Pikat kufitare, tre milionë euro vlera e mallit kontrabandë

Rreth tre milionë euro ka qenë vlera e mallit, vitin e kaluar, që është tentuar të futet si kontrabandë, përmes pikave kufitare në Kosovë, thonë zyrtarë të Doganave të Kosovës, sipas të cilëve nga ato ka pasur rreth 1200 raste të kundërvajtjeve doganore. Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganat e Kosovës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se gjatë këtij viti, janë evidentuar rreth 200 raste të kundërvajtjeve që janë zbuluar nga oficerët doganorë, qoftë në brendi të vendit, po ashtu edhe në pikat kufitare, në pjesën e ashtuquajtur vija e gjelbër. “Nuk mund të themi që ka një pikë kufitare, e cila dallon nga të tjerat, përveç problemeve në veri, që janë edhe probleme politike, jo vetëm probleme të natyrave ekonomike. Por, mund të them se pika më të nxehta kemi pjesën veriore, Vërmicën, pjesa e Dheut të Bardhë dhe një pjesë te pika kufitare e Hanit të Elezit”, ka thënë Stavileci. Doganat e Kosovës janë kontribuesi kryesor i buxhetit të shtetit, i cili grumbullon për arkën e shtetit tri tatime kryesore: Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në import, taksën doganore dhe akcizën. Produktet më atraktive, të cilat kontrabandohen janë mallrat për të cilat paguhet akciza, siç është nafta, alkooli dhe duhani. Autoritetet kompetente në Kosovë, disa herë kanë paraqitur ide, propozime dhe strategji që të zvogëlohet pjesëmarrja e lartë e ekonomisë joformale, por përfaqësues të komunitetit të biznesit, thonë se niveli i kontrabandës vazhdon të jetë i lartë. Niveli i lartë i hyrjes së mallrave në tregun e Kosovës duke iu shmangur detyrimeve doganore, sipas tyre, ka krijuar konkurrencë të padrejtë në treg, njëherësh ka vështirësuar tejmase veprimtarinë e disa bizneseve, veçanërisht ka dëmtuar industrinë e prodhimit. Qeveria e Kosovës disa herë është zotuar se përpjekjet për luftimin e kontrabandës nuk mungojnë. Madje, për luftimin e ekonomisë joformale dhe krimeve të tjera financiare, janë krijuar edhe strategji të ndryshme.

Artikulli paraprak4 milionë euro Lazios për Berishën
Artikulli tjetërHertha humbet duelin e Europës me Hoffenheim