Pasi dështuan me grurin që u nxit nga subvencionet, fermerët e Korçës u kthehen patateve dhe qepëve

Fermerët janë në sezonin e mbjelljeve të patates dhe qepëve. Fermerët e fushës së Korçës të kënaqur sivjet nga çmimi i shitjeve kanë shtuar të mbjellat për këto kultura.

 

Prej fillimit të muajit mars në fshatrat, si: Pojan, Pirg, Zvirinë, Moglicë, Mollas etj. sipas agronomit të Nevion Telha të mbjellat me bimët prashitëse janë rritur 30% krahasuar me vjet.

Shtimi i të mbjellave u ndikua nga rritja e kërkesës sipas tij kryesisht në tregun vendas, por edhe për eksport. Telha pohon se aktualisht qepa e thatë po tregtohet nga fermerët me shumicë me çmim 80 lekë për kg. Sipas tij çmimi është i leverdishëm për fermerët.

“Tregu i brendshëm ka uri për patate dhe qepë. Kërkesa e lartë në tregun e brendshëm është pasi për këtë vit nuk ka të hyra të këtyre kulturave nga importi, veçanërisht nga Serbia apo Kosova. Çmimi është i leverdishëm. Këto janë kultura prashitëse që iu vjel prodhimin brenda 3 muajve. Për këto arsye fermerët e fushës së Korçës kanë rritur të mbjellat. Ndërsa në zonat kodrinore nuk ka shtim të mbjelljeve, pasi janë zona të braktisura”, veçon ai.

Çmimi i patates dhe qepës në tregun e pakicës varion 110 lekë për kg. Tregtarët e vegjël pohojnë se krahasuar me vjet çmimet mbeten të njëjta.

Agronomi Nevion Telha nuk parashikon rritje të çmimit me shumicë të këtyre produkteve, pasi pritet që sasia e prodhimit të jetë e lartë. Ai shton se në zonën e Korçës sivjet nuk ka pasur stok të pashitur për pataten dhe qepen e thatë.

Në vitin 2022 sipas të dhënave të INSTAT në vend u prodhuan 108,913 ton qepë e thatë. Krahasuar me 2021 prodhimi u rrit rreth 1%. Në qarkun e Korçës prodhimi i qepës u rrit rreth 2,5%.

Fermerët vijojnë të orientojnë të mbjellat e tyre në bazë të kërkesës së tregut. Në zonën e Korçës sipas Nevion Telha për këtë sezon (gruri në fushat e Korçës mbillet në muajt tetor-nëntor) të mbjellat me grurë janë ulur 40% krahasuar me sezonin e kaluar. Shkak është rënia e çmimit.

“Shumica e grurit të korrur sezonin e kaluar ka mbetur stok në shtëpitë e fermerëve që do të përdoret si tagji (lëndë ushqyese) për kafshët. Kjo situatë u shkaktuar tërësisht nga rënia e fortë e çmimit të grurit. Në 2022 gruri u shit 50 lekë për kg, ndërsa aktualisht kërkohet me çmim 28 lekë për kg. Nëse gruri shitet me çmimin nën 40 lekë për kg është nën kosto prodhimi”.

Për shkak të ndërprerjes së furnizimit të zinxhirit ushqimor nga lufta Rusi-Ukrainë dhe për të nxitur pavarësinë ushqimore të vendit për prodhimin e grurit, më korrik të 2022 për herë të parë Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR) miratoi masën e posaçme për subvencione direkte në vlerën e 30,000 lekëve në mbështetje të fermerëve që prodhojnë mbi 1 ha grurë.

Nga fermerët subvencionet u përfituan më maj të 2023. Financimi shtoi rreth 40% të mbjellat, por fermerët e shitën grurin nën kosto, pasi çmimi u përgjysmua krahasuar me 2022. Për këtë vit kultura e grurit nuk u përfshi në skemën kombëtare për dhënien e subvencioneve direkte.

Ndërsa do të vijojë të mbështetet nga dhënia e naftës pa akcizë. Sivjet nafta do të përfitohet nga fermerët në formën e pagesave. Për grupin e dytë e të mbjellave, si: grurë, tërshërë, thekër, elb), foragjere njëvjeçare, industriale (patate, duhan, panxhar, pambuk vlera që do të përfitohet është 12,784 lekë/ha. /Monitor

Artikulli paraprakFOTO/ Hakerat nuk kursejnë as Giorgia Melonin, kryeministres italiane i vjedhin llogarinë e “Instagram-it”. Ja çfarë postuan në emër të saj
Artikulli tjetërÇfarë do të thotë një armë bërthamore e vendosur në hapësirë?