Çfarë kërkojnë vërtet rumunët

Mircea Geoana

Një muaj më parë, pamjet e qindra mijëra rumunëve që protestonin para ndërtesës së qeverisë në Bukuresht dhe në qytete të tjera të Rumanisë, nisën të shpërndahen në mbarë botën. Mund të jetë dukur thjesht një tjetër kthesë popullore, drejt demagogjisë së krahut të djathtë, në një kohë kur besimi tek demokracia po venitet. Por nuk është kështu.
Kjo lëvizje proteste është, në fakt, një sinjal për botën se në këtë cep të Evropës, demokracia dhe idealet e saj janë të gjalla dhe të forta – që struktura qytetare e shkatërruar gjatë dekadave të shtypjes komuniste është “shëruar” dhe njerëzit duan të përsosin demokracinë e tyre e jo ta dobësojnë atë.
Protestat kishin në shënjestër një vendim të qeverisë, që do të kishte zhbërë një fushatë kombëtare kundër korrupsionit, në të cilën Rumania ka arritur fitore të rëndësishme, por jo të plota, në vitet e fundit. Rryshfetmarrja dhe nepotizmi ekzistojnë ende dhe njësohen për nivelet e lartë të varfërisë, polarizimin, si dhe padrejtësinë sociale e ekonomike; këto, nga ana e tyre, kanë shtyrë miliona të rinj rumunë që të largohen në vende të tjera të Bashkimit Europian, SHBA apo Kanada. Megjithatë, mbetën mjaftueshëm të rinj rumunë, për të mbushur rrugët në të ftohtin e acartë dhe në fund, ata detyruan qeverinë që të braktisë vendimin famëkeq.
Këto nuk janë protestat e para spontane këtu dhe në emër të pushtetit të popullit. Ato nisën tre vjet më parë, me fundin e presidencës së diskredituar të Traian Basescut. Vazhduan me kundërvënien ndaj përpjekjeve të korporatave të huaja, për të nxjerrë flori prej vendbanimeve historike të epokës romake në malet e Transilvanisë. Dhe rinisën përsëri, kundër qeverisë së kryeministrit të asaj kohe, Victor Ponta, pas një zjarri të tmerrshëm në një klub nate të Bukureshtit.
Ajo që ka përjetuar Rumania, është një shpërthim politik antielitë, me një tërbim që i ngjan asaj që shohim në Evropë dhe Amerikë, por origjina dhe qëllimet e të cilit, janë diametralisht të kundërta. Këta “indignados” rumunë, si janë quajtur protestuesit, nuk janë të pakënaqurit kollareblu, ruralë, antiglobalizim, që votuan për Brexit apo ndihmuar ngjitjen e Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë. Ata janë kryesisht njerëz të rinj, urbanë, të arsimuar në kolegje, me punë të paguara mirë në korporatat shumëkombëshe dhe banka, që përbëjnë edhe punëdhënëset kryesore të talenteve të reja vendase. Pra, ata nuk janë duke protestuar kundër globalizimit apo Bashkimit Evropian. Zgjidhja që ata kërkojnë do të jetë më shumë globalizim, një Europë më e fortë, më shumë përfshirje amerikane në NATO dhe në rajonin tonë. Ata janë instinktivisht kundër çdo muri – fizik apo të padukshëm – që mund të jetë ngritur, në një përpjekje të kotë për të ndaluar lëvizjen e lirë të njerëzve, ideve, kapitalit apo teknologjisë.
Këtu, vala e opinionit të zemëruar, rend jo drejt frikës nga të huajt dhe tolerancës për të fortët kleptokratë. Në vend të kësaj, ajo kërkon spastrimin e një elite politike, e cila në shumë pika, është ende e lidhur me baronët ekonomikë që devijojnë financimet publike, larg nga investimet që nevojiten dëshpërimisht në shëndetësi, arsim dhe infrastrukturë. Një ryshfetmarrje dhe nepotizëm i tillë, është thelbi i mërisë së tyre.
Ky qëndrim ka rrënjë historike, kulturore dhe politike. Rumania ndodhet në vijat ndarëse të Evropës, ku çdo ndryshim në ekuilibrin gjeopolitik, ka një efekt të menjëhershëm në interesat tona. Ne kemi zhvilluar gjatë historisë sonë të përvuajtur, një sistem kolektiv të paralajmërimit të hershëm, i cili zbulon rrezikun, kur “loja e madhe” në mesin e fuqive të mëdha, është në përgatitje e sipër. Dhe ky është një moment i tillë, kur NATO-ja dhe Bashkimi Evropian – mbështetëset kryesore të largimit nga drama jonë postkomuniste, drejt demokracisë liberale, shtetit të së drejtës dhe lirisë – duken të kërcënuara në bërthamat e tyre. Për fat të keq, në Evropën Qendrore dhe Lindore, impulset joliberale dhe autokratike nuk “vdiqën” kurrë; në të vërtetë, ato tani ushqejnë flirtimet e fqinjëve tanë strategjikë, me Rusinë dhe Kinën.
Muajt e fundit, trupa amerikane dhe të NATO-s janë vendosur në brigjet rumune në Detin e zi, për të ndihmuar në frenimin e një Rusie agresive. Moldavia, fqinji ynë dhe simotër në histori, ka një president të ri proMoskë dhe po e hedh poshtë integrimin europian, në këmbim të një iluzioni të një të ardhmeje në brendësi të Unionit Euraziatik të sponsorizuar nga Rusia. Ne e dimë se gjëra si kjo janë përtej kontrollit tonë, sidomos përballë përpjekjeve që po bëjnë fuqitë e mëdha, për të krijuar zonat e reja të influencës në Europë.
Por një mendim i bashkon protestuesit e rinj urbanë, shumë emigrantë në diasporën tonë të madhe, dhe të gjitha partitë tona politike: Një Rumani e fortë fillon nga brenda, me mirëqeverisjen dhe besimin se e ardhmja jonë qëndron me një Perëndim të fortë dhe të bashkuar. Pra, përtej nxitësve socialë, ekonomikë dhe moralë të pakënaqësisë në rrugët tona, qëndron një mirëkuptim se, që Rumania të bashkohet me të vërtetë me Perëndimin, ajo duhet të bëhet më e fortë si demokraci, ekonomi dhe si shtet – një qëllim, për të cilin korrupsioni është virus vdekjeprurës.

Artikulli paraprakShtetet e Vishegradit kërkojnë unitetin e Evropës
Artikulli tjetërPas Zharrëzëz, puset e naftës rrezikojnë jetën e banorëve të Visokës në Mallakastër