Plehrat italiane mësyjnë në Portin e Durrësit

Dogana italiane e Barit në bashkëpunim me Rojen Italiane të Financës sekuestroi një kamion me tetë ton plehra ndotëse të deklaruara si pjesë këmbimi të përdorura për automjete. Në kamionin e vendosur nën sekuestro kishte parakolpe mjetesh në gjendje shumë të keqe teknike, bateri të dala jashtë përdorimit, kabllo elektrike, amortizatorë me vaj hidraulik ndotës, pompa, frena dhe airbegë të përdorur.
Sipas ligjit italian, këto pjesë këmbimi konsiderohen plehra ndotëse, nëse nuk janë bonifikuar paraprakisht dhe nuk u janë hequr vajrat problematike, duke u demontuar në impiante demontimi sipas normave ligjore.
Malli (plehrat ndotëse) dhe mjeti u sekuestruan. Përfaqësuesi ligjor i kompanisë, që do i eksportonte këto plehra nga Bari drejt Durrësit, u kallëzua penalisht për trafik plehrash ndotëse dhe deklarim fals për bonifikimin (çndotjen e plehrave të tilla).
Mazhoranca ka muaj, që po tenton të kalojë një ligj në Parlament për importimin e plehrave me sebepin e përdorimit të tyre si lëndë e parë për industrinë shqiptare të riciklimit. Ky trafik plehrash ndotëse në Portin e Barit, që dështoi për shkak të vigjilencës së doganës italiane, duhet t’u hapë sytë shqiptarëve. Bashkëatdhetarët e mi duhet të kuptojnë se çfarë “lëndësh të para” për industrinë ricikluese do të vërshojnë nëpërmjet Portit të Durrësit, duke “përmbytur” Shqipërinë, duke ndotur mjedisin dhe duke shkatërruar shëndetin e shqiptarëve të ngratë.

Artikulli paraprakDrogë, armë dhe granata nga Shqipëria në Greqi
Artikulli tjetërGrevistët e Zharrëzit në gjendje të rëndë, banorët bllokojnë rrugën Fier-Berat