për të shlyer.
Një muaj më parë, kreu i Bandës së Durrësit, Lulzim Berisha i ishte drejtuar Gjykatës me kërkesën e lirimit nga burgu, me pretendimin se është i sëmurë rëndë. Kërkesa, është bërë përmes avokatit mbrojtës, i cili e kishte depozituar atë në Gjykatën e Shkallës së Parë në Durrrës.
Pas hedhjes së shortit, kërkesa u caktua të shqyrtohej nga gjykatësi Tristan Hamitaj. Sipas vetë trupit gjykues, Lulzim Berisha ka kërkuar lirimin nga burgu me arsyetimin se “vuan nga një sëmundje e rëndë dhe i rrezikohet jeta po të qëndrojë në qeli”. Ai u arrestua në prill të vitit 2006 dhe që nga ajo kohë ndodhej në burg deri ditën e hënë kur la qelinë. Ai ishte dënuar me 25 vite burgim me vendim të formës së prerë.

6 vrasjet e “Bandës së Durrësit”

Banda kriminale, me drejtues të përbashkët Lulzim Berishën dhe Klodian Saliun funksiononte prej vitit 1994 në qytetin bregdetar dhe merrej me trafik ndërkombëtar droge, prostitucion dhe trafik armësh. Banda është autore e një sërë vrasjeve dhe krimesh të tjera të ndodhura në Durrës e Tiranë, nga viti 1998 deri në 2008. Banda e Durrësit akuzohet për 6 vrasje. Vrasja e Dritan Sallakut më 17 tetor 1998 në qytetin e Durrësit, vrasja e shtetasve Viron Curri e Arjan Paja dhe plagosjen e shtetasit Marsel Sotiri, më 29 tetor 1998 në fshatin Rrashbull të Durrësit. Vrasja e Marsel Sotirit, 22.08.1999 në plazh, Durrës; Vrasja e Dritan Dishës, 09.07.2000 në Shënavlash, Durrës; Vrasja e Ervin Lames, 14.01.2002 në lagjen numër 3, Durrës.
Ai ishte dënuar nga Gjykata e Apelit me 25 vite burg, por pas vendimit të Gjykatës, Lul Berisha ka lënë qelinë për të shkuar në banesë.
12 vjet pasi qëndroi në qeli, kreu i bandës së Durrësit, një nga bandat më të përgjakshme në vend, kërkoi lirinë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës dhe ajo e Apelit. Berisha kërkoi në bazë të nenit 478 të Kodit të Procedurës Penale lirimin e tij nga burgu me arsyetimin se “vuan nga një sëmundje e rëndë dhe i rrezikohej jeta po të qëndrojë në qeli”. Prej vitit 2015, Lulzim Berisha vuante dënimin në burgun e sigurisë së zakonshme në Durrës.
Pas hedhjes së shortit, kërkesa u caktua të shqyrtohej nga gjykatës Tristan Hamitaj. Ai u arrestua në prill të vitit 2006 dhe që nga ajo kohë ndodhej në burg deri diten e djeshme.

Si u arrestua kapobanda

Lulzim Berisha, njeriu që e drejtoi për 10 vjet me radhë “Bandën e Durrësit” mes vrasjesh e trafiqesh droge dhe armësh, u kap në Maqedoni pas një urdhëri ndërkombëtar arresti të lëshuar nga Shqipëria. 6 pjesëtarë të bandës që ishte ndarë në dy fraksione rivale, që do të sillnin një zinxhir vrasjesh, ishin kapur një muaj më parë. Në grupin që kishte vënë nën këmbë qytetin bregdetar për një dekadë do të merrte kthesë me vrasjen e një prej kapove të tij, Klodian Saliut.
Mbrëmjen e 26 shkurtit të vitit 2005 Klodian Saliu, së bashku me mikun e tij Osman Truma, ranë pre e një atentati në autostradën Tiranë-Durrës, në afërsi të fshatit Kozhas në Maminas. I riu i lindur në Spitallë, pronar i lokalit “Cikloar” u qëllua nga disa persona të paidentifikuar që po ndiqnin makinën e tij të tipit “Mercedes-Benz”. Miku i tij mundi të mbijetonte, por nuk i kishte parë atentatorët.

Përplasjet mes Lul Berishës dhe Klodian Saliut

Banda e Durrësit ishte ndarë që prej vitit 2003 pas përplasjeve të Lul Berishës dhe Klodian Saliut. Pas vrasjes së Saliut, krahu i tij i drejtuar nga Idrit Dokle organizoi dy atentate për ta vrarë Lul Berishën, pasi e konsideronte si personin që kishte dhënë urdhërin për ekzekutimin e ish-mikut të tij, edhe pse ditën e vrasjes ai gjendej në Turqi. Në të dy rastet, vrasësit me pagesë nga Burreli, dështuan.
Një vit më vonë, në fillim të 2006, dy degët e bandës do të goditeshin nga autoritetet. Adriatik Coli, një anëtar i bandës, do t’i fundoste krerët dhe anëtarët e saj me dëshmitë e tij si bashkëpunëtor i drejtësisë.
Coli e fajësoi Berishën për vrasjen e Dritan Sallakut më 17.10.1998 në Durrës; për vrasjen e Viron Currit e Arjan Pajës dhe plagosjen e Marsel Sotirit më 29.10.1998 në fshatin Rrashbull të Durrësit; për vrasjen Marsel Sotirit më 22.08.1999 në plazh, Durrës; për vrasjen e Dritan Dishës më 09.07.2000 në Shënavlash, Durrës; për vrasjen e Ervin Lames më 14.01.2002 në lagjen numër 3, Durrës dhe për trafik armësh dhe droge.
Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi me burg përjetë në të dy shkallët e saj, për vrasjet e mësipërme dhe për krijim të organizatës kriminale. Gjykata e Lartë, në korrik të vitit 2014 ia hoqi dënimin përjetë me argumentin se ky dënim nuk ekzistonte në kohën kur ai kishte kryer krimin. Po ashtu, nuk kishte as ligj për krijim të organizatës kriminale në atë kohë. Por për Lul Berishën u fol gjatë prej kohës kur u arrestua deri tek heqja e dënimit përjetë. Arrestimi i tij dhe i anëtarëve të grupit rival që lindi nga banda e tij, nuk i ndalën gjakderdhjet në Durrës.
Emri i tij u përmend në vrasjen e vëllait të Klodian Saliut, Ndriçimit më 23 korrik të vitit 2007. Ai u qëllua me dy plumba në gjoks në një lokal në lagjen 18 nga dy persona me motor.
Lul Berisha u përfol se qëndronte edhe pas disa ngjarjeve të tjera. Më 19 nëntor të 2014 u ekzektua Leonard Murataj, një ish-rival i Lul Berishës. Ai u qëllua pranë lokalit të tij në afërsi të portit.
Shumë ngjarje kriminale që ndodhën në qytetin e tij të lindjes gjatë qëndrimit në burg lidhen fort me emrin e Lul Berishës.
Një raport i Ministrisë së Brendshme, i publikuar në prill të këtij viti, tregonte se ai nuk kishte qëndruar pasiv në burg. Raporti fliste për bashkim të tij me Emiljano Shullazin. Në të jepeshin të dhëna se aktiviteti i dy kapobandave ishte ai i gjobitjes së disa personave, biznesmenë të njohur në fushën e basteve sportive, tregtisë së kafesë dhe tregtisë së naftës.
Dokumenti sekret saktësonte se Lul Berisha e drejtonte bandën e tij nga burgu dhe i delegonte urdhërat tek njerëz të besuar si Julian Meçaj e Marjel Fierza, Mond Çekiçi e Plarent Dervishaj, për të cilin në prill të 2015 Apeli i Krimeve të Rënda i ka pushuar të gjitha akuzat.
“Pjesë e gupit të bashkuar janë Lulzim Berisha “Luli”, Emiljano Shullazi “Mili”, Plarent Dervishaj “Lenti”, Edmond Koçi, ose “Mond Çekiçi”, Marjel Fierza, Julian Meçaj, Gilmando Dani dhe Blerim Shullazi”, thuhet në raport, të botuar fillimisht në Shqiptarja.com.
Dyshohet se Shullazi dhe Dervishaj, nën drejtimin e Berishës, u kanë vendosur gjobë shtetasve, Xh.T. i cili ka biznes në qytetin e Durrësit, A.B, i cili është pronar i disa lokaleve në qytetin e Durrësit dhe përfaqësues ekskluziv i një marke kafeje në Durrës, Sh.K, biznesmen i njohur nafte në Shqipëri. Ata po bënin përpjekje për të privatizuar edhe “Parkun Sportiv”, që ndodhet në lagjen nr.5 në krah të Pallatit të Sportit “Ramazan Njala” në Durrës.
Në raport thuhej se, kontaktet me grupin, Lul Berisha i mbante përmes një telefoni që e kishte në qeli. Edhe pse ky raport u botua në prill, Gjykata e Durrësit vendosi ta lërë të lirë me kusht, për arsye shëndetësore. Edhe pse drejtues për afro 2 dekada i një prej bandave më të rrezikshme në vend, ai është i lirë, ndërsa anëtarët e tjerë janë të gjithë në qeli.

Artikulli paraprakLoja me HEC-et për ti falimentuar dhe grabitur
Artikulli tjetërKlientela e Veliajt, 6 milionë euro fitim nga rritja e biletës