Pas Shtëpisë së Bardhë, Kosova dhe Serbia me përafrim qëndrimesh në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, thanë të kenë shënuar përparim në raundin e ri të bisedimeve në Bruksel, vetëm pak ditë pasi në praninë e presidentit amerikan Donald Trump, ranë dakord të normalizojnë marrëdhëniet ekonomike.

Bashkimi Evropian publikoi paradite një deklaratë të përbashkët të dy zyrtarëve sipas së cilës ata i konfirmuan shefit të politikës së Jashtme Josep Borrell, “se përparësi e lartë e tyre është integrimi evropian dhe vazhdimi i punës bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian që është element thelbësor në rrugën e tyre evropiane. Ata gjithashtu u angazhuan për të dyfishuar përpjekjet e tyre për të siguruar harmonizimin e mëtejshëm me BE-në, në përputhje me detyrimet e tyre përkatëse”.

Në këtë kuadër, thuhet në deklaratë, “dokumenti i dakorduar së fundmi në Uashington, duke u mbështetur në angazhimet e mëparshme lidhur me dialogun të ndërmarra nga të dyja palët, mund të jap një ndihmesë të dobishme për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve”.

Takimi i së hënës në Bruksel pason dakordimin e të dyja palëve për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike në Shtëpinë e Bardhë që u vlerësua lart nga Shtetet e Bashkuara. Presidenti amerikan Donald Trump e cilësoi si një “një tjetër angazhim historik”, ndërsa vlerësoi kurajën e të dy udhëheqësve për të arritur një pajtim të tillë.

Kosova dhe Serbia pas Shtëpisë së Bardhë, në Bruksel
Çështja e personave të zhdukur gjatë luftës, ajo e të zhvendosurve dhe bashkëpunimi ekonomik ishin tema diskutimi të cilave ju shtuan edhe “aranzhimet për komunitetet jo shumicë dhe zgjidhja e kërkesave të ndërsjella financiare dhe pronësore”, tha zoti Borrell.

“Këto bisedime nuk janë gjithnjë të lehta, prandaj jam i kënaqur të shoh përkushtimin e të dyja palëve”, tha zoti Borrell.
I dërguari i posaçëm evropian, Miroslav Lajçak, tha se palët shënuan përparim ne çështjet e personave të zhdukur, të zhvendosur dhe bashkëpunimit ekonomik, ndërsa u hapën çështjet e pakicave dhe të kërkesave të ndërsjella financiare dhe pronësore.

“Negociatat tona si zakonisht ishin intensive dhe jo gjithmonë të lehta, por ajo që mbizotëroi ishte vullneti i të dyja palëve për të çuar përpara diskutimet e tyre pavarësisht nga çështjet e dhimbshme dhe komplekse në fjalë”, tha zoti Lajcak.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se është shënuar përparim në hartimin e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.

“Kemi përmbyllur, besoj me pozitivitet çështjen e personave të pagjetur, që është tepër e ndjeshme dhe unë besoj që shpejt përmbyllet edhe teknikisht nga dy ekipet tona. Edhe çështje të parimeve të bashkëpunimit ekonomik në mes të dy vendeve. Sot kemi negociuar për dy tema të ndjeshme po ashtu; e para të obligimeve financiare të cilat i kemi prezantuar edhe në takimet e tjera që janë dëmet e luftës, borxhi publik e çështje tjera dhe tash mbetet që ekspertet të merren më ketë çështje. Dhe është shtruar nga pala serbe çështja e asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha ai.

Edhe presidenti serb, Aleksandër Vucic tha se është shënuar përparim në bisedimet që sipas tij po hyjnë në pjesën më të vështirë të tyre.

“Për shumë çështje kemi qëndrime të ndryshme për të mos thënë tërësisht të kundërta. Do të jetë e ndërlikuar, e vështirë”, tha ai duke theksuar se nuk është i pakënaqur me zhvillimet e sotme. Ai tha se ka ngritur çështjen e asociacionit tw komunave serbe dhe “tash do të vazhdojnë shefat e ekipeve negociuese më 17 shtator, e ne do të takohemi sërish në nivel të lartë më 28 shtator këtu në Bruksel”. Ai tha po ashtu se “Prishtina do të nxjerrë ligjin për kthimin e të zhvendosurve, ky është një hap i rëndësishëm, ndonëse jemi të rezervuar për rezultatet në praktikë”, ndërsa nënvizoi rëndësinë e diskutimit të çështjeve të bashkëpunimit ekonomik, që ishte pjesë edhe e takimit në Washington.

Dakordimi i palëve në Shtëpinë e Bardhë, përfshinë edhe pajtimin e Kosovës dhe Izraelit për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe që Kosova të hapë ambasadën e saj në Jerusalem, ndërsa Serbia është zotuar ta lëvizë ambasadën e saj nga Tel-Avivi në Jerusalem vitin e ardhshëm.

Bashkimi Evropian është shprehur i shqetësuar me një zotim të tillë. Zëdhënësi Peter Stano tha sot se qëndrimi i Bashkimi Evropian vendosjen e ambasadave në Jerusalem është i njohur dhe nuk ka ndryshuar. Nuk ka shtet të Bashkimit Evropian me ambasadë në Jerusalem. Dhe as delegacion në atë qytet.

“Meqë Kosova dhe Serbia e kanë përcaktuar integrimin evropian si përparësi strategjike, Bashkimi Evropian pret që të dyja palët të veprojnë në harmoni me këtë përkushtim që të mos dëmtojnë ardhmërinë e tyre evropiane. Serbia tashmë është duke negociuar këtë anëtarësim dhe pritet që ajo të harmonizojë politikën e saj me ato të Bashkimit Evropian”, tha zëdhënësi Stano.

Kosova e ka vlerësuar këtë si një arritje të madhe dhe të hënën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se ka biseduar me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan lidhur me shqetësimet e Turqisë dhe Ligës Arabe për këtë çështje. Ai tha se njohja e ndërsjellë me Izraelin nuk do të dëmtojë marrëdhëniet miqësore e strategjike me Turqinë.

Artikulli paraprakMinjtë po ndjejnë përmbytjen, Ramës i ikën ministrja nga qeveria: Nuk marr pjesë në fushatë
Artikulli tjetërJashtë kontrollit, thyhet rekordi në Shqipëri me 35 vdekje në javë nga virusi