PDK konteston rezultatin zgjedhor për kryetar të Prizrenit

Partia Demokratike e Kosovës i është drejtuar me ankesa Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në lidhje me rezultatin zgjedhor për kryertarin e komunës së Prizrenit.
Blerand Stavileci, nga PDK, gjatë një konference për media tha se Vetëvendosje ka ndërmarrë shumë veprime abuzive ditën e zgjedhjeve, por edhe gjatë numërimit të votave në Prizren.
“Kishte veprime abuzive, shantazhe, kërcënime, sulme ndaj organeve dhe zyrtarëve shtetëror dhe është përdorur fenomeni i njohur si ‘treni bullgar’”, tha Stavileci.
Ai tha se PDK nuk i frikësohet rikthimit të procesit, qoftë në rinumërim apo edhe në rivotim.
Në Prizren, kandidati i PDK-së Shaqir Totaj, sipas rezultateve aktuale të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka humbur garën për kryetar nga kandidati i Vetëvendosjes, Mutahir Haskukaj.
PDK pretendon se manipulime kishte sidomos gjatë numërimit të votave me kusht dhe me postë.

Artikulli paraprakKoreja e Veriut lëshon raketë të re balistike
Artikulli tjetërMerkel: T’i kundërvihemi migracionit ilegal