PD, Alfrida Marku Dedgjonaj: Procesi i rindërtimit, qeveria mungesë transparence dhe fatura fiktive për rritjen e kostove të ndërtimit

“4 vite nga tërmeti i 26 nëntorit, për 894 familje në qarkun Lezhë, gjendja mbetet pa zgjidhje, duke u vështirësuar cdo ditë e më shumë. Në Bashkinë Kurbin, 841 familje janë pa shtëpi, si dhe prej 8 muajsh nuk marrin as bonusin e qirasë.” – kështu shprehet në një prononcim në profilin e saj facebook, anëtarja e kryesisë së PD-së, Alfrida Marku Dedgjonaj.

Zyrtarja demokrate ngre shqetësimin e listave fiktive, ndryshimin e kategorisë së dëmeve të shkaktuara dhe tenderat abuziv me fitues të paracaktuar.

“Me lista fiktive, ndryshim të kategorisë së dëmit të shkaktuar, tendera abuziv me fitues të paracaktuar, miliarda lek të shpenzuara për projektim e jo për rindërtim, me punime të dobëta duke lënë qytetarët të ekspozuar ndaj rrezikut, procesi i rindërtimit ka rezultuar i dominuar nga abuzimet, dhe ska patur në fokus mirëqenien e rimëkëmbjen e familjeve të cilat u përballën me pasojat e tërmetit.” – shkruan ajo.

Më poshtë postimi i plotë i anëtares së kryesisë së PD-së, Alfrida Marku Dedgjonaj:

“4 vite nga tërmeti i 26 nëntorit, për 894 familje në qarkun Lezhë, gjendja mbetet pa zgjidhje, duke u vështirësuar cdo ditë e më shumë.

Në Bashkinë Kurbin, 841 familje janë pa shtëpi, si dhe prej 8 muajsh nuk marrin as bonusin e qirasë.

Në Bashkinë Lezhë, për 12 familjet e pallatit 47 në qendër të qytetit dhe 41 familjet në njesitë administrative të tjera, nuk ka asnjë zgjidhje apo projekt konkret për ndërtimin e banesave të tyre.
1.15 miliard euro iu akorduan Shqipërisë në Konferencën e donatorëve në vitin 2020.
80 miliard lekë të alokuara nga Buxheti i shtetit është fatura solidare e deritanishme e taksapaguesve shqiptarë për të përballuar pasojat e tërmetit; 7 miliard lekë të tjera janë parashikuar në projekt-buxhetin për vitin 2024, ndonëse kryeministri dhe ministri i rindërtimit, prej vitit 2021, cdo vit pasaardhës e kanë deklaruar si fundin e procesit të rindërtimit. Por, miliardat shtesë në cdo vit të ri buxhetor, kjo qeveri i ka përdorur për të mbuluar abuzimet e vjetra.

Me lista fiktive, ndryshim të kategorisë së dëmit të shkaktuar, tendera abuziv me fitues të paracaktuar, miliarda lek të shpenzuara për projektim e jo për rindërtim, me punime të dobëta duke lënë qytetarët të ekspozuar ndaj rrezikut, procesi i rindërtimit ka rezultuar i dominuar nga abuzimet, dhe ska patur në fokus mirëqenien e rimëkëmbjen e familjeve të cilat u përballën me pasojat e tërmetit.

Autoritetet përgjegjëse, ministria e rindërtimit dhe Bashkitë, nuk kanë informacion kur do përfundojë procesi i rindërtimit! Nuk ka transparencë për dëmet e shkaktuara, faturën e rindërtimit dhe koston e procesit në tërësi; të gjitha këto në fakt, për të mbuluar fiktivitetin dhe abuzimet e kryera në mënyrë të vazhdueshme.

Nuk ka transparencë për 295 milion euro grante dhe 853 milion euro në formën e kredive të buta, që iu akorduan Shqipërisë në konferencën e donatorëve të 2020.

A kanë qenë qeveria shqiptare dhe Bashkitë kompetitive dhe transparente, apo Kreditë e buta dhe grantet e akorduara për tërmetin në konferencën e donatorëve, do kenë fatin e Fondeve të tjera të akorduara nga BE?!!

U bëj thirrje Bashkisë Lezhë dhe Bashkisë Kurbin për zgjidhjen urgjente të situatës së 53 famljeve në Lezhë dhe 841 familjeve në Kurbin.

Inkurajojmë autoritetet të hetojnë dhe vënë para përgjegjësisë autorët e keqmenaxhimit të fondeve dhe abuzimeve me procesin e rindërtimit.”

Artikulli paraprakEuropol i dorëzon te SPAK listën e policëve që dalin në aplikacionin e krimit, SKY e EncroChat
Artikulli tjetërNdotja akustike në Shqipëri mbi normat e BE-së, ja cila është zona më e zhurmshme e Tiranës