Perisiç rinovon me Interin deri më 2022

Pasi refuzoi të gjitha ofertat që i erdhën gjatë merkatos së verës nga Manchester United për kartonin e tij, Interi blindon Ivan Perisiç me një kontratë të re. Marrëveshja ishte arritur prej kohësh, por tashmë ka ardhur edhe zyrtarizmi. Kroati ka hedhur firmën mbi kontratën e re që do ta mbajë të lidhur me klubin zikaltër deri në vitin 2022. Trajneri Luciano Spalletti e konsideron Perisiç-in një futbollist shumë të rëndësishëm për skemat e tij dhe ishte pikërisht trajneri italian ai që vendosi veton që 28-vjeçari të mos largohej me drejtuesit e Interit që refuzuan plot 50 milionë euro nga United, për sulmuesin e krahut edhe pse Jose Mourinho e dëshironte me çdo kusht në “Old Trafford”.
Në pamundësi për të firmosur me një lojtar të madh në këtë merkato, Spalletti mund ta gjejë te Perisiç top-player që kërkonte, sepse kroati tashmë është sërish i lumtur, synon të shpërthejë përfundimisht me ngjyrat zikaltër. Nga kontrata e re me Interin, Perisiç do të përfitojë një pagë të përafërt me kapitenin Icardi, sipas asaj që raportojnë mediat italiane në xhepat e kroatit do të përfundojnë 4,5 milionë euro plus bonuset. Për numrin 44 ky është sezoni i tretë me Interin, me Perisiç që deri tani ka zhvilluar në total 81 paraqitje duke realizuar dhe 21 gola. Menjëherë pas firmës mbi kontratën e re Perisiç deklaroi se kjo është një ditë speciale për të. “Jam i emocionuar dhe shumë i kënaqur pas stresit që përjetova gjatë kësaj vere, tani mendoj vetëm për Interin. Spalleti më pëlqen si trajner dhe ma ka bërë të qartë që me të mund të përmirësohem shumë më tepër”, theksoi sulmuesi kroat.

Artikulli paraprakMungoi Mavraj, Hamburgu u mposht nga Liepzig
Artikulli tjetërDebuton me gol