Plani i Tillerson me Korenë

Austin Bay

Kërcënimi që përfaqëson Korea e Veriut për paqen në Azinë Lindore fillon nga një fakt i thjeshtë: Lufta koreane nuk ka përfunduar asnjëherë. Vija ushtarake e demarkacionit që Kombet e Bashkuara përdorën për të vendosur paqen nuk krijon demarkacionin e vërtetë dhe ligjor të kufijve politikë ndërmjet Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut. Kjo vijë shërben vetëm për të bërë ndarjen e zonës së demilitarizuar që ndan ky ushtritë nga njëra-tjetra, përmes një marrëveshjeje të dobët armëpushimi të arritur në vitin 1953.
Lufta koreane nuk i përket aspak të shkuarës. Është një makth i ndërlikuar gjeopolitik i së tashmes. Regjimi komunist i familjes Kim në Korenë e Veriut është ai që krijon këtë makth dhe shfrytëzon ekonomikisht e politikisht frikën që gjeneron nxehja potenciale e konfliktit. Diktatura Kim ka krijuar bindjen se përmes kërcënimit të nxitjes së një tjetër lufte konvencionale me Korenë e Jugut dhe aleatët e saj, mund të arrijë të përfitojë çdo gjë që dëshiron.
Historia ka treguar se gjatë viteve, regjimi i Koresë së Veriut ka qenë përgjegjëse për të gjitha rastet e dobësimit të marrëveshjes së armëpushimit. Dinastia Kim përdor gjithashtu teknikat e atentateve dhe terrorit për të vrarë armiqtë (realë apo imagjinarë) në të gjithë botën. Azia Lindore është një nga rajonet më produktive të botës. Seuli, Tokio dhe Shangai janë motorët ekonomikë të saj. “Lufta e përmbajtur” e dinastisë Kim kërcënon të dëmtojë këto kontribues multi miliarda dollarësh të GDP-së globale. Për shembull, Kina beson se lufta në gadishullin korean do të shkaktonte një valë prej miliona refugjatësh në Kinën Veriore. Lufta e përmbajtur rrezikon gjithashtu të shkaktojë një luftë multipolare që mund të përhapet përtej kufijve të Azisë Lindore.
Përse? Shpjegimi lidhet me dy qëllimet bazë të dinastisë Kim. Komunistët paranojakë të Penjanit vazhdojnë të besojnë se mund të arrijnë objektivin e tyre të vitit 1950: unifikimin e Koresë nën kontrollin e Partisë Komuniste koreane. Ata kanë arritur gjithashtu në konkluzionin se për të ruajtur kontrollin mbi shtetin e Koresë së Veriut, duhet të mbajnë vazhdimisht gjallë gjendjen e luftës. Kim Il Sung dhe pasardhësi tij, Kim Jong Il dhe më pas Kim Jon Un kanë ndjekur të njëjtën strategji provokative.
Dinastia Kim nuk kërcënon se do të vdesë duke luftuar, por vazhdon ta provokojë luftën vazhdimisht, duke u tërhequr në momentin e duhur. Për një çmim të caktuar që mund të jetë herë ndihmë monetare, ushqim apo naftë e gaz, regjimi mund të jetë i gatshëm të frenojë veten dhe ta zbusë retorikën e dhunshme – deri në episodin tjetër. Tani, episodet e tjera të Koresë së Veriut janë kryesisht testime të raketave balistike dhe pajisjeve bërthamore.
Në vitin 2011, Korea e Veriut nisi programin e përshpejtuar të raketave balistike. Që atëherë, ka zhvilluar mbi 30 testime reale dhe të gjithë testimet ndiqnin një skenar të caktuar. Korea e Veriut lëshonte kërcënime retorike dhe më pas lëshonte një raketë. Testi i zhvilluar në gusht të vitit 2016 pasqyroi pa dyshim përmirësim të ndjeshëm të kapacitetit të mëparshëm. Pasi udhëtoi për 1 mijë kilometra, raketa u përplas në Detin e Japonisë, brenda zonës ekonomike ekskluzive të Japonisë. A ishte një kërcënim real? Jo, por raketa koreane kishte shkelur zyrtarisht sovranitetin e Japonisë.

“Kërcënim i pashmangshëm”
Më 17 mars në Seul, pasi kishte vizituar zonën e demilitarizimit, sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson përshkroi shkurtimisht pozicionin e evoluar të Amerikës mbi çështjen e Koresë së Veriut duke thënë: “Më lini të qartësoj diçka: politika e durimit strategjik ka përfunduar. Jemi duke shfrytëzuar tashmë një sërë masash të tjera diplomatike, të sigurisë dhe ekonomike. Të gjitha mundësitë janë vënë tashmë në tavolinë”.
Të gjitha mundësitë të përmendura nga sekretari i Shtetit përfshijnë edhe përvetësimin e mundshëm të kapacitetit bërthamor për Korenë e Jugut dhe Japoninë. Japonia dhe Korea e Jugut madje kanë filluar tashmë të investojnë në sisteme të mbrojtjes kundër raketave balistike.
Një ditë më pas, gjatë një interviste për “Independent Journal Review”, Tillerson tha: “Objektivi ynë është çarmatimi bërthamor i gadishullit të Koresë. Çarmatimi i gadishullit të Koresë eliminon çdo nevojë për armatimin bërthamor të Japonisë. E themi me bindje se të gjitha mundësitë janë vendosur në tavolinë, por nuk mund të parashikojmë të ardhmen. Mendojmë se është e rëndësishme që të gjithë në rajon të kuptojnë mirë rrethanat që mund të evoluojnë deri në pikën që, për hir të sigurisë së përbashkët, do të duhet ta pranojmë edhe këtë. Megjithatë, siç kam thënë edhe më parë, ka shumë hapa të tjerë dhe do të kalojë shumë kohë përpara se të na duhet vërtet të marrim një vendim të tillë”.
Kur intervistuesi e pyeti me ngulm se si do të procedohej me Korenë e Veriut, Tillerson shtoi: “Nuk jemi të sigurt nëse mund të arrijmë t’i bindim. Nëse vazhdojnë në këtë rrugë, atëherë jemi të gjithë në një pozicion që nuk na pëlqen aspak. Nëse vazhdojnë testimet e tyre dhe përpjekjet për të rritur kapacitetin bërthamor, atëherë do të gjejmë veten në një pozicion më të rrezikshëm se sot”.
Transkripti i intervistës së sekretarit të Shtetit tregon se Tillerson ka përdorur fjalën “e pashmangshme” të paktën katër herë, duke folur për “rrethana të pashmangshme” dhe “kërcënim të pashmangshëm”. Ky është një term që në politikë përdoret për situata tepër të rrezikshme, për shembull në lidhje me Irakun, kjo fjalë vazhdon të nxisë debate të nxehta. Administrata Bush nuk e ka përdorur asnjëherë fjalën “e pashmangshme” për të përshkruar përdorimin potencial të armëve të shkatërrimit në masë nga ana e Saddam Husseinit edhe pse kërcënimi ishte realisht urgjent.
Saddami kishte përdorur edhe më parë armë të shkatërrimit në masë dhe forcat e tij përdorën armë kimike kundër ushtarëve iranianë dhe rebelëve kurdë. Armët e shkatërrimit në masë ishin pa dyshim një pjesë thelbësore e profilit të kërcënimit të Saddamit. “E pashmangshme” pra është një fjalë e rëndësishme. Në vitin 2002, administrata Bush argumentoi se ngjarja tragjike e 11 shtatorit kërkonte rishqyrtimin dhe përkufizimin e termit ligjor ndërkombëtar të “kërcënimit të pashmangshëm” për kundërshtarët e shekullit 21.
Mosveprimi, veçanërisht kur kundërshtarët kanë armë të shkatërrimit në masë, përbën një rrezik të madh. Mosveprimi kur kundërshtari është një terrorist me armë të shkatërrimit në masë përmban rreziqe të papranueshme.
Ndryshe nga administrata Bush, administrata Trump ka përdorur qëllimisht fjalën e “pashmangshme” dhe sekretari amerikan i Shtetit, Tillerson, e ka përsëritur disa herë. Diplomatët e dinë mirë se fjala është zgjedhur qëllimisht për të përçuar një mesazh të fuqishëm kundrejt Koresë së Veriut.
Më 13 shkurt, një ditë pas lëshimit të Pukgukson-2, vrasësit në Malajzi vranë vëllain e Kim Jong Un, Kim Jong Na. Skuadra e vrasësve u sulmua në aeroportin Kuala Lampur në mes të kamerave. Raportimet e mediave koreane thanë se tradhtarët e Koresë së Veriut i kishin kërkuar vazhdimisht Jong Namit që të sfidonte vëllain e tij Jong Un. Një grup tradhtarësh madje thuhej se i kishte kërkuar atij ta drejtonte qeverinë në ekzil, por Jong Nam e refuzoi ofertën. Edhe pse ai kishte mbështetur reformat në Korenë e Veriut, Jong Nam thuhej se e mbështeste shumë vëllain e tij.
Megjithatë, Kim Jong Un vendosi se vëllai i tij përfaqësonte një rrezik të madh për regjimin dhe vendosi ta vrasë. Vrasësit kishin sprucuar një agjent nervor VX në fytyrën e tij. Kur agjenti VX vendoset në kokën e raketave apo bombave të ndryshe, mund të kthehet në një armë të shkatërrimit në masë, arma kimike më vdekjeprurëse e prodhuar ndonjëherë.
A është lufta me Korenë e Veriut si një grackë e fshehur? Po. Kështu ka qenë që pas sulmit surprizë kundër Kim Il Sung në vitin 1950. Me Kim Jong Un në pushtet, çdo incident i papërfillshëm mund të marrë përmasa të paparashikuara dhe administrata e presidentit Trump e ka kuptuar mirë këtë.
Strategjia aktuale është të shtyjë Kinën drejt bashkëpunimit. Është e sigurt që Pekini është shokuar kur ka dëgjuar sekretarin Tillerson të flasë për armatimin bërthamor të mundshëm të Koresë së Jugut dhe Japonisë, dhe kjo ishte ideja. Kina e konsideron prej kohësh prezencën ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Japoni si një përpjekje për të ringjallur ushtrinë japoneze.
Japonia nga ana e saj nuk i do armët bërthamore dhe Kina pa dyshim nuk do që Japonia të ketë kapacitetin më të vogël bërthamor. Megjithatë, programi bërthamor i dinastisë Kim dhe testet raketore të regjimit që nuk duket se do të ndalen, përbëjnë kërcënim për të gjithë. Kina duhet të ushtrojë presion të vendosur kundër regjimit të Koresë së Veriut, një presion i mjaftueshëm për t’i dhënë fund programit bërthamor.
Kina mund të prodhojë një mrekulli të vërtetë diplomatike dhe të bindë Kim Jong Un që ndërpreja e programit është mënyra e vetme që regjimi i tij të mbijetojë. Kjo mrekulli diplomatike mund të meritonte Çmimin Nobel për Paqen. Kina mund të ketë edhe aftësinë për të nxitur ushtrinë e Koresë së Veriut që të drejtojë “ndryshim të regjimit nga brenda vendit”.
Kjo është ndoshta frika më e madhe e Kim Jong Un, madje thuhet se vëllai i tij Kim Jong Nam kishte shumë miq në Kinë. Nëse Kina nuk arrin dot të ushtrojë presionin e nevojshëm ose refuzon ta bëjë. Atëherë kërcënimi për luftë të intensitetit të lartë me qëllim shkatërrimin e dinastisë Kim do të bëhet vërtet i pashmangshëm. Në rast se shpërthen faza e fundit e luftës koreane, ajo nuk do të kufizohet vetëm në gadishull. Nëse armët bërthamore lëshohen, viktimat do të jenë të panumërta. Ashtu siç tha edhe sekretari Tillerson: “…jemi të gjithë në një pozicion që nuk na pëlqen aspak”.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakKështu Europa ia fali borxhet Gjermanisë
Artikulli tjetërAleanca e Sorosit kundër lirisë amerikane