Indiana dhe kombinacioni fitues i zgjedhjeve në SHBA

Çiftëzimi i Donald Trump nga shteti i New York me Mike Pence nga Indiana në dyshen presidenciale republikane të 2016 ringjalli një strategji shpesh të suksesshme që dikur ishte gjë e rëndomtë në historinë amerikane. Nga mbarimi i Luftës Civile deri në Luftën e Parë Botërore, New York dhe Indiana qenë dy shtetet kyçe në zgjedhjet presidenciale. Partia që i fitonte ato zakonisht fitonte edhe Shtëpinë e Bardhë. Si rezultat, në zgjedhjet midis viteve 1876 and 1916, dyshet partiake presidenciale që të konsistonin në njujorkezë dhe hoosiers qenë të zakonshme.
Dyshja e parë e tillë u ofrua në vitin 1876 nga demokratët, të cilët zgjodhën Thomas Hendricks nga Indiana si kandidat për zëvendëspresident të garonte bashkë me Samuel Tilden nga New York. Në atë kohë, emërimet presidenciale kishin pak ose aspak influencë në zgjedhjen e kandidatëve zëvendësa dhe konventat bënin zgjedhjen. Të dy njerëzit ndryshonin në çështjen kyçe monetare të ditës. Tilden, një avokat i Wall Street, favorizonte “hard money” dhe kufizimin e masës monetare, një pozicion i favorizuar në Lindje. Kurse Hendricks ishte lideri i lëvizjes “soft money” që ishte popullore në Jug dhe në Perëndimin e Mesëm. U shpresua që dyshja do të mbante në rresht mbështetësit e të dyja anëve të çështjes në anën demokrate dhe një gjë e tillë funksionoi, deri diku. Demokratët fituan në New York dhe Indiana, fituan edhe votën popullore, por, ashtu si dyshja demokrate më 2016, humbën Kolegjin Elektoral. Republikani Rutherford Hayes nga Ohio dhe kandidati si zëvendës i tij, William Wheeler nga New York, arritën një fitore kontradiktore me vetëm 1 votë elektorale.
Kombinimi tjetër New York/Indiana doli shumë më mirë. Në vitin 1884, Grover Cleveland nga New York ishte një fytyrë e freskët që garonte mbi bazën e një platforme antikorrupsion. Pas 6 humbjesh presidenciale rresht, demokratët shpresonin se ai do t’i nxirrte nga balta dhe do t’i fuste në Shtëpinë e Bardhë. Konventa demokrate sërish zgjodhi Hendricks nga Indiana si kandidat për zëvendëspresident. Ai ndihmoi që partia të fitonte Indiana, por New York qe një garë e fortë. Cleveland e fitoi shtetin e tij me vetëm pak më shumë se 1000 vota dhe bashkë me të, presidencën. Pa New York, ashtu si më 1876, demokratët do ta kishin fituar sërish votën popullore, por do të humbisnin Kolegjin Elektoral dhe kandidati republikan James Blaine nga Maine, do të ishte zgjedhur president. Shumë keq për Hendricks, mandati i tij si zëvendëspresident qe i shkurtër. Ai vdiq pas vetëm 8 muajsh në detyrë.
Në vitin 1888 qenë republikanët ata, të cilët kapitalizuan lidhjen Indiana/New York. Atë vit, Benjamin Harrison nga Indiana kryesonte dyshen kandidate presidenciale. Konventa zgjodhi Levi Morton, një bankier të pasur njujorkez, si zëvendësin e tij. Ata garuan si të huaj për Uashingtonin kundër Presidentit aktual demokrat Cleveland dhe kandidatit të ri si zëvendës i tij, Allen Thurman nga Ohio. Me fitimin e Indiana dhe New York, republikanët fituan Shtëpinë e Bardhë. Në një përsëritje të presidencialeve të vitit 1876, ata humbën votën popullore, por fituan Kolegjin Elektoral.
Në fillimet e shekullit të njëzet, Charles Fairbanks nga Indiana, një republikan, përsëriti rolin e Hendricks të një gjenerate më parë – ai ishte zgjedhur si kandidat për zëvendëspresident me dy kandidatë presidencialë të ndryshëm. Më 1904, Fairbanks ishte gjysma fituese e dyshes republikane të kryesuar nga njujorkezi Theodore Roosevelt. 12 vite më vonë, më 1916, konventa republikane u kthye sërish nga Fairbanks për një herë të dytë, duke e bashkuar me kandidatin presidencial Charles Evans Hughes, një gjykatës në Gjykatën Supreme nga New York. Fairbanks nuk qe aq me fat kësaj radhe. Ai dhe Hughes humbën ndaj Presidentit aktual demokrat, Woodrow Wilson nga New Jersey, dhe kandidatit për zëvendës të tij, Thomas Marshall, që njëlloj si Fairbanks ishte po nga Indiana.
Kohët kanë ndryshuar. New York dhe Indiana nuk janë më shtete fushëbeteja në zgjedhjet presidenciale, por me inaugurimin e Donald Trump si president dhe Mike Pence si zëvendëspresident, presidencialet e 2016 treguan se çiftimi i kandidatëve nga Empire State dhe Hoosier State mund të jetë ende një kombinacion fitues.

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakGaboni rrezikon eliminimin
Artikulli tjetërParalajmërimi i Presidentit gjerman