Paloka: Pa qeveri teknike, më 18 qershor nuk ka zgjedhje

Kryetari i grupit parlamenar të PD, Edi Paloka tha dje se më 18 qershor nuk do të ketë zgjedhje. Duke u ndaluar tek reforma zgjedhore, Paloka tha se disa prej ndërkombëtarëve nuk e mbajtën fjalën për angazhimin e plotë në këtë reformë. “Nuk do të ketë zgjedhje më 18 qershor, sepse nuk mund të ketë zgjedhje me një qeveri që është e zhytur në krim. Çdo ditë këta që flasin për reformën në drejtësi lirojnë bandat të krimit. Të gjithë kërkon t’i vërë në shërbim të zgjedhjeve, krimin dhe paratë e krimit. Ne nuk do t’i lejojmë këto kushte. Qeveria teknike shërben për t’i hequr mbështetjen krimit. Qeveria do të merret me përgatitjen e zgjedhjeve, të kuadrit zgjedhor dhe të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ka përvojë Shqipëria lidhur me këtë pikë. Unë mendoj që sa më shpejt të arrihet aq më mirë është jo vetëm për partitë, për qytetarët, por edhe për qeverinë”. Paloka po ashtu përsëriti edhe një herë ftesën për Ilir Metën që t’i bashkohet kërkesës së tyre për zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Çadra është kthyer në një parlament dhe mendoj që është parlamenti më përfaqësues që mund të ketë pasur ndonjëherë Shqipëria sepse aty populli përfaqëson veten. Në parlamentin e asaj që tashmë ka marrë emrin ‘çadra e lirisë’ qytetarët përfaqësojnë vetveten dhe të gjithë janë aty për një qëllim kërkojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme me qeveri teknike. Sepse ky është i vetmi kusht që mbeti. Qeveria teknike vjen si kusht i vetëm pas më shumë se një viti që ne kemi paraqitur si kusht për të pasur zgjedhje të besueshme. Para një viti kemi bërë 10 kërkesa, ndër më kryesoret ishte votimi dhe numërimi elektronik, kontrolli i financave në parti etj. Ato ishin kushtet tona për të hyrë në zgjedhje me besueshmëri. Për një vit u hasëm me arrogancën e kësaj qeverie dhe pas një viti u detyruam, pasi e kërkuam në komisionin e reformës zgjedhore, e kërkuam në Parlament, ja kërkuam ndërkombëtarëve. Për hir të së vërtetës premtuan se do të ishin në krah tonë dhe do të kërkonin po me aq këmbëngulje realizimin e reformës zgjedhore saç po kërkonin edhe atë të reformës në drejtësi”, tha Paloka. Duke reaguar në lidhje me qëndrimin e ndërkombëtarëve, Paloka tha: “Në fakt është realitet sepse na deklaruan që me të votuar ndryshimet kushtetuese impenjimi kryesor i tyre do të ishte reforma zgjedhore, gjë që në fakt nuk ndodhi dhe sot flitet vetëm për reformën në drejtësi. Disa faktorë të tjerë që po dalin në dukje, ose fakte të tjerë po bëjnë që edhe kjo reformë e drejtësisë nuk ka synimin që duhet të kishte apo qëllimin që duhet të kishte. Nuk po them që janë bërë palë të paktën disa prej tyre, disa në fakt kanë qenë palë dhe ne i kemi denoncuar si PD që kur kanë ardhur në Shqipëri. Por disa të tjerë nuk e di pse nuk i qëndruan fjalës që na thanë dhe sot nuk po mbajnë atë qëndrim që duhet të mbajnë. Ndërkohë që protesta jonë ka gjetur mbështetje ndërkombëtare. Ne morëm mesazh nga Kongresi amerikan, mediat ndërkombëtare pasqyruan protestën. Në mbështetje të asaj që ne kërkojmë janë edhe ambasadorët, dje ambasadori i OSBE tha atë që ne kemi kohë që e themi. Pra, të gjithë po vijnë aty ku ne kemi qenë prej kohësh dhe sigurisht kjo mbështetje është e nevojshme. Ne kësaj pjese i jemi mirënjohëse dhe do t’i shkojmë deri në fund”.

Artikulli paraprakDhe një përgjigje Ahmetajt për taksën e sheshtë!
Artikulli tjetër“Fox News”: Si e pushtoi Xhorxh Soros USAID-in