Pikëpyetjet e Britanisë

Martin Wolf

Nëse Britania do të votojë për të braktisur Bashkimin Evropian në qershor, a do të rifitojë ajo sovranitetin të cilin ata që janë në favor të largimit, argumentojnë se e ka humbur? Përgjigja është jo. Vetë fakti që Londra po mban këto zgjedhje, dëshmon se mbetet sovrane. Por referendumi nuk ka të bëjë me sovranitetin. Por se si ushtrohet më mirë pushteti i vendit.
Në pamfletin e tij “Kuptimi mbi sovranitetin”, të botuar në vitin 1991, Swr Noel Malkolm shpjegoi se pika e fillimit të çdo debati mbi sovranitetin, duhet të jetë dallimi midis pushtetit dhe autoritetit. Një shtet sovran ka autoritetin për të hartuar dhe zbatuar ligje të vlefshme. Fuqia e një shteti mund të jetë e dobët, por ajo nuk është subjekt i asnjë autoriteti më të lartë. Sot, fakti që institucionet ligjvënëse janë demokratikisht të përgjegjshme, krijon legjitimitet. Një qeveri e paligjshme, është një despotizëm.
Shtetet ekzistojnë për t’iu shërbyer interesave të qytetarëve të tyre. Ato mund ta arrijnë këtë objektiv vetëm përmes bashkëpunimit me shtetet e tjera. Për këtë arsye, Britania e Madhe ka nënshkruar 14.000 traktate. Ligjërisht, Londra mund të tërhiqet nga të gjitha ato. Përderisa nuk dëshiron të bëhet si Koreja e Veriut, ajo s’do ta hedhë një hap të tillë.
Traktatet nuk minojnë sovranitetin, por e shprehin atë. Ato kufizojnë ushtrimin e sovranitetit, me synimin për ta bërë atë më të efektshëm. Ato e bëjnë këtë duke deleguar kompetencat. Disa prej këtyre fuqive janë çështje të jetës dhe vdekjes. Për shembull, Mbretëria e Bashkuar është një anëtare e NATO-s, për shkak se beson, me të drejtë, se kjo rrit sigurinë e qytetarëve të saj. A është BE-ja ndryshe nga traktatet e tjera? Përgjigjet janë: “jo” dhe “po”.
Përgjigja është jo, për shkak se Britania e Madhe qartazi mund të tërhiqet. Ky do të ishte një proces kompleks dhe i dhimbshëm, që mund të çojë në shpërbërjen e Mbretërisë së Bashkuar, me Skocinë që do të vendosë të shkëputet më vete. Por askush s’do të kërkojë ta ndalë. Prandaj anëtarësimi i Mbretërisë së Bashkuar të BE-së, nuk e kufizon sovranitetin e saj. Ai u takon përfaqësuesve të zgjedhur të popullit britanik në Parlament.
Përgjigja është po, për shkak se si anëtare e unionit, Mbretëria e Bashkuar është e lidhur me traktatet, vendimet e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, me vendimet e marra nga ana e Parlamenti Evropian, dhe votimet me shumicë të cilësuar në Këshillin Evropian. Çështja politike në referendum nuk ka të bëjë me sovranitetin, por me delegimin e kompetencave brenda një sistemi të qeverisur nga traktate dhe detyrimeve të veçanta me ndikim të gjerë.
Ndryshimet e ardhshme në marrëdhëniet midis Britanisë së Madhe dhe BE-së, mund ta bëjnë anëtarësimin efektivisht të pakthyeshëm: anulimi i Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar do të jetë hapi i pari, dhe transferimi i kompetencave të plota mbi tatimin ose të sigurisë mund të jetë i dyti. Edhe anëtarësimi në eurozonë mund të shihet në të njëjtën mënyrë. Por, edhe pa arritur ndryshime të gjera, Britania e Madhe mbetet sovrane.
Çështja për Mbretërinë e Bashkuar është nëse anëtarësimi në BE, godet një ekuilibër të ndjeshëm ndërmjet llogaridhënies dhe efektivitetit në ushtrimin e këtyre kompetencave të deleguara.
Po, Mbretëria e Bashkuar është e angazhuar për gjëra që shumëkush do t’i shmangë – për shembull lëvizjen e lirë të njerëzve. Por si do të duket bilanci në përgjithësi? Defektet e BE-së sa i përket llogaridhënies janë reale. Monedha e përbashkët është shembulli më i mirë: hendeku që ekziston në këtë rast ndërmjet llogaridhënies, ende në masë të madhe kombëtare, dhe vendimmarrjes, tanimë kryesisht mbikombëtare, është i dukshëm.
E megjithatë Britania e Madhe nuk është pjesë e kësaj. Defektet e BE-së mbi llogaridhënien demokratike, s’mund të zgjidhen pa një politikë realisht mbikombëtare. Por kjo nuk ka gjasa të ndodhë. Dhe do të ishte shumë e padëshiruar në Britaninë e Madhe, pasi do t’i jepte fund sovranitetin kombëtar. Megjithatë, problemi i BE-së qëndron edhe tek efektiviteti.
Akuzat se Presidenti Barack Obama ka qenë hipokrit kur argumentoi në favor të anëtarësimit të Britanisë së Madhe në BE, nuk qëndrojnë. Shtetet e Bashkuara janë një superfuqi: ato nuk kanë nevojë për një marrëveshje të tillë për të ndikuar botën; Britania e Madhe nuk është një superfuqi: asaj i duhet anëtarësimi në BE. Theçëri e pranoi dikur argumentin për votimin me shumicë të cilësuar, për të krijuar një treg të vetëm, për një arsye të fortë: pa të, projekti ndoshta do të ishte i pamundur.
Një çështje e spikatur është nëse kompetencat e deleguara tek BE-ja, shkojnë përtej asaj që është e përshtatshme për qëllimet e pretenduara nga Mbretëria e Bashkuar. Përgjigja, vëren një raport nga Qendra për Studime të Politikave Evropiane, është jo. Shqyrtimi i “balancës së kompetencave” në Mbretërinë e Bashkuar, arriti në përfundimin se fuqitë e deleguara ishin të përshtatshme me qëllimet që Londra kërkon të arrijë. Riatdhesimi i kompetencave u zhduk nga qëllimet negociuese të qeverisë.
Çështja është nëse anëtarësimi në BE, mbetet edhe një ushtrim i duhur i sovranitetit në Mbretërinë e Bashkuar. Po, ne mund të identifikojmë vështirësitë gjatë llogaridhënies. Por ne gjithashtu shohim përfitime të mëdha në ushtrimin efektiv të pushtetit. Anëtarësimi i jep Mbretërisë së Bashkuar një rol mbi të ardhmen e kontinentit evropian. E pajis me një zë të fuqishëm tek qëndrimet mbi çështjet globale, të njërit prej aktorëve më të fuqishëm të botës.
Qenia në BE, e zmadhon aftësinë e Londrës për të ndikuar mbi zhvillimet globale që janë me interes jetik për mirëqenien e qytetarëve të saj, sikurse janë ndryshimet klimatike. Ajo i jep jo pak kushte të favorshme qasjes në tregun e saj të madh. A duhet të kërkojmë një delegim të mëtejshëm të kompetencave drejt BE-së? Përfundimisht jo. Por përfitimet e asaj që Britania e Madhe ka tashmë – shumica avantazhe, vetëm pak disavantazhe – nuk janë thjesht të qarta, por realisht të konsiderueshme.
Kritika e fortë ndaj deklaratave të zotit Obama gjatë vizitës në Londër, qe se ai foli për interesat e SHBA-së dhe jo të Mbretërisë së Bashkuar. Kjo është dyfish e gabuar. Së pari, perceptimet amerikane mbi interesat e veta janë në vetevete të rëndësishme në përcaktimin e interesave të Mbretërisë së Bashkuar. Së dyti, miqtë e sinqertë shohin më shpesh interesin vetiak të dikujt se sa të vetin.
Sovraniteti i Britanisë nuk është në rrezik në referendumin e qershorit. Përkundrazi përmes këtij të fundit provohet ekzistenca e tij. Referendumi ka të bëjë me atë nëse Britania e Madhe i ka deleguar kompetenca të tepërta BE-së. Arritja e madhe e bisedimeve të Dejvid Kameronit, është vendimi që Britania e Madhe nuk do të shkojë më tej në rrugën e një integrimi më të ngushtë. Partnerët tanë duket se e pranojnë këtë.
Duke qenë kështu, bilanci më i mirë ndërmjet llogaridhënies dhe efektivitetit qëndron tek statuskuoja. Kostoja e Brexit do të jetë zvogëlimi i efektivitetit, dhe në rastin më të mirë rritja në mënyrë të moderuar e llogaridhënies. Një çmim ky tepër i lartë.

Artikulli paraprakTitulli, Bajerni feston në Mynih
Artikulli tjetërCameron: Përse duhet të qëndrojmë në BE