Partizani në Champions, nga financat te talentet në vitrinë

Me kualifikimin përballë Ferencvaros, Partizani nuk realizoi vetëm një arritje historike. Kalimi në turin e tretë të Champions League pasuroi arkat e klubit, ndërsa ndeshja në Budapest shërbeu si vitrinë për yjet e rinj të të kuqve.
Nga pjesëmarrja në Champions, kryeqytetasit përfituan plot 700 mijë euro shpërblim nga UEFA. Shifra ndahet në 300 mijë euro për pjesëmarrjen në turin e dytë dhe 400 mijë euro për ndeshjet e turit të tretë, ku Partizani do të ketë përballë gjigantët austriakë të Salzburgut. Përfitime të rëndësishme për një klub shqiptar, të cilat do të riinvestohen për të përforcuar skuadrën e trajnerit Adolfo Sormani dhe rikthimin e titullit te të kuqtë pas 24 vjetëve.
Shpërblimit nga UEFA mund t’i shtohen edhe të ardhura nga “pasuria” që klubi ka, e thënë ndryshe nga lojtarët e rinj në kontingjent. Përveç portierit Alban Hoxha që shkëlqeu ndaj Ferencvaros dhe tregoi se është gati për një ligë të rëndësishme europiane, në vitrinë ishin mesfushori 18-vjeçar, Jurgen Bardhi, mbrojtësi 20-vjeçar Ylber Ramadani apo nigeriani Atanda, si edhe 20-vjeçari Realdo Fili.
Të gjithë protagonistë përballë një kundërshtari të rëndësishëm, me skuadrën hungareze që gëzon një buxhet financiar shumë herë më të lartë se Partizani. Kësaj i shtohet edhe fakti që vlera e Ferencvaros në merkato përllogaritet në afro 12 milionë euro, ku trajneri Thomas Doll ka në dispozicion lojtarë të përfaqësueses hungareze, si portieri Dibusz, mesfushori Lovrencsics apo sulmuesi veteran Zoltan Gera, por edhe sllovakun Sestak, Djuricin të Austrisë dhe mbrojtësin ekuadorian, Cristian Ramirez.
Por, pavarësisht të gjithave, në Hungari, Partizani konfirmoi edhe një herë se në futbollin modern, emrat dhe të ardhurat nuk janë më të rëndësishmet. Në rrugën drejt suksesit nevojiten dëshirë dhe uri. Elementë që priten të jenë vendimtarë edhe në rrugën e të kuqve në sezonin e ri të Kategorisë Superiore.

Artikulli paraprakPortieri kualifikon Partizanin
Artikulli tjetërFerencvaros i tronditur: I kërkojmë falje tifozëve