Pepe, gati rinovimi me Real Madridin

Përpara disa muajsh dukej e sigurtë lamtumira e Pepes nga Reali i Madridit. Mbrojtësi portugez është në vitin e tij të fundit të kontratës me Los Blancos dhe deri para pak javësh në drejtim të tij nuk kishte ardhur asnjë ofertë nga klubi merengues për zgjatjen e bashkëpunimit, por në vetëm pak kohë duket se gjërat kanë ndryshuar. Paraqitjet e fundit të 34-vjeçarit kanë bindur drejtuesit e Realit për t’i ofruar një kontratë të re shtatlartit luzitan me origjinë braziliane. Pepe në derbin ndaj Atleticos ishte autori i golit të vetëm të Los Blancos, por në atë sfidë qendërmbrojtësi pësoi edhe një dëmtim dhe do të jetë një mungesë shumë e rëndësishme për trajnerin e Realit, Zidane gjatë këtij muaji.
Ai konsiderohet një rezervë luksi, sepse sa herë i jepet mundësia për të luajtur tregon klas dhe shumë personalitet në fushë. Në kampin madrilen e konsiderojnë Pepen zëvendësuesin ideal të francezit Varane, kur ky i fundit mungon dhe duke filluar që nga stafi e deri tek presidenti Perez të gjithë duan që portugezi të qëndrojë në “Santiago Bernabeu”. Në orët e fundit, drejtuesit e Los Blancos kanë nisur bisedimet me menaxherin e futbollistit të famshmin Jorge Mendes, për të zgjatur kontratën e 34-vjeçarit për të paktën me një tjetër sezon. Pepe është pjesë e Los Blancos që nga viti 2007 dhe si shpërblim për atë çfarë ka dhënë te Reali gjatë këtyre 10 sezoneve meriton një kontratë të re. Edhe pse dukej pothuajse i sigurtë largimi i tij në një tjetër skuadër në fund të këtij sezoni, tashmë gjasat janë që Pepe të vazhdojë aventurën e tij me klubin merengues.

Artikulli paraprakBota e futbollit solidarizohet me Dortmundin
Artikulli tjetërNishani-Hoxhaj, rakodim për politikën mes dy vendeve dhe Maqedonisë