Rënia e drejtësisë, Tahirit i rikthehet pasaporta

Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda ka shfuqizuar masën ndaj ish-ministrit Saimir Tahiri që i ndalonte daljen jashtë vendit. Apeli urdhëroi që ish-ministrit t’i kthehej pasaporta. Tashmë Tahiri është i lirë të largohet nga Shqipëria, ndonëse ndaj tij vijojnë hetimet për përfshirje të mundshme në trafikun e kanabisit drejt Italisë.
Në një seancë me dyer të mbyllura në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda, avokati i tij Maksim Haxhia dhe ish-ministri kanë këmbëngulur për heqjen e masës që u dha para tre javësh nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Pas argumentit se nuk kishte prova, kërkesa u pranua nga gjyqtarët Saida Dollani, Sokol Binaj dhe Nertina Kosova. Pas këtij vendimi, ish-ministri Tahiri uroi vetëm festat e fundvitit dhe nuk e përmendi më frazën që kishte filluar ta thoshte shpesh se do të fliste së shpejti. Një pyetje që iu drejtua ishte nëse do largohej jashtë vendit me pushime tani që mori pasaportën. Por, Tahiri nuk dha asnjë koment. “Gëzuar, gëzuar, do të flasë Maksi”, ishin fjalët e vetme të ish-¬ministrit për mediat, që prisnin një deklaratë të tijën.
Avokati i tij, Maksim Haxhia komentoi: “Gjykata vendosi shfuqizimin e dy vendimeve të datës 9 dhe 13, me anë të të cilave ishte vendosur ndalimi i zotit Saimir Tahiri për të dalë jashtë shtetit dhe sekuestrimi i pasaportës dhe kartës së identitetit”.
Në vendimin e 9 dhjetorit 2017, Gjykata për Krimet e Rënda bazohej në disa përgjime të ardhura nga autoritetet italiane, nga hyrje-daljet e Tahirit në kufi me mjetin e tij “Audi” pas shitjes dhe me mjete të familjes Sota si dhe dyshimin se 863 mijë euro të gjetura në mjetin e Orest Sotës i përkasin ish-ministrit.
Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për akuzat e trafikut të lëndëve narkotike, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe korrupsion të zyrtarëve të lartë. Prokuroria pretendon se në përgjimet e dosjes italiane përmendet emri i Saimir Tahirit, i cili dyshohet se ka ndihmuar grupin e Habilajve në kultivimin dhe trafikun e kanabisit. Gjithashtu, ai ka marrë nga ata pagesa dhe dhurata të ndryshme, të cilat janë përmendur në biseda mes trafikantëve.
Provat që Prokuroria e Krimeve të Rënda ka paraqitur në Gjykatë për Saimir Tahirin, tregojnë edhe lidhjet që ish-ministrit i Brendshëm ka me Orest Sotën. Këtij të fundit, më 1 nëntor iu gjetën në makinë një sasi prej 863 mijë euro, për të cilat organi i akuzës ka dyshime se lidhen me aktivitete të paligjshme të Tahirit.
Sipas hetimeve të Prokurorisë, të paraqitura në Gjykatën e Krimeve të Rënda, “të dhënat e marra nga sistemi Tims japin njoftime për njohjen midis shtetasit në hetim Saimir Tahiri e ish-shoferit të tij, Gentian Çeka, me shtetasin Orest Sota dhe familjarët e këtij të fundit, për shkak të disa udhëtimeve jashtë shtetit, me automjete të njëjta”.
Më herët, në Shkallën e Parë u shqyrtua edhe kërkesa e biznesmenit Orest Sota, i cili përsëriti për të disatën herë të lërë paraburgimin, duke ofruar sipas ligjit garanci pasurore. Gjykata e rrëzoi kërkesën e 25-vjeçarit, i cili po hetohet në dosjen “Habilaj”, pasi u bllokua në automjet nga një postbllok policor me 863 mijë euro. Avokati dhe familja e Sotës këmbëngulin se kjo shumë do t’i paguhej si garanci kompanisë “Kurum”, ndërkohë që edhe Prokuroria gjatë seancës së radhës është tërhequr nga qëndrimi i mëparshëm se kjo shumë mund t’i përkasë ish-ministrit të Brendshëm.
Sipas burimeve, Prokuroria ka kërkuar vazhdimin e masës “arrest me burg”, ndërkohë që për enigmën se kujt i përket kjo shumë, ka heshtur në Gjykatë. Avokati Fatmir Braka tha se do t’i drejtohet sërish Gjykatës së Apelit për të kërkuar lirimin e Orest Sotës, djali i biznesmenit të njohur Lefter Sota.

Artikulli paraprak15 atentate me armë dhe tritol për drogën në Vlorë
Artikulli tjetërPërpëlitjet e fundit të kartelit në qeveri