PD në Himarë për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve

Deputeti i PD, Tritan Shehu ishte i ftuar në emisionin “45 Minuta” të gazetarit Denis Minga në “Report Tv”. Ai deklaroi se PD ishte në Himarë për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve, të cilat po shkelen nga qeveria, pasi ka interesa të disa personave.
“Nuk është hera e parë që PD është në krah të banorëve, kundër dëmtimit të pronës private pa kriter në funksion të ca interesave të grupeve financiare. PD është renditur edhe më parë në krah të qytetarëve, si në rastin e Shkozës. Qytetarët po keqtrajtohen.
Himara është Shqipëri, banorët e Himarës janë qytetarë të Shqipërisë, është detyra e PD që të shkojë kudo të mbrojë interesat e qytetarëve. Në Himarë kërkohen të merren nëpërkëmbë interesat e qytetarëve në kundërshtim me ligjin, pa kompensimin financiar, në mënyrë të shpejtuar. Janë interesat e atyre që duan të marrin me koncesion një pjesë të zonës atje.
Kryeministri që bëri pyetjen sot denigroi një pjesë të shqiptarëve, i ndau nga pjesa tjetër, kërkoi t’i kompleksojnë opinionin ndaj një veprimi të drejtë. Ajo që ne bëmë është demokratike. Nuk ka pse të ngatërrojmë qëndrimet këtu me qëndrimet në Greqi. Nuk varemi nga Greqia, mbrojmë interesat e qytetarëve. Në Himarë ka shkelje të shqiptarëve, me apo pa etni greke.
Integrimi nuk ka lidhje me Himarën, por me drogën. Por çdo veprim arbitrar që kryet nga shteti dëmton edhe procesin e integrimit. Edhe në Shkozë ishte një ndërhyrje arbitrare”, deklaroi ai.
Deputeti i PD theksoi në “Report Tv” se marrëveshja e detit me Greqinë është e rregullt dhe se do të qëndrojë. “Marrëveshja ka qenë e rregullt, edhe sot i qëndroj. Brenda të gjitha standardeve dhe të drejtave ndërkombëtare, normale. Vendimi i Gjykatës ishte për procedurën se mungonte dekreti a nisma e Presidentit. Të jeni i bindur se kjo marrëveshje do të rrijë, mund të lëvizë 2 cm këtu apo aty, por do të rrijë, ishte lojë e Ramës”, deklaroi ai.
Duke u ndalur të marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, Shehu u shpreh se ato janë në pikën më të keqe të mundshme. Ai theksoi se qeveria ka mungesë vizioni në politikën e jashtme. “Marrëdhëniet me Greqinë janë në pikën më të keqe të mundshme për faj të Ramës, të aventurizmit politik”, deklaroi ai.
Deputeti i PD komentoi edhe largimin e kreut të SHISH, Visho Ajazi Lika. “E kam njohur si nëpunës të mirë, të devotshëm dhe korrekt, ka punuar me mua, në sektorin e zbulimit të Ministrisë së Jashtme. Për drejtorin e ri nuk është diskutuar fare”.
Emërimi i 11 prefektëve nga radhët e ish-ushtarakëve, Shehu thotë se përçon një mesazh negativ. “Jep një mesazh të keq dhe të gabuar, do të perceptohet keq edhe nga ndërkombëtarët, pasi tingëllon si militarizim i administratës. Është një koncept arkaik. Jam i bindur që do të falimentojë.

Artikulli paraprakTalibanët dhe Rama furnizojnë Europën me drogë
Artikulli tjetërRama nuk e mohon lidhjen e Olsit me kokainën e Xibrakës