Plazhi i Godullës bekim i natyrës, peng i paaftësisë!

Nga Elton LASKA

Vetëm 2 kilometra nga qyteti i Mamurrasit ndodhet plazhi i Godullës, një dhuratë bujare që natyra ia ka dhënë Kurbinit, por që njeriu me paaftësinë dhe neglizhencën e tij, e ka masakruar.
Segmenti rrugor që lidh Fushë -Mamurrasin me Gotullën, është lënë në mëshirë të fatit, ndërsa ky plazh, bndër më të bukurit në Ballkan, është kthyer në një vendgrumbullim mbetjesh urbane.
Pak vite më parë, u hartua dhe u zbatua nga ndërkombëtarët një projekt për ta pastruar plazhin nga mbetjet që shkarkoheshin aty nga lumenjtë.
Nisi implimentimi i projektit dhe rezultatet ishin të mahnitshme, por nuk zgjati shumë, pasi pushteti vendor refuzoi të paguante punonjës që do kujdeseshin me makineritë që bënin përpunimin e mbetjeve.
Sot, plazhi i Godullës është rikthyer në një vendgrumbullim mbetjesh urbane dhe spitalore, duke krijuar një masakër ekologjike, teksa duhej të ishte një nga TOP destinacionet turistike të Shqipërisë, për shkak të pamjes magjepsëse, ku ndërthuren në mënyrën më harmonike të mundshme kodrinat dhe deti, ajri i pastër dhe rëra kurative.
Do mjaftonte vetëm ndërtimi i një rruge me parametra bashkëkohorë, që investitorët nga mbarë Ballkani të dyndeshin në këtë destinacion, për të ngritur resorte turistike.

Kjo do pasohej me hapjen e mijëra vendeve të reja të punës në sektorin e hoteleri – turizmit dhe do ishin një zinxhir biznesesh në Kurbin, që do të përfitonin nga zhvillimi i turizmit në këtë plazh.
Ndonëse dëmi i shkaktuar nga neglizhenca është i jashtëzakonshëm, mundësitë dhe shpresat që ky plazh përrallor të rikthehet në identitet, nuk janë shuar.
Duhet vetëm këmbëngulje dhe një projekt ambicioz, ngritja e një grupi pune, që të ushtrojë “presion” tek pushteti lokal dhe ai qëndror, për akordimin e një fondi për rikonstruksionin e rrugës me parametra bashkëkohorë, promovimi në mediat vendase dhe të huaja i këtij destinacioni dhe bindja e investitorëve të huaj për potencialin që ka ky plazh.
Ministria e Mjedisit dhe Turizmit urgjentisht duhet të kthejë vëmendjen nga Kurbini, që është një trevë që ka potenciale të jashtëzakonshme për zhvillimin e turizmit në të katër stinët e vitit.

11 5

Artikulli paraprak50 provat e Prokurorisë që çojnë në burg Tahirin
Artikulli tjetërJo vetëm të poshtër, por edhe qesharakë! Drejtori i Policisë së Tiranës u shkarkua para 3 ditësh, Lleshi e deklaron si masë për dhunën te “Petro Nini”