Klientela e Veliajt, 6 milionë euro fitim nga rritja e biletës

Pas shkeljeve të evidentuara në Raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili konstatonte rritjen abuzive të çmimit të biletës së urbanit në Tiranë, Partia Demokratike kërkoi dje me anë të këshilltarëve bashkiakë rikthimin e çmimit fillestar për këtë shërbim. Leonard Olli kryetar i këshillatarëve të PD  depozitoi  dje  projektvendimin,  në lidhje me këtë çështje. Sipas tij vendimi për rritjen abuzive të çmimit të biletave të urbanit ka qenë i paarsyetuar dhe prek shtresën më të pambrojtur të popullsisë.  “Sikurse jeni në dijeni, Bashkia e Tiranës rriti në mënyrë abuzive në një megaaferë korruptive çmimin e biletës së transportit urban me 30%, dhe ne shprehëm opinionin tonë që rritja ishte e pastudiuar dhe mbi të gjitha e pakonsultuar me qytetarët dhe grupet e interesit. Pothuajse një vit më pas edhe pse me shumë vonesë, Kontrolli i Lartë të Shtetit, fakton dhe provon absolutisht pa asnjë ekuivok të gjithë ato që ne kemi deklaruar e kontestuar, që 6 milionë dollarë të hequra nga xhepat e qytetarëve, do të shkonoin në xhepat e klientëve të kryetarit të Bashkisë Veliaj. Tashmë  të ndodhur para këtij konstatimi shumë serioz dhe profesional të ekspertëve të KLSH, grupi i këshilltarëve të PD përgatiti një projektvendim, që e depozituam sot për t’u marrë në shqyrtim nga Këshilli Bashkiak ku kërkohet në mënyrë absolute rikthimi i çmimit të biletës së transportit urban në parametrat e mëparshëm pra 300 lekë të vjetra dhe, në të njëjtën kohë përjashtimin nga bileta e transportit urban të të gjithë fëmijëve që ndjekin arsimin e detyruar nëntëvjeçar”, tha Olli. Në projektvendimin e PD-së, parashikohet që bileta një përdorimshe të rikthehet në çmimin e 30 lekëve të reja, nga 40 që është sot, ndërsa aboneja për një linjë në vleftën e 900 lekëve nga 1400 që është sot. Aboneja e përgjithshme, pra për të gjitha linjat  të ulet në vleftën e 1200 lekëve të reja, nga 1800 që u ngrit me vendim të Erjon Veliajt. Nga ana tjetër, këshilltarët e PD-së propozojnë që kategorive që subvencionohen nga shteti t’i shtohem dhe nxënësit e arsimit të detyrueshëm.

Raporti i KLSH-së

Raporti I KLSH i publikuar në fund të nëntorit, konstatonte se rritja me 33 për qind e çmimit të biletës nuk ishte e arsyetuar apo e bazuar në lëvizjet inflacioniste të çmimit. Sipas Vendimit të Këshillit Bashkiak nr. 66, datë 30.12.2015, prezantohet edhe formula me të cilën Këshilli Bashkiak ka vlerësuar indeksimin e ri të çmimit të biletës. Kjo formulë është miratuar në 30.12.2015 dhe produkt i kësaj formule është rritja e çmimit të biletës prej 33%. Kur i kërkuam DTTRR, përllogaritjen e saktë të formulës së prezantuar në relacionin e VKB nr. 66 datë 30.12.2015, morëm përgjigjen finale se nuk është marrë në konsideratë as norma e inflacionit e deklaruar zyrtarisht dhe asnjë formulë paraprake. DTTRR konfirmon se kjo rritje çmimi prej 33% është bërë në masa emergjence. Për pasojë, rritja e çmimit të biletës së urbanit në linjat qytetëse është e pabazuar në relacionin bashkangjitur VBK nr. 66 datë 30.12.2015. Duke qenë se transporti urban përdoret nga masa e popullsisë dhe përdoruesit e këtij shërbimi përbëjnë afërsisht 36% të popullsisë, impakti që ka një rritje çmimi prej 33% e pabazuar në normën zyrtare të inflacionit dhe e pabazuar në asnjë formulë ekonomike, ndryshe nga çfarë shprehet VKB nr. 66 datë 30.12.2015, është një vendim i gabuar dhe prek në mënyrë të drejtpërdrejtë interesin publik të qytetarëve”, thuhet në Vendimin nr. 117 datë 23. 9.2016, i cili është publikuar pak ditë më parë në faqen zyrtare të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili ka edhe tri rekomandime për bashkinë në lidhje me vendimin për rritjen e çmimit të biletës”, thuhet në raportin e grupit të punës së KLSH-së. “Bashkia e Tiranës të marrë masa e të përllogarisë defakto rritjen e mundshme të çmimit të biletës së transportit urban qytetës, mbi bazën e: 1. Normës së inflacionit të deklaruar zyrtarisht 2. Një formule të saktë dhe të qartë ekonomike 3. Një modeli të saktë dhe rasteve më të mira në vende të ndryshme. Deri në nxjerrjen e një analize të plotë e të saktë bazuar në kushtet e lartpërmendura, Bashkia e Tiranës të anulojë rritjen e çmimit të biletës së transportit urban qytetës”, thuhet në raportin e auditimit. Sipas audituesit të KLSH-¬së, Bashkia e Tiranës nuk garanton në nivel të kënaqshëm një shërbim të pranueshëm të transportit publik qytetas. “Kuadri rregullator shfaq mangësi. Mungojnë akte, të cilat duhet të ishin pjesë e kuadrit rregullativ për të siguruar një shërbim cilësor të transportit urban qytetës. Mungesa e disa prej tyre, të cilat janë mjaft të rëndësishme në vendosjen e standardeve të cilësisë dhe monitorimin e shërbimit të ofruar nga operatorët, i jep përmasa afatshkurtra marrëdhënies mes operatorëve privatë dhe bashkisë. Në kushte të tilla është e vështirë të ndërtohen strategji për ofrimin e shërbimit të duhur të transportit publik qytetës. Ekzistojnë dallime mes objektivave strategjike dhe strategjive të vendosura në këtë fushë. Gjithashtu, ka mungesa në plane taktike dhe operacionale, në përmbushje të këtyre objektivave strategjikë të miratuar me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe veprimet e ndërmarra nga drejtimi janë afatshkurtra, jokoherente dhe jo të bazuara në strategji afatgjata. Nga ana tjetër, marrëdhëniet e parregulluara formalisht midis strukturave brenda dhe në varësi të bashkisë ulin ndjeshëm efektivitetin e komunikimit dhe rrjedhimisht nuk garantojnë një proces efektiv në menaxhimin dhe monitorimin e këtij shërbimi”, thuhet në raport.

Propozimet

Për biletë një përdorimshme 30 lekë
Biletë pajtimi mujor për një linjë 900 lekë
Biletë pajtimi mujor 1200 lekë
Të parashikohen në buxhetin e Bashkisë kategoritë që përfitojnë subvencionim për udhëtim falas dhe këtyre kategorive t’i shtohen dhe nxënësit e arsimit të detyrueshëm parauniversitar

Artikulli paraprakPo hapen burgjet, lirohet Lul Berisha
Artikulli tjetërPD në qeveri, masa urgjente ndaj të varfërve