Për halabakët e vërtetë!

Gjatë këtyre ditëve, retorikës së Ramës dhe të lakenjve të tij pa shpinë duke i quajtur të rinjtë halabakë dhe të paguar, i kanë bërë iso të madhe edhe 3 puthadorët e shërbëtorët e tij, Ben Blushi, Carlo Bollino dhe Mero Baze, së bashku me të tjerë, si lëpirës së një kategorie më të ulët.

Këta tre individë, përmes medies së tyre shërbëtore të pushtetit kanë anatemuar dhe stigmatizuar të rinjtë protestues, duke i bërë jehonë pandehmës se të rinjtë janë të paguar nga partitë opozitare. Si dëshmitarë të përditshëm në terren të protestës një gjë e tillë nuk është aspak e vërtetë. Këtë e di fare mirë çdokush që ka qenë këto ditë në sheshet dhe rrugët e Tiranës.

Dëgjoni disa nga prononcimet e këtyre djemve dhe vajza të reja që dinë ta artikulojnë qartësisht dhe plot arsye pse kanë dalë në shesh. E vetmja pagë që i ka mobilizuar këta të rinj ka qenë mllefi dhe inati i akumuluar në zemrat e tyre përballë dhunës dhe vrasjes së policisë, e shtetit shtypës. Prandaj u thyen dhe u goditën objektet publike, si një simbolikë kundrejt ngrehinës së shtetit të pushtetit.

Por Blushi, Bollino dhe Baze, e shohin gjithçka si të paguar dhe partiake sepse janë vetë kryekëput të tillë.

Blushi, “rebeli” i shfryrë i PS-së, tashmë drejton një media tejet të njëanshme dhe bajate dhe të lidhur me aferat e inceneratorëve e bashkinë e Tiranës. Blushit nuk i mungojnë as vetë mëkatet me zaptime pronash dhe favore qeveritare apo nga Veliaj.

Bollino është pronari më i madh mediatik që ka marrë llokma nga qeveria. Marrëdhënia e tij dhe gruas së tij me Endri Fugën dhe Veliajn është kthyer në një biznes tashmë, ku në shkëmbim të lajmeve, Rama dhe Fuga i japin para, projekte dhe prona publike.

Mero Baze, një gazetar në nivelin e Frrok Çupit për nga pështirosja profesionale, është puthadori më i devotshëm i qeverisë, me një djalë të punësuar në bashkinë e Tiranës dhe me një marrëdhënie okulte me qeverinë, shërben si një megafon i ulët për gojën e qeverisë.

Këta individë i kanë shitur shpirtin dhe profesionin Djallit në pushtet për ca interesa dhe para më shumë. Jo thyeja e semaforëve dhe xhamave, por kjo është halabakëria e vërtetë.

Ju jeni halabakë! /Lolita

Artikulli paraprakPas SMS-së, Genc Sejko u paraqit sot në polici, ja çfarë ndodhi gjatë marrjes në pyetje
Artikulli tjetërKrimi godet përsëri! Vritet me armë 51-vjeçari në Rrëshen!