Pista Tahiri në vrasjen e ish-komisarit Dalipaj

Një tjetër ish-komisar policie u ekzekutua dje në një atentat në Durrës. Ervin Dalipaj, 38 vjeç, ish-shef i Krimit Ekonomik në Policinë e Tiranës u vra bashkë me të riun Juxhin Dauti, 26 vjeç, të cilët po udhëtonin në makinën tip “Audi” me targa QQ 111 OI. Krimi i rëndë ka ndodhur mesditën e djeshme rreth orës 13:50 në autostradën Tiranë-Durrës. Sipas burimeve, dy viktimat ishin duke udhëtuar me makinë në drejtim të Sukthit në momentin kur janë qëlluar për vdekje nga një makinë tjetër.
Burimet nga vendi i ngjarjes bënë të ditur se, të dyja makinat lëviznin me shpejtësi të lartë në rrugën e vjetër Tiranë-Durrës, ndërsa atentatorët qëllonin me breshëri kallashnikovi në drejtim të Dalipajt. Në një çast, makinat kanë qenë të vendosura paralel me njëra-tjetrën. Në përpjekje për t’iu shmangur, “Audi” i Dalipajt përfundoi më shumë se 50 metra poshtë në autostradë.
Makina është qëlluar me breshëri kallashnikovi, ndërsa gjurmët e plumbave janë të dukshme në pjesën e përparme dhe sidomos në pjesën e shoferit. Si pasojë e shpejtësisë së lartë dhe të shtënave pa pushim, automjeti ka përfunduar në autostradë tejet i dëmtuar, madje i kanë dalë edhe gomat. Sipas burimeve të policisë, Dalipaj dhe Dauti kanë mbetur të vdekur në vend.
Dëshmitar në vendngjarje, që kanë parë të gjithë skenën kanë treguar se, makina e zezë e atentatorëve është larguar në drejtim të Shijakut. Policia ka shkruar në vendngjarje dhe ka mbledhur gëzhojat e plumbave, ndërsa autorët janë larguar në drejtim të paditur.

Atentati mafioz

Atentati ndaj Dalipajt dhe Dautajt ndodhi në rrugën dytësore Sukth-Maminas pranë kryqëzimit, në një zonë të “populluar” nga dhjetëra biznese, të gjitha të pajisura me kamera sigurie. Makina e tyre është shënjestruar nga përballë. Plumbat kanë depërtuar tej për tej xhamit të parë dhe i pari ka vdekur në vend shoferi. Më pas, Dalipaj i cili ishte pasagjer. Mendohet që atentatorët kanë qenë dy vetë me një makinë të zezë. Ata u kanë prerë rrugën shënjestrës dhe nuk gabuan.
Ekzekutimi ka qenë i organizuar në përsosmëri. Policia shkoi në vendin e ngjarjes, por nuk zbuloi asnjë shenjë nga makina e autorëve. Kurse ajo me viktimat nga rruga dytësore gati kishte përfunduar në autostradë.
Atentati mafioz u servir nga mediat e qeverisë si një larje hesapesh për vrasjen e Gazmend Çollakut para një viti në Durrës, ku nën akuzë është Denis Shtraza. Vetë Dalipaj e ka mohuar të ketë pasur gisht në këtë vrasje në një intervistë për “News 24”.
Dalipaj në karrierën e tij në polici ka mbajtur postin e shefit të Hetimit të Krimeve të Elbasanit dhe Komisariatit Nr.4 në Tiranë. Po ashtu, ai ka mbajtur edhe funksione të ndryshme në Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm, përpara se të emërohej në detyrën e Shefit të Hetimit të Krimit Ekonomik dhe Financiar në Tiranë. Këtë funksion e mbajti deri në dhjetor të vitit 2013, kur mbante gradën Komisar. Dalipaj u përjashtua nga policia me urdhër të ish-ministrit Tahiri.

Familjarët e Dalipajt, lot, britma dhe dhimbje

Lot, britma dhe dëshmi të dhimbshme janë ato të familjarëve që kanë shkuar në morgun e Durrësit, për të tërhequr trupat e dy shokëve, Ervin Dalipaj, ish-shefi i Krimit Ekonomik në Tiranë dhe Juxhin Dauti, që u ekzekutuan me mbi 50 plumba teksa udhëtonin bashkë në një makinë. Trupin e Dalipajt kish shkuar ta tërhiqte kushëriri i tij i parë, djali i xhaxhait, Luan Dalipaj, që më shumë se fjalë, nxirrte lot.
I shokuar për ngjarjen e rëndë, ai ishte në ambientet e morgut me bashkëshorten, ndërsa ka shkëmbyer ngushëllime me familjarët e Juxhin Dautit, me të cilët njiheshin. Në gjendje të dëshpëruar, në pamundësi për të thënë shumë fjalë, ai tregon edhe herën e fundit kur është takuar me kushëririn e tij. “Hera e fundit që e kam takuar ishte kur ishte shef policie, pastaj nuk e kam parë më”, thotë ai dhe shpërthen në lot.
Përveç kësaj, Luani na tregon edhe disa detaje nga jeta e ish-shefit të Krimit Ekonomik. “Ishte baba i një vajze 7-vjeçare, e cila bashkë me nënën e saj ishin detyruar të jetonin në Elbasan, në familjen e gjyshërve që kur Dautaj mori arratinë”, shprehet ai për mediat.

Ekspertiza, 20 plumba në trupin e Dalipajt

Ekspertiza mjeko-ligjore për vrasjen e Ervin Dalipajt ka zbuluar se, në trupin e tij janë gjetur 20 plumba kallashnikovi. Pjesa më e madhe e tyre në kokë dhe kraharor. Drejt makinës “Audi” të ish-drejtorit të Krimit Ekonomik në Tiranë janë qëlluar plot 50 plumba. Në vendin e shoferit, që mendohet se ka qenë Dalipaj, është derdhur edhe pjesa më e madhe e plumbave.
Makina ka rrëshkitur nga një lartësi rreth 20 metra në autostradën Tiranë-Durrës. Si Dalipaj edhe pasagjeri, Juxhin Dauti kanë mbetur të vdekur në vend. Mësohet se atentatorët lëviznin me një makinë tip “Volkswagen Passat” të zezë dhe pas ngjarjes janë larguar në drejtim të Shijakut.
Policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes, dhe shpresat më të mëdha lidhen me faktin se zona ku ndodhi ngjarja e rëndë është e “populluar” nga biznese të shumta me kamera sigurie. Edhe miku i Dalipajt, pasagjer në makinë, ka qenë i akuzuar për një vrasje të para dy viteve në Vlorë, por ka rezultuar i pafajshëm. Dalipaj ka qenë në arrati që prej janarit të vitit të kaluar, pasi u akuzua atë periudhë për rrëmbimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut.

Kush fshihet pas vrasjes së ish-shefit të Krimit Ekonomik në Polici?

Atentati mafioz ku mbeti i vrarë ish-shefi i policisë, Ervin Dalipaj u server nga mediat e kapura të qeverisë si “një larje hesapesh” për vrasjen e Gazmend Çollakut para para një viti në Durrës. Nën akuzë për këtë vrasje është Denis Shtraza dhe Ervin Dalipaj, por vetë Dalipaj e ka mohuar të ketë pasur gisht në vrasjen e Çollakut. Në një intervistë për “News-24”, 38-vjeçari mohoi se kishte lidhje me ngjarjen, duke i cilësuar akuzat të fabrikuara nga Policia e Shtetit.
Ajo që nuk thuhet në këto media të kapura të qeverisë është një tjetër detaj. Dalipaj ka qenë shefi i Krimit Ekonomik në Policinë e Tiranës dhe ka arrestuar babain e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, Bashkim Tahiri, për kontrabandë ilaçesh. Kjo pistë duhet hetuar, sepse gjurmët e këtij krimi mund të jenë politike.
Ervin Dalipaj nuk është emër i panjohur. Dalipaj ka mbajtur për një vit e gjysëm funksionin e shefit të Krimit Ekonomik të Policisë së Tiranës në vitin 2012-2013, si dhe të shefit të Krimeve në Komisariatin Nr.4 deri në tetor 2013.
Asokohe u shkarkua nga Saimir Tahiri, pasi sipas tij kishte shkelur urdhërin për aksionin për sekuestrimin e lojërave të fatit. Në fakt, shkarkimi i tij u cilësua si një hakmarrje e Tahirit, sepse kishte arrestuar edhe babain e tij, Bashkim Tahiri për kontrabandë ilaçesh.
Nga viti 2013 e në vazhdim, Dalipaj nuk ka punuar në polici dhe e ka akuzuar se është pushuar nga puna për motive politike. Por në vitin 2016, ai u shpall në kërkim nga policia. Prokuroria ngriti ndaj tij akuzën e rrëmbimit dhe vrasjes. Madje, aktualisht po gjykohej në mungesë nga Krimet e Rënda. Dalipaj bashkë me Denis Shtrazën akuzohen për rrëmbimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut në 6 janar të 2016 në Durrës.
Ervin Dalipaj u shfaq për herë të fundit në një intervistë në datën 30 janar 2016, 24 ditë pas vrasjes së Gazmend Çollakut. 38-vjeçari në atë intervistë mohoi se kishte lidhje me ngjarjen, duke i cilësuar akuzat të fabrikuara nga Policia e Shtetit.

Kush është viktima tjetër e atentatit, Juxhin Duati

Viktima tjetër e atentatit në autostradën Tiranë-Durrës është Juxhin Dauti. Juxhin Dauti është akuzuar më herët për vrasjen e Fatjon Banit, ish-kampion i bilardos në Vlorë, ngjarje për të cilën u shpall i pafajshëm. Ngjarja ndodhi rreth orës 19:30 të 17 marsit 2012 në Vlorë.
31-vjeçari Fatjon Bani u ekzekutua me tre plumba në trup, teksa lëvizte me makinën e tij në lagjen “Pavarësia” dhe konkretisht në afërsi të godinës së repartit të zjarrfikësve. Për ngjarjen u dyshua si autor, shoku i tij, Juxhin Dauti, 22 vjeç në atë kohë.
Sipas hetuesve të çështjes, dy të rinjtë ishin duke udhëtuar bashkë në automjetin tip “Peugeot” me targa italiane, pas stadiumit të Vlorës, dhe gjatë kësaj kohe dyshohet se Dauti e ka qëlluar Fatos (Fatjon) Banin me pistoletë. Për sa i përket motivit të krimit, dyshohet se mund të ketë qenë sherr i momentit, pasi dy të rinjtë njiheshin si shokë (ishin dhe fqinjë). Por pas hetimit të ngjarjes dhe gjykimit të çështjes, Juxhin Dauti rezultoi i pafajshëm.
31-vjeçari Fatjon Bani njihej si kampioni i bilardos në qytetin bregdetar. Ai ka fituar kampionatin kombëtar në vitin 2003, kupën e Republikës në 2006-ën, si dhe titullin kampion në shumë kampionate, si brenda dhe jashtë vendit. Gjatë kësaj kohe, ai menaxhonte një lokal në afërsi të konsullatës italiane në Vlorë, së bashku me familjen.

R.POLISI

Artikulli paraprakNjeriu i mafies emërohet shef i Mbrojtjes së Dëshmitarëve!
Artikulli tjetërPolicia që (s)duam