Dibra, kontrata me krimin, shtegu ku vendi po mbytet

Eduard Halimi

PD i humbi zgjedhjet në Dibër edhe pse zyrtarisht përballë kishte një qeveri të zhytur në skandale, korrupsion dhe që nuk ka mbajtur asnjë premtim elektoral. Faktikisht përballë kishte një koalicion me kategori që kishin para: ‘shumë para’ në dispozicion: Personazhet e krimit, ata që Rama në 2013 kish lidhur kontratën, njerëz të dënuar për trafik ndërkombëtar drogë, me lidhje të forta me trafiqe. Krimi ka para, ka forcë, ka njohje, dhe kur lidhet me pushtetin bëhet edhe më i fortë. Krimi në oborin e politikës është vrastar për zgjedhjet. Struktura e krimit është më e fortë se ajo e Partisë, më e organizuar. Komponenti tjetër ishin njerëzit e Ramës, deputetë që kishin fituar miliona me tendera të dhëna personalisht nga Rama. Të dy llojet të përzier në një. Me një financues, Ramën, me një mbështetës, Ramën. Me një njeri që i kish dhënë pushtet e pasuri nga qytetarët: Edi Ramën personalisht. Ata e ndihmuan Ramën kur ishte në opozitë me paratë e krimit dhe Rama ua ktheu me pushtet, diku duke dhënë tendera dhe diku duke i dhënë pushtet e duke mbyllur njërin sy kur kapeshin ata apo vëllezërit e tyre në makina me drogë. Tre vjet më pas u rikthyen në Dibër. Asgjë nuk i gjeti, as nga thirrjet e ndërkombëtarëve dhe as ato të opozitës. Janë aty në karige po aq të fortë edhe pas miratimit të ligjit të dekriminalizimit. Në këtë vend të jesh kriminel, të nderojnë, të japin poste, të marrësh tendera si deputet bëhesh udhëheqës. Këtu nuk të hyn gjemb në këmbë.
I pate fitimtarët në sallën e numërimit? I njihni ato personazhe? Ata fituan dhe po gëzojnë të gjithë, se nuk i hyn gjemb në këmbë. Kjo është Shqipëria! Cila është zgjidhja? Si mund të mposhten banditët e veshur me kontratën e krimit? Me banditë më të fortë? Të bëjë ‎edhe Basha kontratë me krimin siç bëri Rama në 2013? Të gjejë edhe ai disa banditë, t’i bëjë deputetë dhe të mposhtë banditët e Ramës?‎ Jo. Absolutisht JO.
Pervoja ka treguar ‎ se në ato vende ku krimi me politikën janë bërë një, vendi mbytet, varfëria shtohet, krimi merr kontroll gjithçka. Askush nuk ia ka dalë, nga vendet afër nesh e deri në Kolumbi e Meksikë po të doni. Kontrata me krimin është kontrata më vrastare për zgjedhjet, ekonominë, sigurinë, vendin, të ardhmen.
Dibra tregoi se vendi po shk‎on drejt një shtegu që po mbytet, po mbytet. Shpëtimi është shkatërimi i kontratës me krimin, pa kompromis, pa asnjë dyzim. Dekriminalizim pa asnjë kompromis, dekusarizim pa asnjë kompromis. Largim të krimit dhe kusarëve pa asnjë hezitim nga politika.
Beteja me krimin në politikë është më e vështira, dhe si çdo betejë ka sakrificat e veta. Këto sakrifica duhen bërë tani, nëse nuk bëhet dekriminalizimi dhe dekusarizimi i Parlamentit, nëse nuk zgjidhet kontrata e krimit dhe kusarizimit, Dibra do jetë shembulli sesi vendi po shkon drejt një shtegu që po mbytet. Këtë duhet të bëjë Basha: të largojë kriminelët nga politika, të prishë kontratën me krimin që po mbyt vendin dhe dekusarizojë Parlamentin për të prerë burimin e parave të pista. Kjo është beteja që duhet të bëjë Basha, dhe duhet ta fillojë sa më shpejt. Kontrata me krimin është problemi më i madh, ajo duhet zgjidhur dhe unë kam besim se Basha do e fitojë këtë betejë se ka mësuar kaq shumë nga humbja në Dibër. Betejën për largimin e krimit në politikë dhe oligarkëve nga politika Basha do e fitojë, me sado sakrifica dhe do e fitojë shpejt.

Artikulli paraprakPo bëjnë gjithçka për të qëndruar në pushtet, Dibra u trondit nga kartelet e drogës
Artikulli tjetërBanda shqiptare e drogës, kapen 200 kg kokainë në Amsterdam