Peza zgjohet milioner, dhjetëfishon pasurinë

Armand MAHO

Alfred Peza do i “bashkohej” ekipit të Rilindjes në vitin 2013, duke braktisur fushën e gazetarisë ku kish milituar prej gati 20 vitesh. Deri më atë kohë, pavarësisht bindjeve të majta, ish munduar të mbante një profil të një gazetari të “pavarur”, duke u munduar të kompensonte disi dhe katapultimin e tij në fushën e informimit. Formimi i tij intelektual, në fundin e viteve ‘80-të, do të ishte “Shkolla e Bashkuar e Oficerëve”, ku për pak vite punoi dhe si pedagog. Alfred Peza është sot deputet në siglën e Rilindjes i zgjedhur në zonën e Peqinit. Ka braktisur mikrofonin dhe ka veshur petkun e politikanit dhe është bërë një ndër avokatët më të zëshëm të kreut të karvanit të Rilindjes, Edi Rama. Së bashku me Taulant Ballën, edhe ky deputet i Elbasanit, kanë spikatur përpara zgjedhësve për servilizmin e tyre në mbrojtje të aferave të tij. Ironik është fakti se ai mban dhe kreun e Komisionit të Medias në Kuvend, por është bërë palë në të gjitha represionet që kreu i karvanit ka ndërmarrë ndaj gazetarëve. Nuk e ka ngritur kurrë zërin për ish-kolegët që pushohen nga puna, blerjen e tyre nga enturazhi politik, ndarjen preferenciale të parave e gjithçka tjetër që Rilindja solli me vete…

Dhjetëfishimi i pasurisë

Ditën e djeshme, portal “Cityneës” publikoi të dhënat e një kontrate, ku bashkëshortja e tij, Mirela Ndini kish lidhur me Credins Bank, për blerjen e 1 për qind të aksioneve. Vlera e këtyre aksioneve arrinte shifrën e 1.13 miliardë lekëve ose diçka më pak se 1 milion dollarë të dhëna cash për këtë qëllim. Natyrisht në një ekonomi tregu gjithkush është i lirë të shesë e të blejë ç’të dojë, duke përfshirë këtu dhe aksione bankare, por që gjithsesi duhet të deklarojë burimin e të ardhurave dhe të justifikojë para organeve përkatëse, për shuma që tejkalojnë shifrën e diku tek 8 mijë euro. Në rastin e zotit Peza përgjegjësia është dyfish, sepse ai ka marrë përsipër dhe disa përgjegjësi publike si deputet dhe Ligji “Për pasurinë e zyrtarëve të lartë”, e ngarkon me detyrimin që të bëjë deklarimin e pasurive dhe mënyrën se si janë shtuar, vit pas viti. Për shembull, të ardhurat e zotit Peza në vitin 2014, sipas deklaratës së tij të bërë publike, shkojnë diçka më shumë se 32 milionë lekë në vit dhe këto janë të ardhura, të cilat përfshijnë dhe shpenzimet e një viti për një familje. Pra, Peza ka deklaruar si deputet të ardhura në masën 24.2 milionë lekë të vjetra, ndërsa bashkëshortja 8.3 milionë lekë. Gjithsej rreth 32.5 milionë lekë. Depozitë bankare deri në atë kohë kishte 130 milionë lekë të vjetra ose 13 milionë të reja në emër të bashkëshortes së tij, Mirela Ndini, si dhe dy llogari të tjera në shuma të papërfillshme prej 1.7 milionë dhe 1.3 milionë. Gjithashtu sipas deklaratës së para diçka më shumë se dy vjetëve, dispononte një apartament me vlerë 110 mijë euro pranë gjykatës, ku 30 mijë janë ende të pashlyera, si dhe një shtëpi në Malin e Robit, Golem, prej 50 mijë eurosh me një detyrim prej 10 mijë eurosh të pashlyer ende. Të paktën këto janë pasuritë që zoti Peza ka deklaruar. Një pasuri prej rreth 100 mijë euro gjithsej, që po t’i heqim detyrimet e pashlyera shkurtohet në 60 mijë euro. Të tjerat pra, paga e tij dhe e bashkëshortes, janë për shpenzimet e përditshme, por që gjithsesi janë shumë pak për të justifikuar shumën në fjalë…

Si u bë milioner Sekretari i Ramës

Pra, nga pasqyra del se, familja Peza ka të ardhurat e një familjeje mesatare shqiptare. Pra, sa për të shlyer një kredi dhe për të pasur një jetesë normale, jo me ndonjë luks të shfrenuar. Të ardhura që mund t’i kenë dhe shumë familje të tjera shqiptare, por ndryshimi qëndron në faktin se për dy vjet pasuria e zotit Peza dhjetëfishohet dhe ai i lejon vetes të blejë rreth 900 milionë lekë aksione ose të ketë fituar në këto dy vjet rreth 400-450 milionë lekë në vit, që janë një pasuri më vete. Dhe kjo nuk mund të rritet në këtë mënyrë me paratë e shpërblimit që dha Rama për fundin e vitit. Atëherë nga dalin këto para?! Duke i qëndruar arsyetimit, zotit Peza i lind detyrimi të shpjegojë se çfarë mrekullie ka ndodhur në këtë vend aq sa mund të ngrysesh me 100 mijë euro në bankë dhe të zgjohesh të nesërmen me 1 milion të tilla?! Përse kjo nuk i ndodh shumë shqiptarëve, por janë të detyruar të varin veten apo të mbyten në ujërat e rezervuarve nga varfëria dhe shkaqet ekonomike?! A kemi të bëjmë me shfrytëzim posti, favorizime apo sekserllëqe si njeri i afërt me kreun e karvanit?! Alfred Peza, të paktën për hir të kohës së tij të shkuar si gazetar e publicist, por dhe si rilindas i denjë që denoncon me forcë “korrupsionin” duhet t’i japë përgjigje disa pyetjeve elementare, si detyrim jo vetëm përpara zgjedhësve të tij, por edhe si leksion për ata që duan të mbijetojnë në “parajsën” ku Peza me rilindas të tjerë pretendojnë se po krijojnë.

Si e rriti Credins kapitalin me 10 milionë euro

Kompania e prodhimit të makaronave dhe miellit “Prima”, pronë e sipërmarrësve vëllezër Fuad e Agron Haxhiymeri, ka hyrë së fundmi si aksionere në Bankën Credins, bashkë me znj. Elena Haxhiymeri. Sipas transaksionit të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, “Prima” ka blerë 3.33% të aksioneve përmes një kontributi në para prej 282.556.904,50 lekësh (rreth 2 milionë euro). Një tjetër aksioner i ri individ ka qenë Elena Haxhiymeri, që ka blerë 1.21% të aksioneve përmes një kontributi prej 102.252.386,00 lekë (rreth 740 mijë euro). Transaksioni është regjistruar më 31 dhjetor. Me shitblerjet e reja në total, zotërimi i Haxhiymerajve në bankë është dyfishuar në gati 8%.
Shtimi i aksionerëve të rinj i ka mundësuar bankës që të rrisë kapitalin e saj me 10 milionë euro. Sipas të dhënave të raportuara në Shoqatën e Bankave, deri në fund të 9-mujorit, kapitali i bankës ishte 12.7 miliardë lekë apo rreth 92 milionë euro.
“Aksionerët e bankës, me anë të vendimit nr. 1 të datës 25.02.2016 kanë vendosur të rrisin kapitalin e bankës në vlerën 10 milionë euro, nëpërmjet emetimit të aksioneve të reja. Në total, numri i aksioneve që do të emetohen ishte 6,854,010 aksione të reja, me një vlerë kontabël neto prej 201.2 lekë/aksion ose 1.459 euro/aksion, e konvertuar me kursin e ditës së vendimit”, thuhet në kontratën e shitblerjes së aksioneve.
Çmimi i nënshkrimit të aksioneve për znj. Haxhiymeri ishte rreth 1.18 milionë euro, ndërsa për “Prima” 3.28 milionë euro, sipas kontratave përkatëse të shitblerjes.
Aksionerët  kryesorë të Credins janë Renis Tërshana (25.36%), Aleksandër Pilo (17.42%) dhe B.F.S.E Holding B.V (15.2%).
Sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave, në fund të tremujorit të tretë 2016, totali i aseteve të Credins ishte 158.5 miliardë lekë, duke qenë banka e tretë më e madhe në vend, pas BKT dhe Raiffeisen. Banka ka një stok kredie prej 94 miliardë lekë, e treta në vend.
Për 9-mujorin 2016, fitimi i saj ishte 177 milionë lekë, me një rënie prej 54% me bazë vjetore.

Artikulli paraprakShqipëria në sundimin e krimit dhe të drogës
Artikulli tjetërVotim dhe numërim elektronik, për zgjedhje të lira e të ndershme