Planet e Trump për samitin e NATO-s

Presidenti amerikan, Donald Trump, planifikon të marrë pjesë në samitin e NATO-s më 25 maj në Bruksel.
Në kumtesën e djeshme, Shtëpia e Bardhë tha se Trump me kënaqësi e pret “takimin me kolegët e tij në NATO për ta riafirmuar përkushtimin tonë të fuqishëm për NATO-n”.
U tha se ai, po ashtu, planifikon të “diskutoj çështje kritike për aleancën, veçanërisht përgjegjësitë e përbashkëta të aleatëve dhe rolin e NATO-s në luftën kundër terrorizmit”.
Zoti Trump pat shkaktuar shqetësim gjatë fushatës presidenciale amerikane pasi NATO-n e quajti të vjetëruar.
Prej asaj kohe, ai është shprehur se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për NATO-n, por ka bërë presion të fuqishëm që anëtarët e tjerë të aleancës ushtarake veriatlantike me 28 anëtarë, t’i shtojnë shpenzimet, duke thënë se shumë prej tyre nuk po e paguajnë në mënyrë korrekte pjesën e tyre.
Në kumtesën e djeshme, po ashtu, theksohet se Trump do të takohet me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në Shtëpinë e Bardhë, më 12 prill.

Artikulli paraprak22 marsi ’92, dita e parë e lirisë
Artikulli tjetërTerroristët e rinj të Greqisë