Po bëjnë gjithçka për të qëndruar në pushtet, Dibra u trondit nga kartelet e drogës

Analisti Fatos Lubonja ka reaguar në lidhje me rezultatin në zgjedhjet e Dibrës ndërsa e ka lidhur këtë rezultat me pushtetin e kartelit të drogës.
Ai ka deklaruar se Rama dhe njerëzit e tij po bëjnë gjithçka për të qendruar në pushtet. Lubonja ka renditur disa fakte se pse rezultati ishte kaq i thellë kundër PD.
Lubonja ka shtuar se politikanët tanë janë në gjendje të bëjnë gjithçka, të bashkëpunojnë dhe me qelbësirat e drogës, për të qëndruar në pushtet.
“Këto parti politike janë kthyer në banda. Në Dibër nuk është bërë asgjë. PD ka përgjegjësi për humbjen. Njerëzit nuk kanë krijuar besim te opozita. Diferencë e çuditshme, nga 400 në 4 mijë vota, duhet analizuar. Nuk kemi rritje besimi te qeverisja nga 2015 më 2016, përkundrazi kemi rënie besimi, largime masive. Ka një problem me rezultatin e zgjedhjeve.
Janë disa faktorë:
Jo vetëm kanabisi, një faktor është angazhimi qeveritar në të gjitha format. Elementi kryesor, blerja e votës. Janë edhe frika nga pushteti, ndrojtja, elementet e forta që kanë marrë pjesë aty. U përfshi dhe PDIU, kur ne e dimë që në Dibër nuk ka çamë. Ka diçka këtu, kush janë këto çamë?! Kur u bashkuan të gjitha qelbësirat për të rrëzuar Sali Berishën krimi u fuqizua. Paratë e drogës janë një instrument pushteti. Popullsia jeton me drogën atje. Dikush më foli për 200 persona që punojnë për drogën në Dibër, ku lazaratasit janë drejtues.
Përhapja e drogës nga Lazarati në gjithë Shqipërinë ka të bëjë me dështimin e qeverisë. Një i varfër nuk mund të mbjellë kanabis, se kushton fara. Këtu lind një dyshim i madh, që duhet hetuar nga Prokuroria. Kemi të bëjmë me një organizim, pra, krimi i organizuar ka shpërndarë tentakulat e veta në gjithë Shqipërinë. Kemi të bëjmë me politikanë që janë të gatshëm të bëjnë çdo gjë për të ndenjur në pushtet, ndaj dhe të bashkëpunojnë me qelbësirat nuk e quajnë për gjë. Dibra është tronditur nga ky rezultat, që vjen dhe nga kartelet e drogës”, shprehet Lubonja në analizën e tij.

Artikulli paraprakKërcënimi ndaj invalidit në Dibër: Na jep votën ose të hoqëm KEMPI-n
Artikulli tjetërDibra, kontrata me krimin, shtegu ku vendi po mbytet