Pas Brexit fillon lufta për shpërndarjen e plaçkës britanike në BE

Jean-Claude Juncker, kreu i Komisionit Europian dhe krerë të shteteve e qeverive të BE-së janë të një mendimi. Negociatat për daljen e Britanisë së Madhe nga unioni do të fillojnë vetëm atëherë, kur ky vend të dorëzojë zyrtarisht kërkesën, sipas nenit 50 të marrëveshjeve europiane. Megjithatë që tani ka filluar në prapaskenë ndarja e plaçkës së mbetur britanike. Në Londër kanë selinë e vet dy agjenci të rëndësishme të BE-së, të njohura edhe si agjenci joqendrore.
EBA, Agjencia Europiane për Mbikëqyrjen e Bankave dhe EMA, Agjencia Europiane që vendos lejimin e ilaçeve në BE. Të dyja agjencitë janë të kërkuara në vendet anëtare, sepse sjellin ndikim, para dhe vende pune. Në rastin e EBA-s dhe EMA-s, dy agjencive që do të largohen nga Britania e Madhe bëhet fjalë për 1044 vende pune të kontraktuara.
Që para referendumit madje filloi ndarja e plaçkës. Lobistët suedezë dhe danezë të farmaceutikës lëvduan në Londër avantazhet e vendeve të tyre, në selinë e Agjencisë Europiane për Lejimin e Ilaçeve, si vende të mundshme për zhvendosjen. Ndërkohë edhe Spanja dhe Italia kanë shprehur pretendimet e tyre. Qeveria spanjolle themeloi zyrtarisht një grup pune për të punuar që agjencitë europiane të transferohen në Barcelonë ose Madrid. Kryeministri italian, Matteo Renzi u kundërpërgjigj menjëherë. Roma krijoi po ashtu një grup pune për të bërë lobim për lëvizjen e dy agjencive në Romë.
Kryebashkiaku i Romës, Guiseppe Sala ka shkuar më parë në Londër për të bërë reklamë për Romën si vend ideal për entin europian të mbikëqyrjes bankare. Por edhe shtete dhe qytete të tjera po zgjohen pas këtyre përpjekjeve. Eurodeputetët gjermanë e shohin Frankfurtin si qendrën e natyrshme të Agjencisë së Mbikëqyrjes Bankare, sepse në fund të fundit edhe Banka Qendrore Europiane ka selinë e saj në Frankfurt. Polonia nga ana e saj kërkon të tërheqë agjenci të tilla në Lindje. Rumania, Bullgaria, Qipro dhe Sllovakia, si edhe Kroacia ngrenë zërin po ashtu, sepse nuk kanë marrë deri më tani asnjë autoritet europian.

Artikulli paraprak18 mijë të arrestuar, 50 mijë të larguar nga puna
Artikulli tjetër“Politico”: Trump thotë një gënjeshtër në çdo 5 minuta