Drogë, armë dhe granata nga Shqipëria në Greqi

Policia e Selanikut sekuestroi dje drogë dhe armë të futur nga Shqipëria si dhe vuri në pranga një 23-vjeçar shqiptar që konsiderohet si një pjesëtar i rëndësishëm i një grupi kriminal. Policia sekuestroi mbi 6 kg lëndë narkotike kanabis sativa. Krahas lëndës narkotike, shqiptari mbante në makinën e tij edhe municione, kallashnikovë, pistoleta dhe granatë. Lëndën narkotike, shqiptari e kishte fshehur në gomën e automjetit.
Policia greke e konsideron shqiptarin si kreun e një bande që merrej me trafikun e sasive të mëdha të kanabisit brenda territorit grek. Hetimet kanë zbuluar se ai kishte rolin kryesor në marrjen, zotërimin, ruajtjen dhe shpërndarjen e drogës.
Arrestimi i tij u bë mesditën e të martës në zonën e epërme të qytetit të Selanikut. Përveç lëndës narkotike dhe armëve, policia ka sekuestruar edhe telefonat celularë, automjetin e përdorur për transportin e drogës, 120 euro. Dosja për të riun është dërguar pranë Prokurorisë së Selanikut.
Po ashtu, policia greke ka shkatërruar një bandë të prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike në Athinë. Sipas mediave greke operacioni është zhvilluar në zonën e Keratea të Athinës, ndërsa në pranga kanë rënë 6 persona, mes të cilëve 2 shqiptarë 21 e 19 vjeç dhe 4 shtetas të komunitetit rom.
Policia greke gjeti të groposur në oborrin e banesës të një prej të arrestuarave 65 kilogram heroinë dhe 113 kilogram përzierës. Gjithashtu policia greke gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale armë zjarri, telefona, fishekë të ndryshëm dhe një sasi parash.
Dyshohet se “koka” e grupit është një shqiptar 32-vjeçar për të cilin policia greke po punon për kapjen e tij dhe vendosjen para drejtësisë. Gjithashtu kanë nisur hetimet edhe për persona të tjerë të përfshirë në organizatën kriminale.

Artikulli paraprakVritet emigranti në Pogradec, pellg gjaku e dëmtime në kokë
Artikulli tjetërPlehrat italiane mësyjnë në Portin e Durrësit