Pas meje asnjë mos mbet

Hamit Taka

Kur pak kohë na ndan nga zgjedhjet lokale të qershorit dhe opozita përgatitet për një protestë të fuqishme, për të rrëzuar nga qafa e popullit krimin qeveritar, oligarkinë financiare dhe korrupsionin frymëmarrës të demokracisë , propagandës së shfrenuar të mazhorancës, mediave dhe analistëve në shërbim të qeverisë, i janë shtuar edhe thirrjet e disa ish-ëve nga radhët e PD-së. Thirrjet e shëmtuara: Nuk rrëzohet Rama me protesta të planifikuara apo Partia Demokratike nuk fiton kurrë me Lulzim Bashën në krye, si dhe retorikat bajate nëpër studiot e ca mediave që duan të mbushin programet, janë thjesht paterica për të mbajtur Ramën në pushtet dhe avokatia më e mirë e mbrojtjes së oligarkëve, krimit, padrejtësisë e korrupsionit. Dhe, përkundër këtyre thirrjeve, thonë me zë të lartë e gjysmë zëri se zoti Basha vazhdon bashkëpunimin me Ramën, domethënë, ndihmesën e hapur që i japin Ramës, t’ia faturojnë Bashës. O tempora! O mores!
Konflikti midis PD-së dhe ish-ëve, midis Lulzim Bashës dhe ishëve, midis ishëve dhe vetvetes qëndron te perceptimi traumatik i hendekut midis parajsës së ëndërruar dhe parajsës së humbur. Meqënëse heqjen nga listat e deputetëve ata e konsideruan humbjen e parajsë dhe meqëse tani nuk kanë punë tjetër e halle si të tjerët, veçse të bredhin lokaleve e nëpër pronat e tyre, duke vënë dhjamë majë makinave luksoze, për të kënaqur ndjesitë e tyre të topitura nga monotonia, shkarkojnë para publikut nëpër televizione mërinë ndaj Lulëzim Bashës. Mesazhi i tyre për publikun është një i vetëm dhe i pandryshueshëm: mendoni si mendoj unë, besoni atë që them unë, unë i di të gjitha, fjala ime është fjala e fundit, ejani pas meje, me mua dhe vetëm me mua jeni të fituar. Dihen dhe teknikat e saj: Ad hominem, frazë latine që përdoret kur bëhet sulmimi i kundërshtarit në vend se të sulmohen argumentet e tij. Dhe ad nauseam, kjo qasje përdor përsëritjen e palodhur të një ideje.

Një ide, zakonisht në formë të një slogani të thjeshtë, që mund të fillojë të merret si e vërtetë, në rastin tonë, PD nuk fiton me Lulzim Bashën. Por, shkencërisht e historikisht, kjo është e pamundur, se bie në kundërshtim me konkurencën, përparimin dhe ligjin e ripërtëritjes. Mirëpo çdo punë që bëhen me këmbëngulje, synon të shndërrohet në qëllim në vetvete dhe të mbush boshllëqet në jetën e njeriut.
Vuajtjet e stërholluara e të llojllojshme, që shkaktohet nga ndjeshmëria tepër e lartë te njerëzit me kulturë të madhe, nuk janë ndoshta aq mëshirëndjellëse sa ç’është gjendja e atyre që s’gjejnë asnjë ngushëllim e kënaqësi intelektuale dhe mendja e tyre e nxehur nuk është e aftë t’i nxjerrë nga rrethi i ngushtë i dëshpërimeve dhe i pakënaqësive, që s’u ndahen. Ata nuk dinë të heshtin(se pa dhënë ata mendim përmbyset bota). Nuk dinë të pranojnë se tjetri ka të drejtë(larg qoftë!). Nuk dinë të debatojnë atje ku është kuvendi(dinë mrekullisht të shajnë). Në radhë e PD ka nga edhe ata që nuk dalin fitues dhe dinë të heshtin kur duhet heshtur.
Ç’ka vijon më poshtë është, as më shumë e as më pak, veç qasja shqiptare ndaj liderit të fortë të një partie, për të qënë fituese; ky do t’i binte të ishte i forti absolut, njëshi e s’ka tjetër, kampioni i të gjitha kohëve e i të gjitha peshave, një Herkul, një Skënderbe, një Muhamet Aliu pak a shumë, nëse do të ishte boksier. Pas dorëheqjes së zotit Berisha, ky Basha nuk ishte ai i duhuri, domethënë i forti, pavarësisht se ishte i shkolluar në Perëndim, kishte përvojë në menaxhimin e situatave problematike në Europë, aq i pëlqyeshëm, nga të majtë e të djathtë, kur ishte në krye të KOP-it(të cilin Dritëro Agolli e quajti gjëja më e mirë që kishte bërë demokracia pas lëvizjes studentore të ’90-ës), sa, pas fitores së PD-së në zgjedhjet e 2005-ës, pati që thanë se 50% e fitores i dedikohej Lulzim Bashës. Por ai ishte shumë simpatik, orator, elegant, i qeshur, i qetë dhe, si i tillë, s’mund të ishte i forti. Se gjoja dikush tjetër ishte ai i forti, dhe vetëm ai mund të bëhej lider i PD-së pas Berishës. Sigurisht aspironte edhe ndonjë nga këta ish-ët, të cilët ëndërrojnë për të qënë përjetësisht të parët. Dihet se gjithmonë ka dy mendime: mendimin që ka njeriu për veten e tij dhe mendimi që kanë të tjerët për të.

Artikulli paraprakPo bëhet gati të dorëzojë zyrën
Artikulli tjetërKrasta-Nikollës: Mashtruat shqiptarët, ndërtuat një Shqipëri mizerabël, të pakonceptueshme!