Përfundon marrja e fundit në pyetje e Thaçit në Hagë, ja kur jepet vendimi i procedurës paraprake

Ka përfunduar marrja në pyetje e presidentit Hashim Thaçi në Gjykatën Speciale në Hagë. Intervista e tij ka përfunduar para pak minutash dhe bëhet e ditur se nuk do të ketë më intervistim të tij para Prokurorit të Specializuar.

Kjo është dita e katërt radhazi, që presidenti Thaçi, është marrë në pyetje, teksa intervistimi i sotëm filloi në orën 14:00. Pas intervistimit, që zgjati gjashtë orë, Thaçi nuk u prononcua për mediat.

Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi muajin e kaluar se në 24 prill kishte paraqitur një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.

Aktakuza tashmë ndodhet në duart e gjykatësit të procedurës paraprake, i cili ka maksimum gjashtë muaj kohë, nga muaji prill, për ta konfirmuar ose për ta hedhur atë poshtë. Me konfirmimin e cilësdo prej akuzave të rreshtuara aty, i dyshuari bëhet i akuzuar dhe gjykatësi i procedurës paraprake mund të lëshojë një fletarrest apo një urdhërparaqitje.

Thaçi e ka bërë të qartë më herët se nëse aktpadia ndaj tij konfirmohet, ai do të japë dorëheqjen nga posti i presidentit.

Artikulli paraprakPërsëri lëkundje tërmeti në Shqipëri, ja ku ishte epiqendra
Artikulli tjetërKleptokratët e Putinit, KGB-ja, dorasit, mafia. Një panoramë e ngjashme me regjimin e Tiranës