Për tre vite, 5828 persona të dënuar për energjinë

Prokuroria e Përgjithshme ka raportuar në Kuvend se gjatë tre viteve të fundit 5828 persona u ndoqën penalisht se kishin vjedhur energjinë. Dosjet penale të energjisë duket se kanë rezultuar të suksesshme, pasi gjykata ka dhënë dënime për të gjithë personat që janë denoncuar për vjedhje energjie.
Sipas të dhënave të Prokurorisë në vitin 2016 u ndoqën penalisht se kishin vjedhur energjinë 1237 persona, një numër relativisht më pak se më 2014-2015, ku ishin mbi 2000 të tillë, pasi aksioni kundër vjedhjeve të energjisë ishte në kulmin e tij.
Nga totali i dënimeve për vjedhje më 2016, 42 për qind ishin për energjinë elektrike. Në vitin 2015 ishin proceduar për vjedhjen e energjisë 2082 persona dhe ishin dënuar 2115 persona, një numër më i lartë se procedimet. Ndërsa në vitin 2016 u proceduan penalisht 1276 persona për vjedhje energjie dhe u dënuan 1144 persona, për shkak se barra e provës në këtë segment të vjedhjes ka qenë më e lehtë.
Për vjedhjet e tjera, dënimet në raport me procedimet kanë shumë hendek në raporte. Nga 10056 vjedhje të proceduara kanë përfunduar me dënim në gjykatë vetëm një e dhjeta ose 1345 raste.
Qeveria shqiptare ndërrmori një aksion për arkëtimin me forcë të faturave të energjisë në vitin 2014, duke aktivizuar edhe Policinë e Shtetit. Nga ky aksion, kompania e shpërndarjes së energjisë që kishte prekur falimentin nga administrimi CEZ tashmë është në fitime miliona euro.
Fitimi i OSHEE arriti në 10.4 miliardë lekë më 2016. Pagesat e faturave kanë lehtësuar borxhet në sektor dhe kanë ndihmuar OSHEE-në të kryejë investime në rrjetin e shpërndarjes së energjisë.

Artikulli paraprakTrafiku i 12 kg kokainë të pastër nga Holanda në Bari, arrestohet shqiptari
Artikulli tjetërSulmohet një i ri në Tiranë, përfundon rëndë në spital