Pas Zharrëzëz, puset e naftës rrezikojnë jetën e banorëve të Visokës në Mallakastër

Puset e naftës rrezikojnë jetën e banorëve të fshatit Visokë në Bashkinë e Mallakastrës, është ky konstatimi i bërë nga kamera e emisionit investigativ “BOOM”. Nafta dhe gazi vazhdojnë të rrjedhin nga puset e hapura, ndonëse është një kompani private e cila merret me shfrytëzimin e puseve dhe kujdesin ndaj tyre, ato sërish kanë dalë jashtë funksioni, duke vënë në rrezik jetën e banorëve nga shkalla e lartë e ndotjes së shkaktuar. Rreth 1200 banorë të fshatit jetojnë çdo ditë nën ajrin e ndotur, ndërsa problemet shëndetësore të tyre janë të vazhdueshme, veçanërisht sëmundjet e gjakut. Po ashtu nga banorët raportohet se përveç ndotjes masive të ajrit dhe tokës bujqësore, ata nuk kanë ujë prej më se 25 vitesh. Sikur të mos ju mjaftojë kjo, ata duhet të bëjnë më shumë se një orë rrugë për të siguruar ujë të pijshëm. Sipas banorëve, uji i tyre nuk mund të përdoret as për të larë rrobat, si shkak i ndotjes së shkaktuar. Po ashtu, banorëve ju duhet të udhëtojnë rreth 7 km për të shkuar tek mjeku më i afërt që është në Ballsh, nga ku infermierja e vetme që ndodhet në fshat tregon edhe për sëmundjet më të shpeshta që prekin njerëzit që jetojnë aty.

Kapllanaj: Beteja me kompanitë që shfrytëzojnë puset e naftës e humbur

Kryetari i Bashkisë së Mallakastrës, Agron Kapllanaj thotë se, ka një projekt që prej vitit 2013, por nuk ka financim. Vlera e projektit është rreth 100 milionë lekë, ndërsa shton se beteja kundër kompanive që shfrytëzojnë naftën është një betejë e humbur. “Që nga 2013 që projekti është gati, por nuk gjejmë financim dhe fatkeqësisht ne me këto të ardhura që kemi në bashki, e kemi të pamundur ta financojmë”, shprehet ai.
-Sa është vlera e këtij projekti?
Vlera e këtij projekti shkon diku afërsisht te 100 milionë lekë të reja.
-Problemi që ne konstatuam aty ishte edhe ndotja e tokës nga kompanitë që shfrytëzojnë naftën. Jeni në dijeni të kësaj problematike?
Absolutisht që jemi në dijeni dhe beteja jonë si njësi vendore ka qenë dhe vazhdon të jetë, por që një betejë që për hir të vërtetës, më vjen keq që e them, por është një betejë e humbur, që nuk e kemi fituar deri më sot. Këto kompani duhet të punojnë me standarde dhe të mos ndotin tokën e banorëve, apo dhe mjedisin, gjë e cila ndodh rëndomtë. Fatkeqësisht, ata banorë janë gjithmonë nën efektin e ndotjes.
-Pse mund të themi se është betejë e humbur? Ku çalon puna?
Është një betejë e humbur për shkak të mbështetjes që pushtetit vendor i jepet qoftë me ligj, qoftë edhe kur ligji ekziston qoftë me mekanizma të tjera që duhet të mbështetet në ligj, pasi shteti është gjithmonë mbi pushtetin vendor, pushtetin qendror dhe ne, edhe pse kërkojmë mbështetje, edhe pse bëjmë gjithë atë sakrificë dhe përpjekje, fatkeqësisht vazhdojnë të derdhen në ambient, të shkarkohen në ambient, të shkarkohen në Lumin Gjanica dhe nuk kemi një mbështetje nga pushteti qendror edhe kur ne konstatojmë dhe dërgojmë shkresa apo kërkojmë verifikimin në vend nga institucionet qendrore, vijnë bëjnë atë verifikimin në vend, por nuk marrin asnjë masë dhe kjo na bën që të demoralizohemi.

Koncesionarët e naftës në konflikte për borxhe

Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore ka njoftuar në kuadër të analizës vjetore për vitin 2016 se, kompanitë që shfrytëzojnë me koncesion fushat naftëmbajtëse në vendin tonë nuk kanë bërë transparente dokumentet financiare sipas detyrimeve ligjore. Miratimi i planeve të zhvillimit dhe buxheteve për vitin 2017, por edhe të dokumenteve të tjerë të rëndësishëm, ende nuk është bërë. Për vitin 2017, është miratuar vetëm buxheti i kompanisë Sherwood International, ndërsa kompanitë e tjera ende nuk e kanë finalizuar. “Duhet të evidentojmë faktin që këto programe duhej të ishin dërguar për miratim pranë AKBN qysh në fund të muajit tetor 2016. Me gjithë përpjekjet tona, duke përsëritur kërkesën disa herë, ende nuk është bërë e mundur të konkludohet me këto miratime. Përgjegjësi në këtë proces ka kompania Albpetrol, e cila në të gjitha rastet dhe gjatë gjithë kohës, nuk ka respektuar afatet e përcaktuara në marrëveshje. Mendojmë se duhet t’i kërkohet me forcë MEI që të detyrojë Albpetrolin zbatimin e kërkesave të marrëveshjeve dhe licencave për afatet. Asnjëherë vonesat nuk kanë ardhur nga AKBN”, thuhet në raportin e analizës vjetore. AKBN sqaroi se në mungesë të “Programeve të Punës dhe Buxhetit 2016” të kompanive, Sektori i Monitorimit të Investimeve në Agjenci, planifikoi planin e monitorimeve të investimeve, duke u mbështetur në raportimet mujore dhe tremujore, të kompanive. AKBN vuri në dukje se, shlyerja e detyrimeve reciproke midis kompanive që janë në marrëveshje hidrokarbure është edhe konflikti kryesor që ka lindur deri tani në marrëdhëniet midis Albpetrolit dhe këto kompani si palë në marrëveshje. “Nga ana jonë, jemi përpjekur maksimalisht dhe kemi kërkuar shlyerjen në kohë të këtyre detyrimeve pa lejuar akumulimin e tyre. Rasti i fundit është vendimi i marrë nga Albpetrol për mbylljen e marrëveshjeve hidrokarbure që kjo kompani ka nënshkruar me kompaninë TransAtlantic për vendburimet Ca-Mo dhe Go-Ko, ku konflikti kryesor ka qenë dhe mbeti pamundësia financiare e kompanisë TransAtlantic për shlyerjen e menjëhershme të detyrimeve te akumuluara në kohë, për një periudhë të gjatë”, sqaroi më tej AKBN.

Artikulli paraprakÇfarë kërkojnë vërtet rumunët
Artikulli tjetërFarsa e Ramës me drogën tani që ka mbaruar korrja