Pjesëtarë të grushtit të shtetit në Turqi, fshihen në Shqipëri!

Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla deklaroi dje se, persona pjesëmarrës në grushtin e shtetit në Turqi fshihen në Shqipëri. Duke folur në Konferencën Ndërkombëtare të Prokurorëve të Përgjithshëm të rajonit e më gjerë, Llalla tha se, kanë nisur hetimet për këtë çështje. Kryeprokuroi Llalla tha më tej se, të dhënat janë paraprake dhe po bëhet verifikimi i tyre në kuadër të bashkëpunimit me palën turke.
“Shqetësimi kryesor i qeverisë turke aktualisht është hetimi i rasteve të ngjarjeve të vitit të kaluar. Prokuroria turke kërkoi bashkëpunim të mëtejshëm me strukturat e Prokurorisë shqiptare për të vënë në dispozicion hetimet në rastet që ata dyshojnë se elementë të përfshirë në këtë grusht shteti mund të fshihen edhe në Shqipëri. Këto janë në proces hetimi, të dhënat janë paraprake, pritet verifikimi i tyre në kuadër të bashkëpunimit do të vlerësohet, do të vihen në dispozicion të medias apo do të kalojnë direkt në autoritetet përkatëse”, u shpreh Llalla.
– A ka dyshime se ka persona të tillë në Shqipëri?
Llalla: Dyshimet janë se po. Dyshimet e autoriteteve turke janë se autorët e këtyre veprave penale të këtij grushti shteti mund të jenë edhe persona që fshihen pas bizneseve.
– A ka sjellë emra konkretë prokurori turk?
Llalla: Nuk mund të bëhen publike që në këtë fazë. Të dhënat janë të plota, pritet vetëm verifikimi nga ana jonë. Në varësi të të dhënave që na vihen në dispozicion nga autoritetet turke ne do të kryejmë hetime brenda kapaciteteve që kemi, pra brenda atyre hapësirave që ligji shqiptar i lejon.
Deklarata e kryeprokurorit vjen pak ditë pas takimit me prokurorin e Përgjithshëm të Republikës së Turqisë, Mehmet Akarca, i cili kërkoi bashkëpunimin e autoriteteve shqiptare për hetimin e disa prej personave të përfshirë në ngjarjet e 15 korrikut 2016 në Turqi, për të cilët institucionet ligjzbatuese turke kanë dyshime se strehohen në Shqipëri.
Në lidhje me sulmet kibernetike, kryeprokurori u shpreh se, Shqipëria ka staf të trajnuar në Perëndim për të paraprirë një situatë të tillë. Llalla tha se në Shqipëri deri tani nuk ka asnjë dyshim për sulme terroriste si ato që ndodhën ditën e hënë në Mançester. Pavarësisht kësaj, tha Llalla, strukturat e shtetit janë të angazhuara për mbledhjen e informacioneve.
“Nga të dhënat e deritanishme të autoriteteve shqiptare nuk ka dyshime për ngjarje të tilla në vendin tonë. Gjithsesi të gjithë strukturat e shtetit janë të angazhuar për të mbledhur informacione në kuadër të këtij rreziku që tani është shpërndarë në gjithë botën”, u shpreh Llalla.
Kryeprokurori tha se, krimet kibernetike janë shqetësim për të gjithë botën, ashtu edhe për vendin tonë. “Më të prekur janë bizneset, individët, jeta personale e personave të ndryshëm. Prokuroria ka ngritur strukturat e saj të specializuara si në Prokurorinë qendrore, në disa prokurori të vendit, stafet tona janë të përgatitur, të trajnuar në vende të ndryshme të Perëndimit, besoj se kemi kapacitetet e duhura për t’i paraprirë kësaj situate”, deklaroi Llalla.
Prokurori i Përgjithshëm tha gjithashtu se, lista e deputetëve të PS ishte pastruar nga Prokuroria, para se të bëhej publike. “Rama na e solli paraprakisht listën dhe ne kostatuam që disa persona prekeshin nga ligji i dekriminalizimit. Këto individë kemi konstatuar se nuk janë përfshirë në listën përfundimtare të kandidatëve” u shpreh kryeprokurori, i pyetur nga gazetarët. Llalla nuk dha emra konkretë se kush ishin kandidatët për deputetë që u pastruan nga verifikimi i Prokurorisë.

R.POLISI

Artikulli paraprakGrabiten 2 milionë lekë në një “Exchange” në Tiranë
Artikulli tjetërKreu i Antimafias: Bashkëpunim për drogën, pas ikjes së Tahirit