Përpëlitjet e fundit të kartelit në qeveri

– Pse është perceptimi që ky vit nuk ka qenë i mirë as për vendin, as për opozitën?
Nuk është thjesht perceptimi. Eshtë e vërteta se për vendin ka qenë një vit i tmerrshëm, sepse gjithçka e keqe e akumuluar në 4 vitet e qeverisjes së mëparshme të Edi Ramës shpërtheu dhe efektet i kanë ndjerë qytetarët në kurrizin e tyre. Çfarë kam parasysh?! Shpërtheu problemi i jashtëzakonshëm i drogës, si një darë mbi ekonominë e mbytur shqiptare, duke shkatërruar më shumë vende pune, duke futur vendin në një cikël krize ekonomike, ku bizneset e ndershme mbyllen apo blihen me paratë e drogës dhe paratë e drogës diktojnë një axhendë ekonomike nga e cila përfiton vetëm një grusht njerëzish dhe çdokush tjetër vuan.
Përfaqësuesit e biznesit më shprehën në një takim shqetësimin e thellë për një krizë të vërtetë të raportit kërkesë-ofertë.
Dhe kjo vjen për dy arsye kryesore: E para, sepse faktorë kryesorë të ekonomisë janë nën presion. Faktori i parë është fuqia punëtore shqiptare është nën presion të jashtëzakonshëm. Marrim dy kategori njerëzish, marrim mjekët. Sot, kemi më pak mjekë për frymë sesa në kohën e komunizmit, kjo për një arsye të thjeshtë, sepse mjekët po largohen masivisht nga Shqipëria.
Marrim kategorinë e dytë, sipërmarrjen. Edhe sipërmarrja po emigron, po emigron kapitali i sipërmarrjes, po emigron vetë sipërmarrësi. Po emigrojnë asetet, kompanitë dhe po zgjedhin të largohen nga Shqipëria për një jetë më të mirë për veten e tyre dhe për fëmijët e tyre. Ky është tmerr i vërtetë për një vend; që të largohen sipërmarrësit, të largohen mjekët, të largohen intelektualët, të largohet shtresa e mesme, të largohet rinia.
Pra, nuk është thjesht një perceptim, është realiteti i një Shqipërie që po vuan një krizë ekonomike, një krizë politike dhe një krizë të thellë morale dhe krizë besimi.

– Duket se nga kjo krizë nuk ka shpëtuar dhe opozita… Çadra, marrëveshja, rezultati i dobët, përçarja. Mungesa e një opozite të fortë ka bërë që vendi të vuajë edhe më shumë arrogancën e këtij pushteti?
Qëndresa e opozitës këtë vit, 3 muaj në 12 muaj ditë e natë, hedh poshtë këtë premisë që po shtroni. Nuk ka patur opozitë më të vendosur, më kurajoze dhe që ka përdorur të gjitha mjetet demokratike dhe paqësore për të vendosur për t’iu kundërvënë krimit në pushtet dhe pushtetit të lidhur me krimin, për t’iu kundërvënë parave të pista të drogës dhe të korrupsionit, si mjet për të diktuar vazhdimin e një sundimi mafioz në vend që të hapet një kapitull i politikës demokratike, ku qytetarët vendosin në bazë të ofertave të partive se kush do të qeverisë vendin. Kjo është kriza sot. Kriza është që demokracia sot është e asfiksuar, rezultati i krimit në pushtet, rezultati i kriminelëve në Parlament, në krye të bashkive të vendit, rezultati i Shqipërisë mbuluar me drogë është viktimizimi i demokracisë, që do të thotë viktimizimi i qytetarëve si vendimmarrës. Një e drejtë që e kemi fituar 27 vite më parë këtë vit është asgjësuar. Kur flasim për asgjësim, kemi parasysh që shqiptarët nuk kanë sot as Parlamentin që do të votonin në kushte të lira e të ndershme, as qeverinë që do të zgjidhinin në kushte të lira e të ndershme. Pra, kemi një krizë politike, e cila manifestohet në shkallën e vet më të lartë, krizën zgjedhore. Kur në një vend asgjësohen zgjedhjet e lira e të ndershme, gjithçka tjetër ka marrë fund.
Kjo qeverisje politikisht është e mbaruar, e vdekur. Ky është një kryeministër politikisht i vdekur, i zënë në qarkun e zullumit të vet, zullum, i cili sa vjen e thellohet.

– Mendoni vërtetë që Prokurorja e Përkohshme do të mbyllë dosjet e Tahirit dhe të tjerëve, do të ndërhyjë në punën e prokurorëve? Vërtetë ju jeni skeptikë apo keni bindje për këtë?
Qëllimi i Reformës në Drejtësi është një drejtësi e pakapur politikisht. Qëllimi i Reformës në Drejtësi është kontrolli i integritetit dhe profesionalitetit të figurës së gjyqtarit dhe prokurorit.
Ku jemi sot?! Sot kemi një kryeprokuror pa veting, sot kemi një kryeprokuror për herë të parë me më pak se gjymën e votave të Kuvendit, pra, kapur politikisht nga një parti. Nga një parti, e cila nuk është në nisje të mandatit të saj, por është në mes të një mandati të njollosur nga aferat më të mëdha kriminale dhe korruptive.
Nuk ka fare rëndësi se cili person u kap dhe u vu në atë detyrë. Mënyra se si u bë padyshim deligjitimon dhe diskrediton cilindo person, qoftë kjo edhe e shenjta Nënë Terezë, po të ishte zgjedhur, (se nuk dua të bëj krahasime që nuk qëndrojnë) pra, kushdo qoftë personi, mënyra se si u keqpërdor, duke u emëruar në një pozicion pa veting, pa konsensus politik, në një moment kritik për hetime të tilla si dosja e Saimir Tahirit, i pari ministër i Brendshëm në historinë e Europës 4-vjeçare, krahu i djathtë i kryeministrit i kapur në flagrancë nga përgjimet e Antimafies italiane si koka e trafikut ndërkombëtar të drogës. Pra, në këto kushte do të thoja është utopike që ne të shpresojmë se një emërim i tillë nuk ka pasur apo nuk ka një funksion të vetëm; mbylljen e dosjeve të krimit, sabotimin e Reformës në Drejtës si shpresa e vetme pas shkatërrimit të zgjedhjeve për të çmontuar lidhjet e krimit me politikën që janë sot e gjithë ditën arsyeja kryesore pse Shqipëria është në krizë politike, ekonomike dhe morale.
Pra, nuk ka krizë prokurori, ka krizë kushtetuese, e cila është produkt i krizës politike. Cila është kriza politike?! Kemi një qeveri pa mandat popullor, një Parlament që ka dalë nga zgjedhje të tjetërsuara me paratë e drogës dhe krimit dhe paratë e drogës dhe krimit janë vetë problemi. Sepse tani vetë peshqit e mëdhenj që kanë përfituar nga paratë e drogës, krimit janë kapur në rrjeta ndërkombëtare siç është rasti i Saimir Tahirit, i cili natyrisht nuk mund, ka vepruar si kokë më vete, por lidhet drejtpërdrejtë me njeriun që sot ka çelësat e Kryeministrisë. E pra, kjo është thelbi.

– Megjithatë, nga ana tjetër juve iu ofrua ky konsensus politik….
Jo, nuk e pranoj këtë.

– Dakord, nuk e pranoni se ju thoni Kushtetuta.
Sepse nuk është e vërtetë që mund t’i ofrohet opozitës të bëjë pazar me kryeprokuroren. Iu ofrua pazari, por jo konsensusi.

– Përse PD nuk e çon çështjen në Gjykatën Kushtetuese?
PD po e shqyrton këtë mundësi, ku ka dy linja mendimi, ndjekja e rrugës institucionale dhe linja tjetër se gjatë qeverisjes së Ramës, Shqipëria është zhytur në një krizë të thellë demokracie, në një krizë të thellë institucionesh dhe në një krizë të thellë kushtetuese dhe politike, e cila nuk mund të zgjidhet, duke pretenduar se në këtë vend funksionojnë institucionet. Nëse një mazhorancë vendos të shkelë haptas në mënyrë flagrante Kushtetutën, dhe e zhbën një investim të madh të shqiptarëve dhe faktorit ndërkombëtar siç ishte Reforma në Drejtësi, përgjigja nuk mund të jetë thjesht dhe vetëm “çoje në Kushtetuese”.
Përkundrazi, ky është një kapak floriri për mazhorancën. Kjo është mundësia për të blerë kohë që, ndërkohë përmes këtij investimi, të shkatërrohet plotësisht aspekti i Reformës në Drejtësi, që ka të bëjë me Prokurorinë, që emëron sejmenët dhe benjaminët e mazhorancës në KLP. Në këtë mënyrë edhe prokurori i përhershëm dhe aftësia e Prokurorisë për të çuar deri në fund hetimin e Saimir Tahirit, i cili është kapur dhe një herë në flagrancë nga Antimafia, jo thjesht nga opozita. Edhe mundësia për të hapur hetimet për Vangjush Dakon, i cili po kështu sipas informacioneve që vijnë nga institucionet e mirëinformuara është përgjuar nga agjensitë ndërkombëtare, duke komunikuar me bandat e Durrësit për shitblejrjen e votës në Durrës, të gjitha këto të mbyllen. Mbyllen, sepse lidhja e këtyre dy figurave me Edi Ramën, dihet katërcipërisht. Pra, kemi të bëjmë me një investim për fatin e një njeriu, për pushtetin e një njeriu, për pasurimin e një njeriu dhe një grushti njerëzish në kundërshtim me Kushtetutën, në kundërshtim me Reformën në Drejtësi, në kundërshtim me aspiratat e të gjithë shqiptarëve për të pasur një vend që shkon drejt normalitetit. Zgjedhjet asgjësohen, Reforma në Drejtësi pëson një goditje që mund të jetë fatale për të. Cila rrugë mbetet? Gjykata Kushtetuese? Absolutisht jo.
Alibia se kjo mund të zgjidhet nga Gjykata Kushtetuese është një narkozë e vlefshme për narkoshtetin, e vlefshme për klanin kriminal dhe e dëmshme për një shoqëri të tërë.
Është e tepërt utopike, cinike të kërkojmë që këtë situatë të na e zgjidhin 6 apo 7, sa kanë mbetur gjyqtarë kushtetues, të cilët po kështu mund të ndodhen para presionit, shantazhit, apo joshjes, sepse duhet ta kuptosh që Edi Rama ka kapur çdo pushtet. Ka dorë të hekurt në qeveri, ka dorë të hekurt në Parlament.
Nuk funksionon qeveria si një bashkësi personash me integritet, por si një harem personal i kryeministrit. Të njëjtën gjë mund të themi dhe për Parlamentin, ka kapur kryeprokurorin, është vetë kryeprokuror tani. Ka një dorë të hekurt përsa i përket mediave.
Përmes monopoleve qeveritare sundon ekonominë. Dhe në këtë situatë e vetmja shpresë është një bashkim i madh i shqiptarëve, ndaj të cilëve ka për detyrë opozita t’i prijë si koncept, jo thjesht si parti apo bashkim njerëzish, por si koncept opozita politike ka detyrën t’i prijë.

– Ju thoni që zoti Rama është kryeprokuror i vendit dhe ky nuk është një perceptim i vogël, por një perceptim i gjerë. Duket se më shumë se sa Edi Rama, te kryeprokurori i përkohshëm u investua ambasada e SHBA…
Nuk ka asnjë informacion që ta mbështesë këtë supozim.

– Mbrojtën mënyrën sesi ajo duhej të zgjidhej. Doli OPDAT, EURALIUS, doli vetë zoti Lu dhe mbajtën një deklaratë të fortë…
OPDAT, EURALIUS e kanë gabim. Opinioni i tyre s’ka asnjë vlerë ligjore, ka zero vlerë ligjore dhe nga ana e argumentave, është një gabim trashanik.

– Edhe kur del ambasada amerikane nuk ka vlerë ligjore…
Unë nuk komentoj ambasadat dhe ambasadorët, po mund t’iu them se që mos denoncimi i drogës ishte gabim, mos shkuarja deri në fund e dekriminalizimit ishte gabim. Dhe se mbështetja e shkeljes së Kushtetutës dhe në veçanti e Reformës në Drejtësi që është një investim i përbashkët, do të ishte një gabim trashanik.
Nuk do të zgjidhte asgjë. Do të binim në të njëjtat pozita te qëllimi justifikon mjetin dhe kjo do na çojë në një katastrofë totale. Nuk do të na çojë aty ku duam të gjithë, në një Reformë në Drejtësi me gjyqtarë dhe prokurorë me integritet që luftojnë dhe nuk mbrojnë krimin dhe korrupsionin, por do të na çojë në kukulla, në duart e një mazhorance të kapur në flagrancë, në shtrat me krimin.
Mënyra për ta ndryshuar këtë situatë nuk është as duke heshtur, as duke pranuar, as duke shpresur se qëllimi i mirë mund të justifikojë mjetin e keq. Opozita ka patur të drejtë. PD ka pasur të drejtë, koha na ka dhënë të drejtë për dekriminalizimin, për luftën kundër drogës, qëndrimin tonë për Reformën në Drejtësi, për qëndrimin tonë për zgjedhjet. Në këto katër kauza, opozita ka patur të drejtë. Detyra jonë tani është që në këtë errësirë shpirtërore në radhë të parë, psikologjikë për shqiptarët, po ashtu politike, institucionale dhe ekonomike, të ndezim një dritë shprese. Dhe këtë dritë shprese ne do ta ndezim me të gjithë shqiptarët e ndershëm. Duke u bashkuar në një aleancë vlerash që ka të gjithë fuqinë numerike, shpirtërore dhe politike për t’iu kundërvënë të keqes.
Edhe me gjithë këto mjete me qindra milion euro të drogës, me institucione të kapura, me media të kapura, me ekonomi që ngëlçon nga monopolet në dorë të një grushti njerëzish apo kryeministrit, prapë se prapë, e keqja është pakica. Shumica dërmuese e shqiptarëve nuk pajtohen me këtë gjendje. Opozita jo se jo. Prandaj, hapi i parë dhe lajmi i mirë për Vitin e Ri është ndërtimi i një aleance vlerash me këdo që beson se, Shqipëria nuk është në rrugën drejt një Shqipërie europiane, por është drejt një errësirë absolute. T’i kundërvihemi të keqes me të gjitha forcat dhe të gjitha mënyrat dhe të hapim një kapitull të ri.
Duke rikthyer zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Duke zbatuar Reformën në Drejtësi, duke çliruar ekonominë dhe duke i dhënë mundësinë njerëzve të jetojnë me nder dhe dinjitet në shtëpitë e tyre.

– Kam përshtypjen se të nesërmen e seancës së 18 dhjetorit ambasadori amerikan ka sjellë një mesazh të fortë tek ju, që kjo ndoshta nuk është rruga e duhur. Pra, cila do të jetë kjo rruga e re, pasi dhe rruga e dhunës mendoj se nuk është rruga e duhur përsa i përket dhe imazhit që përcillet tek njerëzit dhe gjendjen e ankthit që reflekton tek ta?
Gjendja dramatike e vendit është që qeverisja është kapur në flagrancë me krimin dhe megjithatë ka arritur jo të bjerë, por të rritet me vota, sepse ka kapur institucionin e zgjedhjeve dhe tani edhe Reformën në Drejtësi.
Tymueset nuk janë gjë tjetër veçse alarm, alarmi që opozita ka për detyrë t’i japë çdo qytetari shqiptar për ta vetëdijësuar se vendi po kalon nga një situatë anormaliteti në një krizë totale anormaliteti. Është po kështu alarmi për miqtë tanë ndërkombëtarë, për të mos mbyllur sytë, sikurse për fat të keq u mbyllën sytë për drogën dhe sot na thonë”, ju keni të drejtë”.
Por po të na e kishin thënë këtë dy vite më parë, tre vite më parë, Shqipëria nuk do të ishte në këtë gjendje. Me gjasa nuk do ta kishte kaq të vështirë për të hapur negociatat me BE.

– A është opsion djegia e mandateve?
Djegia e mandateve është reagim. Pra është reagim, nuk është zgjidhje. Zgjidhja është të rikthejmë demokracinë, të rikthejmë shtetin ligjor. Së pari, është duke detyruar vjedhësin e sendit të vjedhur të kthejë sendin e vjedhur. Me 25 qershor është vjedhur një mandat qeveritar që nuk i takon Edi Ramës.
Hapi i parë është kthimi i sendit të vjedhur, janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, përmes një qeverie antimafia, e cila nuk përbën pengesë, apo kërcënim për Reformën në Drejtësi, por që zbaton atë reformë në drejtësi, siç ka kaluar me konsensus të plotë, me 140 vota në Parlamentin shqiptar, dhe që është e përkushtuar për t’i dhënë shqiptarëve mundësinë të zgjedhin qeverinë e tyre të lirë dhe bazuar mbi praktika demokratike, jo me tepsi, kazan e timon, por mbi oferta politike.
Ne jemi të qartë në vizionin tonë. Se sa kohë do të marrë, ne e kemi provuar që duhet të kemi durimin, forcën dhe këmbënguljen. Jam i sigurt se po të bashkohen të gjithë shqiptarët e ndershëm, koha për një ndryshim pozitiv, nuk do të jetë e largët. Një gjë është e sigurt, kjo situatë është e paqëndrueshme.

– Ju keni deklaruar që Reforma në Drejtësi ka vdekur. Mos vallë duhet të kishit thënë që ne nuk duhet ta lëmë?
Unë nuk e kam deklaruar. 2 shpresa ka Shqipëria sot për daljen nga kjo krizë. Rikthimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe një Reformë në Drejtësi, e cila të zbatohet ashtu siç është miratuar. Këto janë dy betejat dhe aleatët më të fortë dhe të rëndësishme të opozitës.

– Jeni gati nëse Edi Rama thotë nesër zgjedhje. Jeni gati të futeni në zgjedhje si opozitë?
Zgjedhje të lira dhe të ndershme, jo zgjedhje me bandat e me Dakot, e me Sejdinët, e me Tahirët e Roshët. Zgjedhje të lira dhe të ndershme. I gjithë investimi i Ramës është, të shkatërrojë institucionin e zgjedhjeve, që është institucioni i llogarisë, kur shkon e jep llogari para qytetarëve.

– Si i përgjigjeni akuzave apo kritikave të skepticizmit ndaj jush personalisht, si kryetar i opozitës dhe Partisë Demokratike? Se në fakt po aq sa Edi Rama, keni edhe ju frikë nga ngritja e SPAK dhe fillimi i hetimeve të lidhjes së politikës me afera të tjera. Pikërisht në këtë kohë, pagesa e lobingjeve në SHBA, çështja e Rapiskanit, dhe e ÇEZ, tre, janë tre çështje që implikojnë në debatin publik, edhe qëndrimin e PD-së dje dhe sot, për afera të prezupozuara korruptive.
Kur nuk ia del dot me gënjeshtra dhe mashtrime të tjera, i vetmi truk i Edi Ramës është të na barazojë. Thotë, jemi ne, por janë edhe ata. Çështjet që përmend, janë të gjitha një furtunë në gotë uji, të ngritura me një qëllim, pikërisht që të zhvendosin diskutimin dhe debatin publik dhe politik nga Saimir Tahiri, sepse është një dimension që ngërthen gjithë establishmentin politik të PS-së dhe vetë Edi Ramën dhe skandalet e tjera që po plasin dhe do të plasin në mënyrë të pashmangshme. Sepse ju po i plasni, mediat po i plasin.

– Edhe Top Chanel…?!
Disa nga mediat profesionale duket që janë në një presion të jashtëzakonshëm. Psh çështja e inceneratorëve, me sa duket të gjitha mediat kryesore kanë marrë urdhër me shkrim dhe me gojë që të mos merren me inceneratorët, një aferë qindra milionë euro, për të cilën në mënyrën më të turpshme çensurohet opozita. Sa herë që PD, unë personalisht, bashkëpunëtorët e mi, kanë komunikime politike për këtë çështje, me dorë të padukshme qeveria e heq këtë lajm nga ekrani i “Top Channel”, te televizionet e tjera, në çdo televizion zhduket lajmi.
Por po ju thoka se PD është e investuar dhe unë jam i investuar në zbatimin e plotë të Reformës në Drejtësi dhe në veçanti për SPAK-un dhe BKH-në, që është i vetmi nga shtatë ligjet që i ka votat tona.
Dy aleatët më të fuqishëm të çdo opozite, në veçanti të kësaj opozite janë, zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe Reforma në Drejtësi. Dhe ne do të luftojmë fuqishëm që të dyja këto të rivihen në binarë demokratikë, që vendi të ketë një Reformë në Drejtësi, me gjyqtarë dhe prokurorë të paemëruar politikisht, me veting, të cilët nuk mbrojnë, por hetojnë të pushtetshmit, peshqit e mëdhenj dhe krimin e organizuar dhe të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

– Aksioni opozitar në janar si ajo e 18 dhjetorit do të jetë, apo do të ketë një tjetër aksion të themi më thelbësor të opozitës?
Protesta është protestë dhe në momentin që flasim është një nga rrugët e pakta që i ka mbetur njerëzve për të ndikuar sjelljen e aktorëve politikë. Kur një qeveri, kur një kryeministër nuk do t’ia dijë për ligjin, zgjedhjet, Kushtetutën, opsionet e një shoqërie të qytetëruar mbeten pak. Dhe një nga këto opsione të fuqishme që gjithmonë ka treguar se kur mobilizohet sjell ndryshim, është opsioni i protestave popullore.
E kemi provuar edhe më parë se sa herë jemi bashkuar rreth qëllimeve të mira, i kemi arritur edhe kur na dukeshin utopi. E kemi provuar para 27 vitesh, kur rrëzuam diktaturën komuniste, do të vinin zgjedhjet pluraliste. E kemi provuar në vitin 2005-2006, kur nënshkruam Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, e kemi provuar në 2008, kur morëm ftesën për t’u anëtarësuar në NATO, e kemi provuar, më 2010, kur shqiptarët lëvizin me pasaportë në xhep në vendet e Shengen, por kjo lëvizje po kërcënohet, sepse shumë prej shqiptarëve po i kthejnë në kufi dhe tani po kujton se çfarë të drejte të madhe kanë arritur. Kjo është thirrja ime në këtë fundvit, ndaj çdo shqiptari dhe shqiptare. Mos t’i mbajë sytë nga aeroporti apo trageti, por nga njëri-tjetri. Të bashkohemi në një aleancë vlerash dhe si çdo shoqëri tjetër europiane.

– Si mund të flasë një opozitë për institucionin e rëndë të zgjedhjeve kur vetë këtë institucion e ka vënë në dyshim?
Opozita, Partia Demokratike nuk e ka vënë në dyshim por ka ndërtuar dhe po ndërton traditën e zgjedhjeve brenda saj. Ky është procesi i dytë i zgjedhjeve një anëtar një votë për kryetarin e Partisë Demokratike. Absolutisht kam qënë i vëmëndshëm ndaj çdo kritiku dhe skeptiku, dhe disa prej tyre janë shprehur në mënyrë paragjykuese për garën para se ajo të ndodhte. Sikundër kandidati tjetër në garë është shprehur qartësisht për legjitimitetin e garës, natyrisht edhe për rezervat që ai ka patur për hallka apo për pjesë të procesit.
Në këtë garë, Partia demokratike është futur me garanci të plota që statute jep dhe çdo provë apo çdo pretendim përsa i përket rregullsisë së votimit duhej të ndiqej sipas garancive statutore që Partia Demokratike jep. Nuk ka ndodhur kjo gjë ç’ka më shtyn mua por edhe demokratët të besojnë se qëllimi nuk ka qënë të zbatohen rregullat dhe të mbahen përgjegjws ata që duhet të zbatojnë rregullat, por ka qënë diskreditimi apriori i një gare politke brenda partisë. Nuk është hera e parë dhe as e fundit që ndodh në një aprti politike, as në Shqipëri dhe as jashtë vendit. Unë mund tu them se cili është qendrimi im. Qwndrimi im është që kjo traditë demokratike që ka nisur, të fuqizohet edhe më tej. Që shkalla e vendimarrjes demokratike në Partinë Demokratike të shkojë më lart dhe të prekë të gjitha nivelet vendimarrëse që PD të arrijë apogjeun e demokracisë së brendshme përmes zgjedhjeve një anëtar një votë për të gjitha funksionet e rëndësishme përfaqësuese të Partisë Demokratike.
Kjo është bindja ime e thellë si kryetar i Partisë Demokratike dhe unë do të punoj fuqishëm me demokratët shqiptarë që të jemi ne partia e parë shqiptare që vë në zbatim këtë parim të shenjtë të demokracisë amerikane që është një standard që po aplikohet së fundmi edhe në partitë simotra europiane, por të jemi ne partia e parë shqiptare që e vëmë këtë në veprim jo thjeshtë si qëllim në vetvete, jo vetëm se na takon ne demokratëve, dallëndyshes së parë të pruralizmit politik por edhe si një mesazh të qartë ndaj shqiptarëve se vlera e votës së lirë, vlera e shprehjes së lirë të vullnetit do të garantohet njëherë e përgjithmonë në Partinë Demokratike në të gjitha nivelet e përfaqësimit, sot dhe nesër do të garantohet për çdo shqiptar, kur vjen puna për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në qeverisje qendrore apo qeverisje vendore.

– A ishte marrëveshja me Edi Ramën një gabim historik i karrierës tuaj të re politike, si kryetar i Partisë Demokratike?
Marrëveshja e 18 Majit ishte një marrëveshje e diktuar në një situatë unike dhe kritike për Shqipërinë e 27 viteve. Nuk ishte marrëveshja gabimi. Gabimi ishte investimi me një marrëveshje me një person që nuk e njeh marrëveshjen. Me një person apo faktor politik i cili provon se jo thjeshtë marrëveshja me kundërshtarin, por edhe fatin e Shqipërisë dhe shqiptarëve, që nga fëmijët e vegjël, që nga foshnjet e sapolindura e deri tek pensionistët në moshë të thyer, ka për borxh t’ia vërë në funksion egos së shfrenuar për pushtet dhe pasuri personale.
PD e gjen veten partner kryesor të faktorit ndërkombëtar për ndryshimin që po vjen dhe do të vijë pavarësisht përpëlitjeve të fundit të një karteli politico-kriminal, fati i të cilit është vulosur.

– Cili është një premtim që ju jepni sot dhe do ta mbani pas një viti?
Partia Demokratike do të vazhdojë të vendosë interesin e cdo shqiptari, interesin e familjeve shqiptare, të fëmijëve shqiptarë, punëdhënësve dhe punëmarrësve shqiptarë, fermerëve shqiptarë, mbi çdo interes tjetër. Ne nuk kemi asnjë interes tjetër përveç interesin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Siç kemi bërë deri më sot do të vazhdojmë ta vendosim interesin publik të parin. E kemi bërë këtë kur kemi luftuar krimin, kur kemi refuzuar dorën e shtrirë për bashkëpunim joparimor, kur kemi denoncuar drogën, kur kemi kërkuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, kur kemi votuar reformën në drejtësi dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë pa asnjë kompromis me të keqen.

Artikulli paraprakRënia e drejtësisë, Tahirit i rikthehet pasaporta
Artikulli tjetërFaqja e pare