Paralajmërimi i Presidentit gjerman

Presidenti gjerman Gauck mban fjalën e lamtumirës duke paralajmëruar politikanët. Shumë shpesh muajt e fundit ndjehej papritur shqetësimi, madje edhe frika, se ne jemi duke rrëshqitur pashmangshmërisht drejt një humnere. Një humnerë të krijuar nga urrejtja, nacionalizmi dhe gënjeshtra. Në ditë për shembull, kur strehimoreve të azilkërkuesve u vihej zjarri ose njerëzit shprehin zemërimin e tyre para kamerave. Ose në ditët kur fillimisht britanikët dhe më pas amerikanët votuan për t’u mbyllur në kapsulën e tyre, nën maskën e gjoja vetëvendosjes dhe të “menaxhimit” më të mirë të kufijve.
Pakënaqësia e ushqyer më tej nga faqet e komenteve në internet dhe rrjetet sociale, ku njerëzit flisnin duke bërë bujë kundër refugjatëve, politikanëve dhe mediave dhe duke folur kudo për komplotet. Partia AfD shënoi rritje në sondazhe dhe shprehet kundër të huajve, qëndrimit të hapur dhe tolerancës. Në fund sulmi në Berlin dhe kjo listë mund të vazhdojë më tej.

Kohë të ashpra
Kjo ndjenjë sikleti ushqen ndjenjën e pakëndshme se gjendemi para përmbysjesh të rrezikshme, një kohë kur njerëzit kanë frikë, jepen drejt ksenofobisë dhe proteksionizmit, një nacionalizmi “ne kundër atyre”, që mendonin se qe kapërcyer prej kohësh dhe qe demaskuar si një marrëzi prej luftërave botërore të shekullit të kaluar.
Me fjalë të tjera: “Ne jemi duke jetuar në kohë të ashpra”. Kështu u shpreh në fjalimin e tij të lamtumirës presidenti Joachim Gauck para disa javësh. Shansi i tij i fundit, për t’i bërë thirrje para kamerave ndërgjegjes së politikanëve dhe personaliteteve të tjera, si dhe gjermanëve. Gauck nuk është ndonjë orator i shkëlqyer apo njeri që shkakton eufori dhe bën për vete.
Por ai është një njeri që i zgjedh fjalët e veta me kujdes, vë gishtin në plagë dhe nxjerr konkluzionet e duhura, pra që demokracia dhe shteti ynë social duhet të mbrohen – dhe madje me vendosmëri; që sfidat janë të mëdha – qoftë populizmi, ndryshimi i klimës dhe transformimi dixhital; që Gjermania – dhe të gjithë ata që besojnë në demokraci në kuptimin e saj më të mirë – tani më shumë se kurrë do të kenë në një rol më të madh në politikën ndërkombëtare, diplomacinë e krizës dhe në mbrojtje; që duhet të flasim, të shkëmbejmë ide për të gjetur zgjidhje.

Nevojitet guxim
Mos e humbni shpresën, është deviza e atij që ka jetuar vetë në një diktaturë dhe që ka ushqyer nga kjo besimin e tij të palëkundur në demokraci dhe Kushtetutën gjermane: ne mund ta bëjmë këtë.
Megjithatë, kjo kërkon guxim – dhe politikë të guximshme, një politikë që pozicionohet kundër urrejtjes, ksenofobisë dhe populizmit dhe gjen përgjigje të guximshme ndaj sfidave.
Megjithatë kur sheh politikën dhe politikanët që po pozicionohen në fillim të vitit të fushatës elektorale, ke pak shpresë. Madje të krijohet ndjenja: udhëheqësit duhet t’i marrin për zemër fjalët e Gauck-ut, përpara se hendeqet të bëhen më të thella.

Artikulli paraprakIndiana dhe kombinacioni fitues i zgjedhjeve në SHBA
Artikulli tjetërJava historike e transferimit të pushtetit