Përse po e zgjeron Kina ushtrinë?

Ushtria Çlirimtare e Popullit (PLA) pritet të rrisë madhësinë e trupave të Marinës nga 20 mijë në 100 mijë, raportoi “South China Morning Post” në Hong Kong më 13 mars. Sipas burimeve të brendshme dhe ekspertëve të intervistuar, elementët e trupave të Marinës që do të zgjerohen priten të pozicionohen jashtë shtetit, përfshirë këtu zonat si Djibouti në Bririn e Afrikës dhe Gwadar në Pakistanin Jugperëndimor.
Trupat e Marinës, pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Popullit, janë zgjeruar gradualisht në madhësi gjatë viteve të fundit si pjesë e misionit të zgjerimit gradual të ushtrisë, që nga drejtimi i operacioneve në zonat bregdetare të Kinës, përfshirë edhe mbrojtjen e pronave kineze në Detin e Kinës së Jugut dhe Detin e Kinës së Lindjes e deri tek përgatitja për një sulm potencial amfib kundër Tajvanit apo tek operacionet e tjera globale.
“Marina e ushtrisë kineze do të rritet me 100 mijë trupa, që përbëhen nga gjashtë brigada në të ardhmen e afërt për të përmbushur misionet e vendit tonë”, ka thënë një burim i brendshëm për median kineze. Burimi theksoi gjithashtu se dy brigada luftuese janë transferuar në PLAMC dhe e kanë rritur madhësinë e tyre nga 12 mijë deri në 20 mijë trupa.
Secila brigadë është e ndarë në një regjiment të armatosur dhe dy batalionë të Marinës. Brigadat janë të pajisura me pajisje luftëtare të këmbësorisë amfibe ZBD05 dhe armatime sulmuese amfibe ZLT05. ZBD05 mendohet të jetë një nga pajisjet sulmeve amfibe më të shpejta, e aftë për të arritur shpejtësinë 45 kilometra në orë brenda në ujë. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Kinës, brigadat mund të jenë duke u armatosur edhe me pajisjet të sulmeve amfibe Norinco ZTL-11 8×8.
Siç është raportuar që në janar të vitit 2015, Kina është duke e zgjeruar kapacitetin sulmues në divizionet e këmbësorisë nga dy në katër ose nga 30 mijë në 60 mijë trupa. Secili divizion është i pajisur me 300 mjete të armatosur dhe amfibe të transportit, përfshirë edhe ZBD05 dhe ZLT05, por edhe me tanke më të rëndë lufte dhe armatimet e tyre përkatëse.
Ndërkohë që Kina vazhdon të zgjerojë kapacitetin dhe madhësinë e divizioneve të ndryshme ushtarake, pika më e dobët e ushtrisë kineze vazhdon të jetë kapaciteti i transportit amfib. Sipas vlerësimeve të RAND Corporation, ushtria kineze mund të jetë e aftë për të nxjerrë në luftim 89 anije deri në vitin 2017, përfshirë edhe pesë anije luftarake amfibe të klasit Yuzhao 071 e deri tek anijet e sulmit amfib të klasit 081 Xisha.
Ndërkohë që anijet e llojit 071 mund të kenë një kapacitet për të mbajtur rreth 600 trupa dhe 15 deri në 20 mjete të armatosura. Lloji më i madh 081 mendohet të ketë një kapacitet akomodues prej 900 deri në 1100 trupash të Marinës dhe 30-40 mjete të armatosura në bord, së bashku me 8 helikopterë. RAND vlerëson se kapaciteti tërësisht i transportit të ushtrisë kineze do të jetë 2,7 divizione ose rreth 4 mijë trupa deri në fund të vitit 2017.
Duhet theksuar se vlerësimet bazohen në skenarin e pushtimit potencial të Tajvanit dhe nuk mund të aplikohen për një skenar të transportimit të trupave në operacione të tjera të nivelit global. Megjithatë, Kina aktualisht ka kapacitetin e nevojshëm për të drejtuar sulme të suksesshme amfibe kundrejt ishujve të madhësisë mesatare në Detin e Kinës së Jugut dhe më tej.

Artikulli paraprakIzraeli kthehet në mollë sherri në Uashington
Artikulli tjetërQeveria aprovon vizitën e Vuçiç në Kosovë