Përvjetori i PD, Basha për marrëveshjen e 18 Majit: Rama po paguan thyerjen e paktit me SHBA

“Rama po paguan për thyerjen e Marrëveshjes me SHBA për zgjedhje të lira, pa blerje votash dhe pa grupe kriminale”, kjo ëhstë deklarata e Bashës në përvjetorin e 27 të themelimit të PD. Basha ka shtuar se “tani zullumi dhe pabesia po i ngecin në fyt”.
“Nuk mund të ndodhë ndryshe. Ortakët e krimit në pushtet dhe pushtetit në krim kanë ngecur në kënetën e tyre. Rrallë ka ndodhur që denoncimet në kohë reale të opozitës të aferave kriminale dhe korruptive të vërtetohen një për një, deri në hollësi, emër për emër, nga shpërthimi i skandaleve dhe dalja në dritë e të vërtetës më vonë.
Dhe do të vazhdojë të na dalin fjalët. Pa asnjë firo, ashtu siç i kemi thënë e vijojmë t’i themi. Keni për ta parë.
Sot, në dritën e fakteve, shumica dërrmuese e shqiptarëve realistë thonë: Po, PD-së i dolën fjalët. Kjo qenka e vërteta.
Për këtë ju duhet të ndiheni të gjithë krenarë, sepse secili prej jush, dhe ne të gjithë bashkë e kemi nisur dhe luftuar bashkë këtë betejë!
Kjo do të thotë se Partia Demokratike ka kryer para vendit detyrën e saj si opozitë me integritet të lartë moral dhe politik.
Sigurisht që ne do të kishim dashur që kriminalizimi dhe kanabizimi të luftoheshin e të ndaleshin në kohë, pa u bërë kapicë siç u bënë; kemi luftuar dhe kemi dëshiruar përnjimend që këto droga, krimi dhe paratë e pista të mos prishnin një festë të popullit të lirë, siç janë zgjedhjet.
Për këtë arsye ne pranuam draftmarrëveshjen për zgjedhjet, që partneri ynë strategjik, SHBA, u propozoi shumicës dhe opozitës shqiptare.
Qëllimi dhe thelbi i marrëveshjes ishte të evitohej përplasja civile, destabilizimi i vendit dhe angazhimi i grupeve kriminale në shitblerjen e votës. Edi Rama u ul në bisedime, por bëri krejtësisht të kundërtën e asaj për të cilin u bë marrëveshja. Tani zullumi dhe pabesia po i ngecin në fyt.
Politika nuk është e pistë apo hileqare në vetvete, por është e tillë për ata që duan ta bëjnë pis e të paskrupullt atë, thoshte Vasllav Havel. Politika hakmerret një ditë ndaj tyre. Kjo është një ligjësi e hekurt.
Partia Demokratike nuk bleu vota dhe nuk angazhoi kriminelë. Forca jonë, besimi ynë, sot më shumë se kurrë janë alternativa, programi, gara dhe bashkimi”, tha Basha.

Artikulli paraprakJa të gjitha mashtrimet e Ramës nga 2013 e deri sot
Artikulli tjetërQeveria, asnjë kompensim banorëve për përmbytjet